Marrëveshja me LVV-në – a do të bëhet Vjosa Osmani presidente?

Politika

Marrëveshja me LVV-në – a do të bëhet Vjosa Osmani presidente?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 janar 2021 Në ora: 11:03
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe u.d presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e kaluar zyrtarizuan marrëveshjen me të cilën i hyjnë bashkë garës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lideri i Vetëvendosjes, deklaroi se kjo ujdi është për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, me shoqëri me shëndet, punësim dhe arsim për qytetarët.

Pjesë e kësaj, marrëveshje është edhe posti i presidentit dhe kryeministrit. Gjatë kësaj konference, u bë publike kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente të vendit.

Por, sa ka gjasa që ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe ish-kandidatja për kryeministre nga kjo parti të vije në krye të vendit. Analistët japin shpjegimet se çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Njohësit e çështjeve politike në vend konsiderojnë se situata momentale është mjaftë konfuze, ndërsa kanë bërë me dije se për postin e presidentit është më mirë të pritet deri pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Analistët për “Bota sot” gjithashtu kanë dhënë edhe disa parashikime rreth rezultatit të mundshëm të këtyre zgjedhjeve.

“Dy planet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me postin e presidentit”

Analisti politike, Faton Mehmeti, konsideron se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe u.d. presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë dy plane lidhur me postin e presidentit.

Image
Faton Mehmeti

Plani i parë ai deklaron se është që Kurti dhe Osmani të fitojnë mbi 60 deputetë, kurse plani i dytë është Murat Jashari.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po lozin me dy plane. Plani A është që të fitojnë mbi 60 vota dhe bashkë me minoritetet të zgjedhin Vjosa Osmanin presidente. Nëse nuk arrihet kjo do e propozojnë Murat Jasharin, të cilin s’do mund ta refuzonin asnjë nga partitë shqiptare”, ka deklaruar analisti Mehmeti.

Tutje, Mehmeti thekson se jashtë kësaj loje është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa potencon se gjasa më të mëdha për këtë pozitë ka ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Faktikisht, Ramush Haradinaj është jashtë loje, me gjasat e tij të pamundura. Osmani është e vetëdijshme se e ka të vështirë, mirëpo, nominimi i saj është bërë me qëllim që të tërheq më shumë vota. Gjithsesi, gara kryesore është mes Osmanit, nëse nuk arrihen votat është plani B, ai i Murat Jasharit. Ky është besoj plani i Vjosës dhe Albinit, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Shahu shprehet skeptik se Osmani mund të vije në krye të shtetit

E, nga ana tjetër, analisti politik, Rexhep Shahu, duke e komentuar marrëveshjen mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo e fundit braktisi LDK-në pasi shfrytëzoi gjithçka nga kjo parti.

Image
Rexhep Shahu

“Vjosa Osmani kërkon shumë, kërkon që zgjedhjet politike për parlamentin e Kosovës të jenë zgjedhje presidenciale për Vjosën. Vjosa braktisi partinë pasi e shfrytëzoi e shtrydhi dhe pasi ajo parti e bëri kryetare të Kuvendit te Kosovës dhe zëvendësuese e presidentit të Kosovës përkohësisht. Meqenëse, LDK nuk ka çfarë i jep më shumë Vjosës, ajo iu bashkëngjit VV-së që në zgjedhjet e kaluara doli parti e madhe. Vjosa kërkon ose presidente e Kosovës ose asgjë tjetër pasi ajo beson se është e lindur vetëm për presidente dhe nuk është askush më i zoti se ajo për atë post. Por, zhvillimet politike nuk dihet a rrjedhin siç donë Vjosa”, ka thënë Shahu për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai deklaron se edhe nëse lista e Lëvizjes Vetëvendosje fiton 80 vota, nuk i jep Osmanit këtë pozitë.

“Besoj se edhe nëse fiton 80 vota vetëm Vetëvendosje, ajo parti nuk ia jep votat Vjosës dhe nuk e bën presidente të Kosovës, sepse braktisja e një partie, të asaj që të bëri, të rriti, të gradoi, të dha postet më të larta politike në shtet, për hir të karrierës të zgjatjes së karrierës në postin më të lartë të vendit në partinë tjetër nuk është aq e fisme. Vjosa beson se vetëm ajo është e lindur për postet më të larta në Kosovë, ose beson se postet më të larta në Kosovë si kryeministër apo president janë krijuar apo janë shpikur vetëm për Vjosën. Por, nëse do te viheshin në balancë me Ramush Haradinajn, nuk e dimë se si do shkonte votimi kur kemi parasysh se Haradinaj i ka dhënë gjakun lirisë së Kosovës, i ka dhënë provat në Hagë se është komandant, ka ushtruar detyrën e kryeministrit. Por, kundër Haradinajt e gjithë meritorëve janë tezat e kalcifikuara të Albin Kurtit që rri me pranga në gojë e në duar duke kërcënuar se do të burgosë gjithkënd që ka bërë krim. Sikur Albini është prokurori e gjykatësi sikur Albini ka burgun e qeverisë dhe fut e nxjerr nga burgu kë të dojë Albini”, u shpreh ai.

Analisti Shahu tregon se gjithmonë ka dëshiruar që në krye të shtetit të Kosovës të vije dikush nga bota akademike.

“Kurti me retoriken e mashtrimet pafund e nxiu çdo njeri në Kosovë, çdo pushtetar që ka qeverisur në Kosovë në dy dekadat e fundit dhe bëri meritor me pa meritorët e Kosovës. Në raport me Ramushin dhe kontributet e tij, Albini dhe Vjosa bashkë janë me peshë të papërfillshme në kontribute. Unë nuk e di se kush vjen në krye të shtetit të Kosovës si president, pasi unë kam dëshiruar të jetë dikush nga bota akademike, por jo prerje e tipit të Rexhep Qosjes. E nëse do të viheshin përballë Vjosa e Ramushi në popull, unë besoj se Ramushi do të ishte president e Vjosa mund të ishte një nëpunëse në presidencë”, tha analisti Shahu.

Juristi: Situata në vend konfuze, ky do të jetë rezultati

Ndërsa, juristi dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, shprehet se situata në Kosovës është mjaftë konfuze, kurse ka bërë me dije se për postin e presidentit më mirë është të pritet deri pas përfundimit të zgjedhjeve.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është çështje personale dhe e drejtë, tash si të vijë situata dhe rrethanat, dhe çfarë rrethana do të sjellin zgjedhjet e jashtëzakonshme është diçka tjetër. Pra, varet shumë nga rrethanat, këto janë dëshira, po sikur edhe e Ramushit. Pra, duhet të pritet situata pas zgjedhjeve. Paraqitja e kandidaturave është vullnet”, ka thënë juristi.

Me tej, ai ka parashikuar edhe rezultatin e zgjedhjeve, ku mendon se partia e Kurtit do të fitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme me një epërsi 3 deri në 4 deputetë më shumë.

“Situata momentale është mjaft konfuze, në Lëvizjen Vetëvendosje ka pak njerëz që kanë aderuar e hiq, pra dy persona, deri tash PDK prinë me aderime, këto tjerat janë shumë pak që kanë aderuara në ato. Mendoj se deri diku rezultati do të jetë i njëjtë si më 6 tetor 2019, përafërsisht dallimi në mes tyre dhe përqindjeve të fituara nuk mund të jetë aq i madh dhe dallueshëm në distanca në mes VV-së dhe tjerëve mund të jetë 3-4 deputetë. LDK rreth 20 për qind, PDK rreth 22 për qind, kurse AAK rreth 9 për qind”, ka deklaruar juristi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat