“Nuk mund të largohet partia nga gara”, juristi shpjegon arsyet, thotë se KQZ duhet të ketë kujdes

Politika

“Nuk mund të largohet partia nga gara”, juristi shpjegon arsyet, thotë se KQZ duhet të ketë kujdes

Nga: G.B Më: 23 janar 2021 Në ora: 15:30
KQZ

Lista zgjedhore e Vetëvendosjes, AAK-së dhe ajo e Nismës nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kjo pas votimit që është bërë, pasi Zyra për Certifikim i certifikoi ato lista.

Reagime të shumta ka pasur për këtë, derisa partitë kanë thënë se do të ndjekin rrugët ligjore për këtë.

Lidhur me këtë, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se KQZ ka marrë vendim me qëllim që të pastrojë listat nga kandidatët që mendon se nuk duhet të futen në garë.

"KQZ është organi kryesor në certifikimin e listave zgjedhore. Ajo ka marrë këtë vendim me qëllim që listat e partive të tilla të pastrohen nga kandidatët që KQZ mendon se nuk mund të futen në listë", është shprehur ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Juridikisht, sipas profesori, nuk mund të mohohet tërësisht lista, përpos nëse kemi subjekte kriminale, derisa thotë se listat e këtyre partive duhet të certifikohen kur të largohen kandidatët që nuk janë lejuar të kandidojnë.

"Juridikisht nuk mund të mohohet tërësisht lista. Ajo, përveç kur kemi subjekte kriminale, nuk është e lejueshme dhe nuk ka bazë juridike. Listat e VV, AAK, Nismës, ndoshta edhe të ndonjë partie tjetër, kërkohet të certifikohen pas nxjerrjes nga lista të kandidatëve që KQZ ka prova për mos certifikim", ka theksuar ai.

Kelmendi tutje thotë se KQZ duhet të ketë kujdes në zbatimin e normave dhe se duhet të ketë bazë Kushtetutën e Kosovën.

"KQZ duhet të ketë kujdes në zbatimin e normave. Bazë e saj duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Aty theksohet në mënyrë taksative dënimi i plotfuqishëm me një a më shumë vjet burgim, për mos certifikim. Para kësaj norme, çdo normë ligjore bie dhe nuk aplikohet", ka vlerësuar profesori.

Sa i përket Listës serbe, lista e të cilës është certifikuar, ai thotë se mund të ketë deputetë që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës dhe duhet të merren masa edhe për këtë por jo largimi nga zgjedhjet i partisë.

"Unë nuk e njoh Listën Serbe. Nuk e di se çfarë kandidatëve ka. Por mendja ma thotë se ka kandidatë që nuk e pranojnë shtetësinë e Kosovës. Edhe këtu duhet intervenuar. Intervenimet nuk do të thotë largimi i partisë nga zgjedhjet. Përkundrazi. Nga lista hiqen kandidatët që KQZ mendon se nuk e kanë vendin dhe pjesë tjetër e listës certifikohet për zgjedhje. Ka mundësi që partisë t'i jepet afat shtesë për hartimin e listës. Të shohim se cilat rrugë do te merren nga ana e KQZ-së", ka deklaruar Muhamet Kelmendi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat