PDK-ja edhe me aderime të reja, larg vendit të parë!

Politika

PDK-ja edhe me aderime të reja, larg vendit të parë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 janar 2021 Në ora: 20:18
Enver Hoxhaj, PDK

Partitë politike kanë publikuar listat e tyre për deputetë të cilët do të garojnë në zgjedhje më 14 shkurt.

Secila parti ka sjellë figura të reja në lista.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, ka pasuruar listën e saj.

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj është zotuar se në listë për deputetë do të përfshijë në dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës, duke mos harruar edhe përfshirjen në listën e saj për deputetë edhe 3 personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora.

Analistët kanë komentuar mbi listën e PDK-së, duke vlerësuar prurjet e reja por edhe duke kritikuar disa nga kandidatët.

Qarri: Lista e PDK-së ka përfaqësues që nuk meritojnë të marrin asnjë votë nga elektorati i Kosovës

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se, PDK-ja si parti shtetshkatërruese që nga ardhja në pushtet më tepër se një dekade, në vijimësi ka dëshmuar se udhëheqësit e saj, specialitet të vetëm kanë vjedhjen masive të parave dhe të mirave tjera materiale si dhe shitjen e tokave të Kosovës.

“Siç është në dijeni tanimë gjithë opinioni publik i Kosovës, mjerisht që nga ardhja aksidentale e PDK-së në pushtet, ajo tradicionalisht dhe gjithmonë ka qenë prijatare e pazareve më degjeneruese për shitjen e tokave të Kosovës, hajninë, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Për aq më tepër udhëheqësi i saj “famoz” i cili ka dëshirë ta quajnë edhe "legjendar", kuislingu Hashim Thaçi, sikur të mos ishte arrestuar nga Specialja, deri më tani, jo vetëm do ta kishte ndarë e copëtuar, por edhe shitur mbi gjysmën e Kosovës, siç pati filluar të bëjë marrëveshje të fshehta, prapa shpinës së opinionit, me presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Ndaj kur sheh sot se si një parti e tillë shtetshkatërruese, si PDK e cila që nga ardhja në pushtet para më tepër se një dekade, në vijimësi ka dëshmuar se udhëheqësit e saj, specialitet të vetëm kanë vjedhjen masive të parave dhe të mirave tjera materiale si dhe shitjen e tokave të Kosovës, vetëm pse tani Thaçi & CO gjenden të mbyllur në Hagë, menjëherë të fillojë, ta quaj veten parti e "rimëkëmbjes", përderisa shtetit të Kosovës ende i qëndrojnë kërcënueshëm mbi kokë marrëveshjet e fshehta të kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen dhe copëtimin e saj, vërtetë është fyerje e rëndë dhe e pa tolerueshme për gjithë popullin e këtij vendi”, thotë Qarri.

Sipas tij, edhe slogani i PDK-së, “Rimëkëmbje për Kosovën” jo vetëm poshtëron kujtesën e shqiptarëve por edhe nënçmon shumë inteligjencën e votuesve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Kjo parullë hipokrite e "bodigardëve" të Klanit PRONTO, jo vetëm se poshtëron kujtesën e shqiptarëve por edhe nënçmon shumë inteligjencën e votuesve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Parti e cila, nën udhëheqjen e Klanit -PRONTO të njohur për të keq në gjithë vendin, përveç uzurpimit të tokave dhe pasurive më të vlershme, të luajtshme e të paluajtshme të Kosovës, ka uzurpuar edhe deri nga 7 vendpunime për një "supermen" të vetin, si Hajredin Kuqi etj,i cili nuk është i vetmi, përderisa shumica e popullsisë në Kosovë, jetojnë në kushtet më të varfra e mizerable në gjithë rajonin”, shprehet Qarri.

Sipas tij, në listën e PDK-së, ka përfaqësues që nuk meritojnë më, të marrin asnjë votë nga elektorati i Kosovës.

“Parti me përfaqësues dhe udhëheqës të tillë të degraduar, nuk meritojnë më, të marrin asnjë votë nga elektorati i Kosovës. Madje po kjo PDK, jo vetëm se nuk e ka fare për turp ta quaj veten edhe parti të "rimëkëmbjes", nëse vërtetë nuk është menduar me këtë parullë kamufluese, për rimëkëmbjen e hajnisë, korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe shitjes së mëtejme të tokave të Kosovës, që tash e mbi një dekadë, janë specialitetet e njohura të PDK-së, por deklaron se “lista me kandidatët e saj të inkriminuar për deputetë, është përfaqësimi më i mirë qytetar në zgjedhjet e reja”!? PDK mundohet të na bindë se kinse aty paska edhe ndonjë simpatizant të Klanit-PRONTO nga Presheva, apo figura të “çmuara” nga diaspora, njerëz që ne i njohim mirë dhe jemi mësuar ti shohim në media, se si shumicën e kohës i mbajnë këmbët mbi tavolinat e zyrave të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës, të cilët nuk i bëjnë nderë askujt”, shprehet më tej Qarri.

Ai bën thirrje publike Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit Qendror Zgjedhor, që të mos i aprovojë emrat me precedencë penale, pa marrë parasysh partinë.

“Për të arritur kulmin sarkazma ironike e kandidatëve të PDK-së, në listën e saj të "përzgjedhur" me shumë "kujdes", ajo ka futur edhe Hajdar Beçën i përfolur për përfshirje në kushtëzime me aksione korruptive, jo vetëm në firmën Pastrimi të Gjakovës të transmetuar edhe në emisionin "Drejtësia në Kosovë", Xhavit Halitin i akuzuar për marrjen e 8 milion markave dhe keqpërdorimin e parave të fondit "Vendlindja Thërret", Evgjeni Thaçi propaganduese perfide dhe mbrojtëse primitive e paligjësive të kuislingut të akuzuar për krime lufte Hashim Thaçit, Bajrush Xhemajli i dënuar me 2.6 vjet burg efektiv për mbytjen e një të riu dhe plagosjen e disa tjerëve me makinë, Mërgim Lushtaku gjysmë analfabet tipik dhe djali i Sami Lushtakut i cili blenë nga 50 euro dhe shet nga 5000 euro arin e tokave më të çmueshme të Kosovës etj.”.

Pra kjo është PDK e cila kandidimin për deputet me njerëz të tillë, jo vetëm që e quan ndryshim pozitiv por çuditërisht deklaron se pikërisht këta, do të jenë "zëri më përfaqësues" i qytetarëve të varfër të Kosovës në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit.

“Ndaj secili njeri i ndershëm dhe që ia do të mirën këtij vendi, duhet ti bëj thirrje publike Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit Qendror Zgjedhor, që të mos i aprovojë emrat e lartcekur dhe cilindo person tjetër me precedencë penale, pa marrë parasysh partinë, si dhe të ftojë votuesit dhe të gjithë qytetarët e vendit, që të mos votojnë më njerëz të tillë, me të cilët edhe mbi 21 vite pas lufte, kanë fytyrë të vazhdojnë të krenohen partitë e tejinkriminuara si PDK dhe të tjerat”, përfundon Qarri.

Mehazi: Lista e PDK-së, nga një parti komandantësh, po transformohet në parti intelektualësh

Image
Sulejman Mehazi

Përkundër Qarrit, profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”, ka thënë se, PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur listë më të mirë, duke shtuar se po çlirohet nga ngujimi i robërimit politik të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Asnjëherë PDK-ja nuk ka pasur listë më të mirë të kandidatëve sesa gjatë këtyre zgjedhje të 14 shkurtit, duket se PDK-ja është çliruar nga ngujimi i robërimit politik të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Sipas listës së deputetëve shihet se Enver Hoxhaj, PDK-në e ka mbushur me energji intelektualësh të ndershëm e të pakorruptuar e duke larguar komandantët politikë të korruptuar e të harxhuar para qytetarëve. Nga një parti komandantësh, po transformohet në parti intelektualësh e të ditur”, është shprehur Mehazi.

Ai ka komentuar edhe sloganin duke thënë se, “Rimëkëmbje për Kosovën” e ka kuptimin edhe të “Rimëkëmbjes së PDK-së”.

“Motoja apo sintagma e kampanjës zgjedhore të PDK-së: "Rimëkëmbje për Kosovën" e ka kuptimin edhe të "Rimëkëmbjes së PDK-së" me personalitetesh të njohur politikanësh të pavarur, shkrimtarësh, gjuhëtarësh, ekonomistësh e të profileve të ndryshme. Gjatë cikleve njëzetvjeçare të kaluara lista e kandidatëve për deputet e kësaj partie ishte e mbushur me komandantë të pushkës pa farë pëvoje politike, këtë herë lista e deputetêve e PDK-ja është mbushur me rimëkëmbje diturake të personaliteteve të njohur: të analistit politik Faton Abdullahut, Ardian Kastratit- profesor i shkencave politike, Rashit Qalajn-ish-drejtorin e policisë, Arben Fetoshi-profesor i gazetarisë, Arben Dautajt-profesor i gjuhës frënge dhe përfaqësues në Dhomën e Tregtisë, në Komitetin e Menaxhimit dhe Bordit të Drejtorëve në Neë York”, ka thënë Mehazi.

Ai në fund thekson se, me Enver Hoxhajn në erë e freskët po frynë në PDK.

“Kurrë deri më tani PDK-ja nuk ka pasur në listat zgjedhore kandidatë deputetësh të bagazheve të këtilla intelektualësh, analistësh, politikanësh e ekonomistësh të njohur e të moralshëm sikurse tani. Një erë e freskët po frynë në PDK-në e Enver Hoxhajt”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi: PDK garon për vendin e dytë sepse i pari është punë e kryer

Kurse analisti politik Islam Krasniqi për “Bota sot” ka thënë edhe pse PDK ka prurje të reja në listën e saj, nuk është koha për të, sepse populli po kërkon ndryshim.

“Lista e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së ka shumë prurje të reja po që nuk është koha e tyre, pasi që dy liderët kryesore gjenden në Hagë pa harruar të cekim së nuk është koha për PDK-në, pasi që tani populli po kërkojnë ndryshimin të cilin për më shumë së 20 vite këto parti interesin shtetëror e shkelen me këmbë për interesat e tyre personale”, shprehet Krasniqi.

Krasniqi më tej thotë se, PDK garon për vendin e dytë sepse i pari është punë e kryer dhe e padiskutueshëm.

“Pavarësisht prurjeve te reja tani PDK-ja garon për vendin e dytë pasi që vendi i parë është punë e kryer dhe e padiskutueshëm dhe së populli është lodhur nga premtimet e kota të cilat për 20 vite radhazi vetëm premtuan”, përfundon Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat