Lista e Vetëvendosjes, befasia e këtyre zgjedhjeve

Politika

Lista e Vetëvendosjes, befasia e këtyre zgjedhjeve

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 janar 2021 Në ora: 08:23
Albin Kurti

Disa ditë më parë, subjektet politike kanë dorëzuar listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhje, të cilët pas certifikimit do të mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, për ulëse në Kuvendin e Kosovës, shkruan “Bota sot”.

KQZ-ja ka bërë të ditur se do t’i dërgojë listat me emrat e të gjithë kandidatëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).

Gjithashtu, listat me emrat e kandidatëve për deputetë do të dërgohen edhe në 5 institucione tjera përveç KGjK-së, pra në Ministri të Punëve të Brendshme, Ministri të Punëve të Jashtme, Ministri të Mbrojtjes, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ndërsa si çdoherë, edhe kësaj radhe ka pasur befasi në listat e subjekteve politike, mirëpo ajo që mori më shumë vëmendje ishte lista e Lëvizjes Vetëvendosje.

Avni Dehari, babi i të ndjerit Astrit Dehari, Vasfije Krasniqi-Goodman, gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi dhe aktorja Adriana Matoshi ishin vetëm disa nga emrat të cilët befasuan me përfshirjen e tyre në listën e VV-së.

Aderimet e këtyre figurave publike, nxitën shumë reagime dhe debate në opinionin publik. Shumica prej tyre i vlerësuan lartë këta persona dhe përfshirjen e tyre në listë e Vetëvendosjes, duke theksuar se këta të fundit vetëm sa e kanë forcuar edhe më shumë Kurtin dhe partinë e tij.

Krahas komenteve pozitive, ishin edhe një numër jo shumë i madh i kritikave të adresuara në LVV shkaku i përfshirjes së disa personave në listën e saj zgjedhore.

Mulliqi: Lista e Lëvizjes Vetëvendosje befasia e zgjedhjeve

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi ka komentuar se listat deputetëve të subjektve politike në përgjithësi dhe në veçanti të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mulliqi tha se në këto zgjedhje kandidojnë shumë deputetë të cilët që shumë vite nuk kanë qenë aspak aktiv në Kuvendin e Kosovës.

Image
Skënder Mulliqi

“Edhe në këto zgjedhje kemi parë disa kandidatë të cilët që shumë vite kanë qenë deputetë dhe të cilët nuk janë treguar produktiv si kuvendarë. Edhe po të kishin qenë në nivel, kërkohen fytyra të reja politike, se është koha e ndryshimeve pozitive pas shume kohësh në Kosovë”, u shpreh Mulliqi.

Kurse, analisti tha se në listën e Vetëvendosjes ka disa befasi sa i përket kandidatëve të saj, duke theksuar aderimin e Vasfije Krasniqit dhe Donika Gërvalles.

Po ashtu ai përmendi edhe pakënaqësitë e disa personave që kanë mbetur jashtë listës zgjedhore

“Lista e deputetëve të LVV është më shumë listë me emra që i kanë dërguar degët. Ka disa befasi në mos përfaqësim të disa fytyrave publike të cilat, nuk janë futur në listë. Prurje e re dhe pak si e befasishme për opinionin publik është inkuadrimi i zonjës Goodman Krasniqi, dhe në Listë të Vjosës, Donika Gërvalles që është aderim i qëlluar. Duket se ka pakënaqësi nga disa që nuk janë përfshirë në listë, që është normale kur kemi zgjedhje nacionale. Në Listën e Vjosa Osmanit janë lënë jashtë përfaqësimit kandidatë nga disa zona të Kosovës”, deklaroi Mulliqi.

Mulliqi e veçoi një aspekt në listën e VV-së, ku tha se asaj i mungojnë përfaqësuesit nga zona e Dukagjinit. Dhe bëri apel që subjektet politike të lirohen nga praktikat e vjetra, të cilat e kanë sjellë vendin në gjendje shumë të rëndë.

“Lista sa kam njohuri nuk ka përfaqësues nga Dukagjini. Partitë politike duhet të lirohen nga praktikat e vjetra politike, të cilat Kosovën e kanë sjellë në gjendje të rëndë politike dhe ekonomike. Nuk është flakur ende logjika të luftohet për pushtet, se sa për shtet, dhe kjo shton pastaj dilema, edhe për ndryshime shumë të nevojshme pozitive pasi që të formohen organet e reja. Përfaqësimet duhet bërë mbi baza të shëndosha profesionale, rajonale, intelektuale dhe mbi baza të shëndosha kombëtare”, theksoi ai.

Analisti kërkoi që të spastrohet skena politike e Kosovës, nga njerëzit me afera të ndryshme të korrupsionit dhe njerëzve të pa aftë për të qeverisur vendin.

“Unë mendoj se duhet të spastrohet përfundimisht skena politike me votën e lirë, nga njerëzit që dyshohen për afera të ndryshme korruptive, nga njerëzit e paaftë e nga ilakat. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të shpeshta në Kosovë, po e bëjnë të pamundur reformën zgjedhore, e cila do të kishte bërë që të kemi më pak manipulime edhe brenda partive. Kur bëhet fjalë për LVV duket se kjo megjithatë është lista më e mirë në krahasim me listat e subjekteve tjera politike”, u shpreh Mulliqi.

Në fund, ai tha se listat për deputetë ende nuk janë pastruar nga nepotizmat dhe trashëgimtarët partiak të cilët po ia shfaqin faqen e zezë Kosovës.

“Ende nuk jemi liruar nga listat e trashëgimtarëve, nga listat gjoja vetëm të të merituarve partiak. Nepotizmat dhe klientelat ja sjellën faqen e zezë Kosovës. Ky duket edhe për një kohë do të jetë përcaktimi i keq i fatit tonë”, përfundoi Mulliqi.

Zogaj: Listat e kandidatëve për deputetë, më shumë manipulatorë se sa intelektualë

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e subjekteve politike. Zogaj listat zgjedhore i cilësoi si komplikim të një lufte për një rrëmbim të pushtetit.

Image
Skënder Zogaj

“Listat e të gjitha partive politike për zgjedhjet parlamentare të sivjetme, janë kompilime të jashtëzakonshme për një lufte të pa kompromis në rrëmbimin e pushtetit duke përdorur çdo kusht e mjet!”, deklaroi Zogaj.

Analisti madje i vlerësoi si degjenerim i politikave, ku përdoren muskujt dhe përjashtohen arsyet e civilizuara.

“Ky lloj veprimi ndodh gjithmonë e gjithkund ku ka krizë tē madhe politike, e cila prodhon degjenerim, prandaj përjashtohet arsyeja e civilizuar dhe funksionojnë rregullat e muskujve, dhe gjithkush bën atë që i vjen ndoresh!”, nënvizoi ai.

Në fund, Zogaj tha se në listat e të gjitha subjekteve politikë kanë gjetur më shumë vend manipulatorët se intelektualët, prandaj ka pak shpresë që zgjedhjet do të sjellin stabilitet politik në vend.

“Kështu ka ndodhur me listat e të gjitha partive politike, në të cilat më shumë se vlerat e mirëfillta intelektuale, kanë gjetur vend manipulantët dhe gej-puthadorët lakmitarë të pushtetit, që kësaj radhe, më shumë se kurdoherë tjetër kanë arritur të infiltrohen!

Kjo shihet nga listat e të gjitha partive politike, prandaj, ka shumë pak shpresë që zgjedhjet e shkurtit të ofrojnë cikël të ri stabiliteti!”, përfundoi Zogaj.

Mehmeti: Lista e Vetëvendosjes me figurat më të pëlqyera

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka vlerësuar lartë listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai potencoi se Vjosa me listën e saj e ka rritur edhe më shumë fuqinë politike të Vetëvendosjes.

Image
Faton Mehmeti

“Lista e VV, duket një listë më figurat më të pëlqyera nga qytetarët, në krahasim me partitë tjera. Ka figura të respektuara, dhe kjo është arsye besoj se VV do të del e para. Natyrisht Vjosa me Listën e saj vetëm sa e ka shtuar akoma më shumë fuqinë e saj brenda listës së VV”, theksoi Mehmeti.

Njohësi i çështjeve politike, shtoi se me zgjedhjen e kandidatëve për deputetë në listën e saj LVV, vetëm sa ka tërhequr edhe më shumë elektoral për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Duket se Vetëvendosje me listën e saj ka tentuar të tërheq sa më shumë elektorat, sa do të jetë kjo e madhe mbetet për tu parë. Është listë politikë, jo listë e profesionistëve, gjithsesi është një listë që do të sjell vota”, nënvizoi Mehmeti.

Ndërsa, ai përmendi edhe përfshirjen e disa figurave të mërgatës në listën e Vetëvendosjes, si Donika Gërvalla e cila tha se do të i sjellë shumë vota nga diaspora.

“Përfshirja e mërgatës në Listën e VV-së, si e zonjës Gërvalla do të sjellë vota edhe më shumë nga diaspora, diçka që shihet pasi deri tani mbi 52 mijë aplikime nga mërgata, diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. E shoh fituese listën e VV, me mundësi që diku 50 % e deputetëve në listën e saj të fitojnë mandate, mbetet për tu parë me 14 shkurt”, përfundoi Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat