A do t’i rriten votat LVV-së pas mohimit të Kurtit si kandidat për deputet?

Politika

A do t’i rriten votat LVV-së pas mohimit të Kurtit si kandidat për deputet?

Nga: A.Z Më: 21 janar 2021 Në ora: 12:02
Albin Kurti

47 kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin, nuk do të kenë mundësi të garojnë në këto zgjedhje. E në mesin e atyre që nuk do të mund të kandidojnë, është edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.

Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kemi pasur njerëz të cilët edhe më parë janë përballur me gjykata por pas procesit gjyqësor sërish janë kthyer në poste. Ai thotë se përjashtimi i 47 deputetëve është bërë me qëllim që t’i pamundësohet Kurtit gara për deputet në zgjedhje.

Sipas Mulliqit ky vendim është më shumë i natyrës politike, sepse ata që rezistonin në Kuvend duke kundërshtuar edhe disa nga marrëveshjet e dëmshme politike me Serbinë, ishin rezistime të qëlluara në mbrojtje të kauzës shtetërore të Kosovës.

“Përjashtimi nga gara të 47 kandidatëve për deputet të partive politike, po ndodhë për herë të parë. Kemi pasur njerëz të cilët edhe më parë janë përballur me gjykata për shkak të veprave të ndryshme penale dhe për korrupsion në poste të larta pushtetare, të cilët pas procesit gjyqësor sërish janë kthyer në poste. E kësaj radhe u përjashtuan praktikat e më hershme me qëllime të caktuar politikë, që t’i pamundësohet Albin Kurtit gara për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ky vendim më duket se është vendim më shumë i natyrës politike. Pse politike? Politike sepse ata që rezistonin në kuvend duke kundërshtuar disa nga marrëveshjet e dëmshme politike me Serinë, siç është Demarkacioni dhe "Zajednica" me kompetenca vendimmarrëse, ishin rezistime të qëlluara në mbrojtje të kauzës kombëtare dhe shtetërore të Kosovës”, tha ai.

Më tej ka shtuar se vendimi i gjykatës i dëmton proceset demokratike, dhe që shihet se dikush ashiqare është i interesuar që me çdo kusht të pengohet Kurti për të marrë pushtetin me zgjedhje, mirëpo kjo padrejtësi do t’ia rris namin personalisht Kurtit dhe do t’ia rrisë edhe më shumë votat e LVV-së.

“Dhe, natyrisht se vendimi i atëhershëm për t’i dënuar këta persona nga gjykata ishte vendim më shumë politike. Dhe , kjo tash është dashakeqësi, dhe i dëmton proceset demokratike. Po shihet ashiqare se dikush jetikisht, është i interesuar që me çdo kusht Kurti të pengohet me marr pushtetin me zgjedhje. Janë metoda linçuese politike, kundër vullnetit që po shprehë sovrani për ndryshime pozitive. Ky vendim i ri është paralelizëm ndërmjet atyre që në fakt nuk kanë kryer vepër penale me ata që moti qëndrojnë në binarë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është padrejtësi, por që do t’ia rris namin personalisht Kurtit dhe do t’ia rris edhe më shumë votat LVV-së”, tha ai.

Tutje ka shtuar se edhe populli është përcaktuar se kujt do t’ia jep besimin, e që këtë besim do ta kenë forcat përparimtare dhe kreative politike.

“Populli tashmë është përcaktuar se kujt t’ia jep besimin, e këtë besim do ta kenë forcat përparimtare dhe kreative politike. Mjaftë më është bërë me gjendjen e keqe politike, ekonomike e institucionale. Do të kalohet edhe kjo sfidë e radhës në dobi të qytetarëve dhe në dobi të vendit i cili është katandisur keq në izolim dhe pa liberalizim të vizave. Kjo më duket do të jetë ndërskamca e fundit në vargun e shumë ndërskamcave politike, që po ju bëhen forcave reformatore. Ka ardhur koha që sistemet e instaluara jo sa duhet funksionale të qiten nga përdorimi, duke i eliminuar defektet”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat