Eksperti amerikan: Kurti ka ende gjasa që të bëhet kryeministër, VV-ja mund të bëjë koalicion me këtë parti pas zgjedhjeve

Politika

Eksperti amerikan: Kurti ka ende gjasa që të bëhet kryeministër, VV-ja mund të bëjë koalicion me këtë parti pas zgjedhjeve

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 janar 2021 Në ora: 16:20
David L. Phillips

David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe nëse nuk do t’i lejohet kandidimi për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, do të bëjë politikën në Kosovë për shumë vite të ardhshme.

Sipas ekspertit amerikan, Kurtit mund t’i hiqen së shpejti kufizimet dhe ai do të mund të bëhet kryeministër, nëse shumica e ligjvënësve e duan atë në këtë rol.

“Nëse z. Kurti nuk lejohet të kandidojë, ai do të formojë politikën e Kosovës në një mënyrë kuptimplotë përgjatë shumë viteve të ardhshme. Kufizimet afatshkurtra mbi pjesëmarrjen e z. Kurti në qeveri përfundimisht do të hiqen – ndoshta së shpejti - dhe ai do të marrë zyrtarisht përgjegjësi. Z. Kurti mund të bëhet ende kryeministër nëse shumica e ligjvënësve e duan atë në këtë rol”, ka thënë për “Bota sot” David L. Phillips.

Ai ka thënë më tej se nëse Vetëvendosje nuk arrin shumicën në zgjedhje, mund të bëjë koalicion me AAK-në, por një gjë e tillë mund ta prish marrëveshjen e VV-së me Vjosa Osmanin.

“Pluralizmi politik është thelbësor për demokracinë. Ka personalitete të tjera të forta, të tilla si Ramush Haradinaj, të cilët janë të rëndësishëm për debatin politik dhe ndërtimin e konsensusit. Nëse VV nuk ka vota të mjaftueshme, VV-ja mund të hyjë në koalicion me AAK-në që do të prishte koalicionin midis VV-së dhe zonjës Osmani”, është shprehur Phillips.

Eksperti amerikan e quan të drejtë vendimin për ndalimin e personave që janë të dënuar ose nën hetime, për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në politikë.

Sipas tij, zyrtarët e PDK-së duhet të pastrojnë emrat e tyre, duke demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit para votuesve në Kosovë.

“Kriminelët dhe ata që janë nën hetim janë mënjanuar me të drejtë nga pjesëmarrja e drejtpërdrejt në politikën e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të ndikojnë në ngjarje ose të veprojnë përmes përfaqësuesve. Personalitetet e PDK-së mund të rishikohen në të ardhmen duke pastruar emrat e tyre dhe duke demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit para votuesve në Kosovë”, ka thënë Phillips për “Bota sot”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat