Fushata ofensive e LDK-së

Politika

Fushata ofensive e LDK-së

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 18 janar 2021 Në ora: 10:26
Arkiv

Pavarësisht rekomandimeve nga instituti për shëndetësi, partitë politikë po i shpërfillin masat anti-Covid duke filluar me fushata për programet e tyre në këto zgjedhje.

LDK-ja kandidat për kryeministër ka Avdullah Hotin. Zgjedhjet do të mbahen me 14 shkurt, kurse fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, nga 3 deri më 12 shkurt.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur të gjitha procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat janë caktuar për 14 shkurt.

Kujtojmë se qeveria Hoti u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë shpall të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kësaj qeverie, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar menjëherë fushatën e saj zgjedhore me Hotin në krye, ku kësaj radhe kanë paralajmëruar se do të jetë të ashpër kundër partive tjera.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, në një deklaratë akuzoi Vetëvendosjen se gjatë qeverisjes së saj, Amerika filloi të tërheq armatimin nga Kosova.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se nëse nuk fiton LDK-ja, do të rrezikohet shtetësia e Kosovës.

Lidhur me fushatën e LDK-së e kanë komentuar edhe disa analistë.

“Garda e vjetër në krye të LDK-së nuk ka hequr dorë nga sllogani politik në kohë fushate për zbardhjen e vrasjeve politike”

Analisti Skënder Mulliqi, ka thënë se kanë filluar me marketing politik dhe se shërbimi me mashtrime dhe manipulime të elektoratit është tregues i vazhdimit të praktikave të vjetra politike.

Image
Skënder Mulliqi

Mulliqi ka shtuar se këto zgjedhje kanë rënë në muajin e disa vrasjeve makabre politike që sipas tij është në rregull të përkujtohen por jo edhe të bëhen marifete jo të mira karshi tyre dhe familjarëve.

“Edhe kjo fushatë zgjedhore ka filluar me slogane të njëjta politike nga partitë që ishin në pushtet. Nuk bëhet garë zgjedhore pa shpalosje programesh. Kanë filluar me marketing politik që konsumohet pa u mbyllur fushata mirë. Shërbimi me mashtrime dhe manipulime të elektoratit është pa ndershmëri e madhe , dhe është tregues i vazhdimit të praktikave të vjetra politike, që i sollën shumë të liga Kosovës. Garda e vjetër në krye të LDK-së nuk ka hequr dorë nga sllogani politik në kohë fushate për zbardhjen e vrasjeve politike. Këto zgjedhje kanë rënë në muajin e disa vrasjeve makabre politike , që është shumë në rregull edhe të përkujtohen, por jo edhe të bëhen marifete jo të mira karshi tyre dhe familjarëve”, tha ai.

Më tej Mulliqi ka theksuar se LDK-ja e kishte pushtetin dhe nuk kanë bërë asgjë që këto raste të zbardhen, sipas tij LDK-ja duhet të largohet nga një logjikë e tillë për të bërë fushatë dhe të bëj reforma të thella e të brendshme që të kthej namin kur ishte gjallë Rugova.

“LDK e kishin pushtetin dhe asgjë nuk bënë që këto vrasje të zbardhen, se ashiqare dikujt po i intereson të shfrytëzohen për fushata. Aspirimi i pushtetit duke mos zgjedhur fjalor të përshtatshëm politik, e kjo vlejnë për të gjitha subjektet garuese , ka irrituar shumë qytetarët. Me demagogji dhe me demagog nuk bëhet shteti dhe as nuk mbahet pushteti. Të tillët e kanë pru edhe gjendjen e keqe permanente politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë. LDK-ja duhet të largohet nga një logjikë e tillë e të bërit fushatë, duke bërë reforma të thella të brendshme që ta kthen namin kur ishte gjallë Rugova”, tha ai.

Tutje ka thënë se me këtë garniture është e vështirë që fitojnë në zgjedhje, arroganca me rastin e Vjosa Osmanit, do t’ kushtoj me humbje të elektoratit dhe me humbje të garës për t’i fituar zgjedhjet, madje rënie edhe nga koalicionet jo të natyrshme që i ka bërë me PDK-në

“Largimi nga rruga e themeluesit të LDK-së , e ka qitë këtë subjekte politik që shumë vite nga e para në Kosovë. Me këtë garniturë në krye zor është që të fitohen edhe këto zgjedhje të 14 shkurtit. Arroganca e LDK-së me rastin e Vjosa Osmanit , do t’i kushton në këto zgjedhje me humbje të elektoratit dhe me humbje të garës për t’i fituar zgjedhjet. Mendoj se LDK-ja do të pëson rënie edhe si ndëshkim për koalicione jo të natyrshme që i bëri me PDK-në”, përfundoi ai.

LDK-ja me fushatë inerte

Ndërsa analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nëse do të nxjerrim ndonjë statistikë të subjekteve politike, atëherë do të kishim një pasqyrë më reale me që rast edhe qytetarët do ta kishin më të lehtë përcaktimin.

Image
Leon Duhanaj

Ai thotë se shumica e kohës u kushtohet zgjedhjeve për arsye se fokusi ekskluziv shkon drejtë fushatave dhe zgjedhjeve.

“Nëse do ta nxjerrim ndonjë statistikë rreth përqindjes së aktivitetit politik të subjekteve kosovare, atëherë vërtetë do ta kishim një pasqyrë reale ku edhe qytetarët do ta kishin pasë me të lehtë përcaktimin. Pothuajse shumica e kohës u dedikohet zgjedhjeve, ruajtjes, përkatësisht marrjes së pushtetit, pasi që Kosova ose gjendet në procese parazgjedhore, ose në kriza e ngërçe politike, ku fokusi ekskluziv shkon drejtë fushatave dhe zgjedhjeve”, tha ai.

Më tej ka thënë se në këtë kontekst me përjashtim të LDK-së në koalicion me PDK-në, pjesa tjetër ka pasur agjendë ekskluzive çështjen e zgjedhjeve. Sipas tij LDK-ja është duke pasur një fushatë të rënduar pasi që po ua shfrytëzon konkurrenti i tyre VV-ja, kështu që nuk po është në gjendje të mbroj as pozicionin e saj siç duhet.

“Në ketë kontekst, duke qenë se kemi pasur krizë politike tash e një vit, me përjashtim të disa muajve të qeverisjes së LDK-së me koalicionin e saj, dhe PDK-së si parti konstruktive opozitare të cilat kanë kryer detyrat shtetërore, pjesa tjetër opksitare ka patur agjendë ekskluzive çështjen e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, LDK-ja, duket të ketë aktivitet disi një fushatë të rënduar dhe inerte, e të cilën po ua shfrytëzon konkurrenti i tyre VV-ja. LDK-ja, nuk po është në gjendje ta mbrojë pozicionin e saj siç duhet. Megjithatë kjo duket të jetë pjesë e pandashme e jetës publike dhe politike në LDK, ku eksponent të caktuar vazhdimisht bëjnë probleme siç e kemi tani rastin me znj. Osmani”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat