Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK jep parashikimin: Kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet – paralajmëron edhe përçarje

Politika

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK jep parashikimin: Kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet – paralajmëron edhe përçarje

Nga: N. H Më: 18 janar 2021 Në ora: 22:08
Foto ilustrim “Bota sot”

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, javë më parë shpërndau Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, duke e caktuar 14 shkurtin datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha, për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me situatën e fundit politike në vend.

Hoxha në një bisedë të gjatë, ka deklaruar se Kosova që nga viti 2000, ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme.

Ai kritik shprehet me klasën politike, sipas të cilit, primare për këta të fundit ishin interesat personale e klanore.

Image
Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha

“Zgjedhjet e radhës më 14 shkurt 2021 janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Prej vitit 2000 ne jemi mësuar me shprehjen jashtëzakonshme pasi të gjitha elementet e shtetit dhe jeta në tersi tek ne ende është duke u zhvilluar në rrethana të jashtëzakonshme. Është për keqardhje kjo qasje dhe kjo praktikë që po ndodhë me strukturën politike në vendin tonë, ku synime prioriteti në politikë i kanë interesat personale, pastaj familjare, grupore, partiake e në fund i kanë parasysh interesat e qytetarëve, mënyrën dhe standardin jetësor të tyre dhe interesat e shtetit stabil në çështjen e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së brendshme dhe të jashtme”, ka deklaruar Hoxha.

Me tej, Hoxha ka thënë se lidhur me gjendjen aktuale në vend, këtë më së miri e ka lexuar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Kjo qasje e tyre është e mbrapshtë prandaj edhe e jashtëzakonshme. Tri vitet e fundit qytetarët kanë filluar të lodhen nga kjo gjendje jo stabile në të gjitha sferat e jetës, janë lodhë me media ku rregullisht mbajnë vëmendjen dhe koncentrimin e tyre vetëm tek politika, tek parlamenti e qeveria, me problemet e tyre të brendshme partiake e mes partiake, me problemet institucionale ku qytetarët vetëm lodhen, janë në stres dhe kanë humbë durimin me debate e analiza të tepërta politike dhe me përçarjet e tyre në qeveri dhe kuvend. Këtë gjendje tek qytetarët e ka lexuar mirë Lëvizja Vetëvendosje dhe u premton qytetarëve se me qeverisjen e saj do të zbatohen ligjet dhe se do të kthehet jeta në gjendje të zakonshme, në jetë normale. Partitë tjera ende gjatë kësaj fushate po i paraqesin programet, pikat tash më të njohura për qytetarët dhe janë bërë monotone leximi i atyre ‘projekteve’ të cilat nuk dallojnë në 20 vitet e fundit që përfshin infrastrukturën, shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë, punësimin, sportin, turizmin dhe kulturën si dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka thënë me tej ai.

Hoxha po ashtu ka deklaruar se partia e Kurtit, për dallim nga partitë tjera, ka një fjalor më të dëshiruar për qytetarët.

“Këto detyra dhe këto premtime janë detyra të organeve të shtetit, të qeverisë, parlamentit, komunave që paguhen për to, andaj qytetarit nuk kemi nevojë që politikanët për t’i lexuar detyrat e tyre. Me këtë praktikë partitë politike pak a shumë do të mbesin më përqindje të njëjtë sikur më parë, pos LVV-së ka një fjalor tjetër, të ri që ka dëshirë qytetari të dëgjon e që nuk janë premtime standarde dhe të kota, të njohura dhe monotone”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha gjithashtu ka parashikuar edhe rezultatet e mundshme për zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas tij, e para nga këto zgjedhje të jashtëzakonshme do të dalë partia e Albin Kurtit, pasuar me një rezultat të ngushtë mes LDK-së dhe PDK-së.

Kurse, krejt në fund, ai ka theksuar se përcarjet në skenën tonë politike do t’i krijojë posti i presidentit.

“Renditja besoj se do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, me një dallim të theksueshëm para LDK-së dhe PDK-së të cilat nuk do të kenë dallim të madh mes tyre, pason AAK-ja me atë 12% përqindëshin e saj dhe qeverinë mendoj se do ta bëjë lista e Albinit me Vjosën dhe AAK -në. Por, do të mbesë një opozitë e fortë që si zakonisht tek ne nuk do ta ketë detyrë të kontrollon dhe të korrigjon qeverisjen por do të bëjë pengesa, gropa, shtyrje dhe gjithçka që është e mundur që të vazhdon situata e jashtëzakonshme në institucione dhe kështu një kohë të gjatë Kosova do të ecë sikur bebet në duar e këmbë pa u ngrit vetëm në këmbë dhe të bëhet shtet stabil dhe i sigurt. Përçarjet do të ndodhin për postin e presidentit si dhe për ndërrimin e kuadrove të larta në institucionet që thuhet ‘të kapura’ nga partitë tjera që me siguri do të mbesin në opozitë”, ka deklaruar Hafir Hoxha për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat