Gashi jep parashikimin e fundit: Ky subjekt do t’i fitojë zgjedhjet, jep emrat se kush e ka mbështetjen popullore – ka disa fjalë për vendimin e Kushtetueses

Politika

Gashi jep parashikimin e fundit: Ky subjekt do t’i fitojë zgjedhjet, jep emrat se kush e ka mbështetjen popullore – ka disa fjalë për vendimin e Kushtetueses

Nga: G.B Më: 19 janar 2021 Në ora: 19:38
Tomë Gashi dhe Albin Kurti

Kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin do të ketë edhe në këto zgjedhje.

Në listat e partive nuk mungojnë ata.

E kjo ka marrë kritika të shumta, sidomos për personat që janë të akuzuar për korrupsion.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se të gjitha partitë kanë propozuar kandidatë, me pretendimet që të dalin parti e dytë apo e tretë, pasi partia e parë do të jetë VV-ja.

“Secila parti politike, apo thënë me thjeshtë secila udhëheqësi e partive politike ka propozuar kandidat për deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës me pretendimet se mund të dalin partia e dytë apo e tretë e kështu me radhë. Sepse tanimë të gjitha partitë e dinë dhe e pranojnë që partia e parë do të jetë Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, kryetarët e partive kanë deklaruar se duan t’i afrohen VV-së me numrin e votave por që ato janë shumë larg saj.

“Të gjithë kryetarët e partive publikisht kanë deklaruar se ata pretendojnë që të t’i ofrohen sa më shumë që është e mundur Lëvizjes Vetëvendosje por e kanë thënë të vërtetën se janë shumë larg me numrin e deputetëve që këtë radhë do t’i fitojë LVV. Nëse i shohim listat e deputetëve të secilës parti politike janë lista me bindje të udhëheqësve partiak të secilës parti se kjo është lista që mund të sjell më së shumti deputetë dhe edhe sa i përket LVV-së, është një listë e tillë që vetëm me këta gra dhe burra të listës fituese për referendum me LVV-në, mund t’i rrëzojnë nga pushteti të gjithë ata që kanë qenë në pushtet që 20 vite e që asgjë të mirë nuk kanë bërë për Kosovën”, është shprehur avokati.

Ai thotë se parim themelor juridik është që personi i akuzuar, konsiderohet i pafajshëm, deri në momentin kur aktgjykimi që do ta shpallte fajtor, të bëhet i plotfuqishëm, derisa shton se është strategji e partive që të kenë në lista edhe persona me aktakuza të ngritura, që nuk është e ndaluar me ligj.

“Një prej parimeve themelore juridike është se personi i akuzuar duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në momentin kur aktualisht një aktgjykim kundër tij që do ta shpallte fajtor të bëhet i plotfuqishëm. Është strategji e partive politike që në listat e tyre zgjedhore kanë edhe persona me aktakuza të ngritura dhe derisa kjo nuk është e ndaluar me ligj mendoj që është çështje diskrecionale e secilës parti politike që të vendos emrat e atyre me të cilët janë të bindur se do të fitojnë numër më të madh të deputetëve dhe po ashtu mund të jenë të bindur se bashkëpartiakët e tyre nuk janë fajtorë dhe se do të lirohen nga aktakuza të ngritura kundër tyre”, ka theksuar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Sa i përket çështjes së interpretimit të vendimit të GJK për të drejtën e kandidimit për deputetë, sipas Gashi e vërteta është që secili që në 3 vitet e fundit nuk ka qenë i dënuar me burgim efektiv, për më tepër se një vit ai ka të drejtë të kandidojë për deputetë, derisa përmend rastin e zyrtarëve të VV-së.

“Nëse çështja është edhe tek interpretimi i vendimit të GJK lidhur me të drejtën e kandidimit për deputetë të Kuvendit të Kosovës, interpretimet mund të jenë të ndryshme por një është e vërtetë, secili që në 3 vitet e fundit nuk ka qenë i dënuar me burgim efektiv, për më tepër se një vit ai ka të drejtë të kandidojë për deputetë, ngase masa e dënimit me kusht siç është rasti për z. Albin Kurti, znj. Albulena Haxhiu, nuk ka prodhuar kurrfarë pasoje juridike në kohën e nxjerrjes së këtyre aktgjykimeve dhe për këtë arsye atyre duhet t’u lejohet që të kandidojë, ndërsa GJK nuk është Institucion që i ndryshon ligjet dhe Kushtetutën , por vetëm i interpreton ato. Ata të cilët nuk e duan LVV, që kanë frikë nga numri i deputetëve që do t’i ketë LVV dhe që kanë frikë nga Albin Kurti i cili do të jetë përsëri Kryeministër i Kosovës, bëjnë interpretime të lloj llojshme me qëllim që të krijojnë opinion për ta dëmtuar LVV dhe z.Kurti por efekti do të jetë i kundërt”, ka shtuar Gashi.

Ai vlerëson se VV do të dalë e para në zgjedhje, pasi qytetarët duan ndryshim e ndryshimi vjen me VV-në dhe Vjosa Osmanin.

“Lëvizja Vetëvendosje do t’i mundë të gjithë në zgjedhjet e 14 shkurtit qoftë një nga një qoftë të gjithë përnjëherë sepse ky është vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shkëputet e kaluara e errët nga e ardhmja e ndritur, por është edhe një mllef jashtëzakonisht i madh i qytetarëve të Kosovës për shkak të vjedhjes së votës së 6 tetorit 2019. Qytetarët duan ndryshim, duan normalizim, duan zhvillim, duan kulturë dhe sundim të ligjit, dhe kjo nuk do të bëhet me ata që ishin në pushtet për 20 vitet e kaluara. Ndryshimet vijnë vetëm me LVV dhe znj. Vjosa Osmanin. Këto dy figura kanë mbështetjen gjithë popullore dhe tani jemi në kohën ku LVV dhe Albin Kurti do ta kenë së paku një dekadë të të qenit në pushtet për ndryshime pozitive që i duhen Kosovës si ajri i pastër e jo si ky ajri i ndotur që e kemi sot e që e kemi pasur për 20 vitet e kaluara”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat