A do të ndikojë në LVV mos kandidimi i Kurtit?

Politika

A do të ndikojë në LVV mos kandidimi i Kurtit?

Nga: A.Z Më: 20 janar 2021 Në ora: 19:51
Albin Kurti

47 kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin, nuk do të kenë mundësi të garojnë në këto zgjedhje. E në mesin e atyre që nuk do të mund të kandidojnë, është edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Lidhur me këtë profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se te partitë politike nuk do të ndikojnë aspak 47 kandidatë që nuk ua mundëson ligji të konkurrojnë për deputet, madje as te kandidatura e Albin Kurtit, sepse edhe pse qytetarëve nuk do u lejohet të votojnë Kurtin, do të votojnë prapë partinë e LVV-së

“Te partitë politike aspak nuk do ndikojnë 47 kandidatët që nuk ua mundëson ligji të konkurrojnë për deputetë, e hiç më pak mos lejimi i kandidaturës së Albin Kurtit për deputet. Qytetarëve të Kosovës në këtë rast nuk do ju mundësohet të votojnë Albinin Kurtin, po do votojnë partinë e tij të LVV-së. Derisa partitë tjera do kërkojnë votat në emër të liderëve politikë, te Vetëvendosja do ndodh e kundërta, ligji duke mos ia mundësuar kandidaturën Albin Kurtit, atëherë, qytetarët do votojnë partinë e tij”, tha ai.

Më tej ka thënë se, edhe pse e kanë sulmuar ligjërisht LVV-në me mos prezencën e Kurtit si kandidat, prapë nuk ia humb favoret fituese LVV-së.

Ai ka shtuar se si mundet që Albin Kurtit t’i ndalohet kandidatura për deputet, përderisa në zgjedhjet e 6 tetorit, ligji ia lejoi të bëhet edhe kryeministër.

“Edhe pse ligjërisht LVV-në e kanë sulmuar keq me mos prezencën e Albinit si kandidat , por megjithatë nuk ia humb favoret fituese LVV-së. Nuk jemi kundër ligjeve, por kundër principeve ligjore, si mundet Albin Kurtit t'i ndalohet kandidatura për deputet gjatë këtyre zgjedhjeve, kurse gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, po, jo vetëm kaq, ligji ia lejoi të bëhet dhe kryeministër”, tha ai.

Më tej ka shtuar se, përderisa Kurtit më parë i është lejuar të bëhet si deputet ashtu edhe kryeministër, e në këto zgjedhje jo, atëherë shihet qartë se gjyqet e Kosovës veprojnë njëanshëm.

Ai thotë se nga këto shihet se kundër Hotit janë të gjitha institucionet gjyqësore, qeveritare e partiake, por kot e kanë sepse qytetarët do të vendosin se cila parti të fitojë, e që në këtë rast favorite për të fituar është LVV-ja.

“Këtu shihet qartë se gjyqet e Kosovës veprojnë me dy arshinë, më parë i është lejuar Albin Kurtit jo vetëm të bëhet deputet, por edhe kryeministër, e tani gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit nuk i lejohet as deputet, e as kryeministër. Këtu shihet e vërehet hapur se të gjitha institucionet gjyqësore, qeveritare e partiake janë kundër Albin Kurtit e LVV-së, po kot e kanë, qytetarët e Kosovës do vendosin se cila parti do fitojë, e në këtë rast favorite e denjë për të fituar është LVV-ja edhe pa Albin Kurtin si deputet”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat