Bashkimi Kosovë-Shqipëri dhe deklaratat populliste të Ramush Haradinajt

Politika

Bashkimi Kosovë-Shqipëri dhe deklaratat populliste të Ramush Haradinajt

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 janar 2021 Në ora: 13:12
Ramush Haradinaj

Fushata zgjedhore, duket se e ka vënë sërish në qendër të vëmendjes çështjen e bashkimit me Shqipërinë. Pas Vetëvendosjes që çështjen kombëtare e ka në thelbin e saj, tani edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po i bashkëngjitet kësaj filozofie, shkruan "Bota sot".

Kreu i AAK-së dhe kandidati për president, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka deklaruar se nëse pas 4-5 vitesh Kosova nuk është në NATO, nuk janë liberalizuar vizat, nuk është njohur nga 5 vendet e BE dhe nuk është anëtarësuar në OKB, do të kërkoj referendum për bashkim me Shqipërinë.

Kjo deklaratë e Haradinajt për bashkimin kombëtar, ka nxitur edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb ka theksuar se deklarata e Haradinaj duhet shqyrtuar në mënyrë serioze, pasi sipas tij, ai është politikan serioz, i fuqishëm edhe i rrezikshëm. Ai madhe u shpreh se deklarata për krijimin e Shqipërisë së Madhe është kërcënim për Serbinë dhe për të gjithë Evropën.

“Nëse ai zgjidhet në ndonjë funksion dhe nëse bashkëpunon me Kurtin është e qartë se ata të dy angazhohen për bashkim. Ne këtë e pranojmë si fakt politik, në çka do të guxojmë të reagojmë. Krijimi i “Shqipërisë së Madhe” është kërcënim për Serbinë dhe BE-në”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu ka kundërpërgjigjur menjëherë Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha: “Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!”.

Haradinaj edhe ironizoi me presidenti serb duke i thënë të mos ketë frikë dhe të mos bëhet nervoz, pasi Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Kurse, njohësit e çështjeve politike deklaratën e Haradinajt për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e kanë cilësuar si populliste nga ana e kreut të AAK-së, me qëllim të përfitimeve elektorale në kohë të zgjedhjeve.

Voca: Deklarata për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë popullsite, jo realiste

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për gazetën “Bota sot” është shprehur që deklarata e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj ishte shumë e panevojshme dhe jo e favorshme për shtetin e Kosovës.

Voca tha se deklaratat e tilla i përshtaten vetëm Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe vendit të tij.

Image
Mirsad Voca

“Deklarata e R. Haradinaj është e panevojshme, jo e maturë dhe pafavorshme nëse kemi intencë konsolidimin e integritetit dhe shtetit të Kosovës. Natyrisht që deklarata të tilla i përshtaten më së shumti shtetit serb e në këtë rast A. Vuçiq si udhëheqës i një shteti i cili mezi pret që të flitet për një ide të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në veçanti nga një përfaqësues politik shqiptar, për të ri vënë në diskutim idenë e aventurave territoriale me Kosovën”, deklaroi ai.

Madje, ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e sheh si populliste. Ai kërkoi nga dy vendet që së pari të konsolidohen si shtete të pavarura ekonomikisht e politikisht dhe pastaj të synojnë të bashkohen në një shtet të vetëm

“Pastaj, një ide e tillë gjithnjë na shfaqet më së shumti si populliste dhe assesi realiste. Kundrejt kësaj ideje, nga një këndvështrim i thjeshtë, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë të konsolidohen si dy shtete të pavarura ekonomikisht dhe politikisht, të përforcojnë shtetin e së drejtës dhe të nxisin bashkëpunim të ngushtë dhe të përhershëm sepse vetëm në këtë mënyrë do të rriteshin gjasat për të aspiruar në integrime euroatlantike”, theksoi Voca.

Në fund, Voca këshilloi udhëheqësit e Kosovës të kenë qëndrime të përbashkëta në këtë çështje. Pasi, ai tha se Kosova duhet të ketë një konsistencë politike në mënyrë që të mos futet në aventura të rrezikshme me përmasa rajonale.

“Do të këshilloja përfaqësuesit politik kosovarë që të bashkërendisin qëndrimet në këtë çështje, sepse tani Kosova gjendet në një periudhë gjatë së cilës do të duhet maturi dhe konsistencë politike lidhur me integritetin territorial. Nga kjo pikëpamje, pa asnjë nevojë për t’u futur në aventura të rrezikshme me përmasa rajonale si dhe vetëm me një qëndrim të përbashkët politik dhe mbështetur nga shtetet mike të përhershme, Serbia do të bindet se do të jetë edhe në favor të saj që të njoh Kosovën shtet të pavarur”, përfundoi Voca.

Qarri: Vuçiq ende vuan nga halucinacionet e kohës së okupimit të Kosovës

Kurse, analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” tha se deklaratat e Haradinajt për bashkim kombëtar, mund të sjellin kërcënime të hapura për luftë, nga Presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

Image
Gani Qarri

“Deklaratave të Ramush Haradinajt se nëse Evropa vazhdon ta injorojë Kosovën si shtet dhe kërkesat e qytetarëve të saj, në vitin 2025 mund të organizohet referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nuk u përgjigjet hiq më pak se sa me kërcënim të hapur për luftë”, deklaroi Qarri.

Por, Qarri tha se në Kosovë deklaratat e Haradinajt cilësohen si më shumë ide të kota të subjekteve dhe politikanëve të dështuar.

“Madje megjithëse në Kosovë, deklarata e Haradinajt, më tepër shihet si arnim i ideve të shteruara të partive dhe politikanëve të dështuar, si dhe pjesë e fushatës parazgjedhore, për opinion të brendshëm, presidentit serb sqaron edhe mënyrën se si, sipas tij, do të ishte i mundshëm, bashkimi i dy shteteve shqiptare, duke kërcënuar se ka edhe përgjigje adekuate kundër vullnetit të shqiptarëve”, u shpreh ai.

Në vazhdim, analisti tha se edhe pse Vuçiq e cilëson Haradinajn si një person të rrezikshëm, ai e di se kreu i AAK-së nuk mund ta bëj i vetëm bashkimin kombëtar.

“Përkundër faktit se Vuçiq, Ramush Haradinajn e konsideron person të rrezikshëm, ai është i bindur se Haradinaj i vetëm nuk mund ta bëjë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kosovën me Shqipërinë sipas Vuçiqit mund ta bashkonte vetëm tandemi; Kurti- Haradinaj, nëse Kurti do të zgjidhej kryeministër ndërsa Haradinaj president”, potencoi Qarri.

Por, Qarri ngriti edhe një çështje tjetër, ku sipas tij, duart e zgjatura të Vuçiqit në Kosovë nuk do ta lejojnë Kurtin të bëhet kryeministër dhe as Haradinajn president. Dhe në këtë mënyrë do të bëhet parandalimi i Kosovës me Shqipërinë.

“Por duket se Vuçiqi edhe sa i takon kësaj çështjeje, përmes duarve të veta të zgjatura deri në gjyqësinë dhe institucionet vendimmarrëse të shtetit tonë të brishtë, ai i ka deleguar me kohë normativat, të cilat nuk do ta lejojnë Kurtin të jetë kryeministër dhe as Haradinaj president, me çka parandalon apriori bashkimin e Kosovës me Shqipërinë edhe nëse vërtetë dikush, ka menduar seriozisht ta jetësonte bashkimin ndërshqiptar”, nënvizoi ai.

Tutje, analisti tha se ish-ministri i qeverisë së okupatorit të Millosheviqit, Vuçiqi po tenton ta ndalojë nismën e Haradinajt për bashkimin kombëtar, përmes frikësimit se shteti serb do të kundërpërgjigjet ndaj kësaj iniciative.

“Vuçiq si bashkëpunëtor dhe ish ministër i qeverisë okupatore të Millosheviqit, nismën e Haradinajt, tenton ta parandalojë duke i frikësuar shqiptarët se kinse Serbia edhe pas çlirimit të Kosovës, paska përgjigje për pengimin e bashkimit të tyre, duke harruar se Shqipëria ka më se 109 vite prej kur është shtet i pavarur, ndërsa Kosova, është çliruar para gati 22 viteve, përfundimisht nga thundra okupatore dhe kriminele e Serbisë shoviniste”, u shpreh Qarri.

Ai tha se Vuçiqi ende vuan nga halucinacionet e kohës së okupimit të Kosovës dhe se me gjithë arrestimin e Thaçit nga Specialja, ende mendon se mund të vendosë "Veton serbe", mbi vullnetin e shqiptarëve të Kosovës.

“Për aq më tepër, presidenti kriminel serb, duket se ende vuan nga halucinacionet e kohës së okupimit të Kosovës, kur ajo mbahej me dhunë e pushtuar nga Serbia dhe pas lëshimeve të pa tolerueshme që kuislingu Hashim Thaçi i bëri Serbisë, për bashkëvendosjen e saj në çështjet e brendshme të vendit tonë, ai me gjithë arrestimin e Thaçit nga Specialja, ende mendon se mund të vendosë "Veton serbe", mbi vullnetin e shqiptarëve dhe vendimet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, deklaroi ai

Deklaratat kërcënuese të presidentit serb, sipas Qarrit shpejgojnë hapur se Serbia nuk ka interes në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi ende e shohin luftën si mjet për të zgjedhur mosmarrëveshjet me shqiptarët.

“Kjo shpjegon qartë, se Vuçiqi dhe Serbia as që kanë për qëllim fqinjësinë e mirë me shqiptarët, paqen rajonale as shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve, por ende e shohin luftën si mjet të vetëm për zgjidhjen mosmarrëveshjeve me shqiptarët, duke tentuar që edhe në dekadën e tretë të shekullit XXI, ti ndalojë ata nga e drejta e tyre legjitime për bashkim, si popull autokton, në territoret e veta”, potencoi ai.

Në fund, Qarri tha se deklaratat e Vuçiqit janë kërcënime të hapura për luftë të re në Kosovë, gjë që e tensionon edhe më shumë marrëdhënien Kosovë-Serbi.

“Dhe sado që lojërat e Vuçiqit me qeveritë dhe udhëheqësit shtetëror të Kosovës, nuk janë të reja as të panjohura për shqiptarët, deklaratat më të reja luftënxitëse të presidentit të inkriminuar serb i cili ishte edhe vet pjesë e qeverisë okupatore serbe, gjatë luftës në Kosovë, janë kërcënime të hapura për luftë, të cilat shkaktojnë tensione të reja ndërmjet dy shteteve, si vende fqinje, të sapo dalura nga lufta, konflikti i ngrirë mes të cilave vijon, jo për fajin e Kosovës por për shkak të pretendimeve shoviniste të Serbisë, ndaj territoreve të Kosovës”, përfundoi Qarri.

Ahmeti: Haradinaj po tenton të manipuloj opinion publik dhe të fitojë poena politik

Ndrësa, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar deklarata e kandidatit për president nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj në lidhje me referendumin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ahmeti u shpreh se Haradinaj me një deklaratë të tillë po tenton të manipuloj opinionin publik, të fitojë poena politik dhe të marrë vëmendje mediatike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Një pjesë e partive politike dhe zyrtarëve politik, e në këtë rast edhe zoti Haradinaj, popullzimin e kanë armë të fortë për të manipuluar me opinionin publik. Në njërën anë për ta përqendruar opinionin publik dhe mediat rreth tij dhe në anën tjetër, përmes kësaj politike të zbrazët populiste potencialisht të merr poena politik. Por, mendoj se shkalla e vetëdijes qytetare është një mundësi e mirë që t’i demaskoj politikat populiste duke i ndëshkuar me anë të votës dhe formave tjera të qytetarisë aktive”, theksoi Ahmeti.

Analisti tha se të gjitha qeveritë e Kosovës, që nga paslufta nuk kanë implementuar politika për bashkëpunim me Shqipërinë dhe ato pak marrëveshje që janë arritur nuk janë zbatuar në tërësi.

“Qeveritë e pasluftës në Kosovë nuk kanë implementuar politika afatgjate në bashkëpunimin e shtetin shqiptar, edhe ato pak takime që kanë prodhuar disa marrëveshje e që pjesa me e madhe tyre nuk janë zbatuar. Nuk është koha për retorike politike, por, për veprime konkrete e përmbajtësore. Qeveritë në Kosovës, por edhe në Shqipëri nuk kanë pas vullnetin dhe guximin për të impelementuar politika unifikuese të cilat me një të ardhme mund të qojnë të bashkimi kombëtar”, nënvizoi Ahmeti.

Në fund, Ahmeti u shpreh pesimist në çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, shkaku i pengesave ligjore dhe kushtetuese. Prandaj, ai përmendi mënyrën se si mund të bëhet unifikimi i Kosovës dhe Shqipërisë.

“Realisht dhe praktikisht në realitetin faktik e juridik, bashkimi kombëtar nuk mund të ndodh, pasi dihen pengesat kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, por e vetmja mundësi për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë është unifikimi i politikave ekonomike, arsimore, shëndetësore etj”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat