“Aderimet në partitë politike, në prag të zgjedhjeve, janë artificiale e profitabile”

Politika

“Aderimet në partitë politike, në prag të zgjedhjeve, janë artificiale e profitabile”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 janar 2021 Në ora: 08:06
Foto ilustrim “Bota sot”

Partitë politike tashmë kanë publikuar listat zgjedhore me kandidatët për deputetë.

Mirëpo, KQZ-ja gjatë ditës së premte nuk ka certifikuar listat e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës.

Mirëpo në këto lista janë prezantuar disa nga deputetët aktualë e njerëz të rinja nga fusha të ndryshme.

Disa nga këta kandidatë janë kritikuar, pasi disa nga ta edhe kanë probleme me ligjin e disa të tjerë nuk ka të bëjnë fare me politikën.

Listat partive politike i kanë vlerësuar analistët politikë.

Zogaj kritikon ashpër aderuesit e partive politike

Kështu, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se aderimet e reja në partitë politike janë normalitet i jetës se qytetarëve të cilët duan që të japin kontributin e tyre në kuadër të subjekteve politike, të cilat i konsiderojnë të vlershme dhe të afërta me pikëpamjet dhe bindjet e tij personale politike.

Image
Skënder Zogaj

“Pra, e drejta për të aderua në një parti është e pacenueshme! Mirëpo, kjo e drejtë i ka edhe përgjegjësitë e veta etike dhe morale, që ka të bëjë me qëllim e të qenit anëtar i një partie politike, që në rrethanat aktuale kosovare, lë shumë për t'u dëshiruar, sepse jemi dëshmitarë të interesave përfituese, që realizohen nga të qenit anëtar i një partie politike”, vlerëson Zogaj.

Ndërkaq, sipas tij, aderimet për qëllime përfituese janë pamoralësi, dhe duhet ta theksojmë fuqishëm se kjo dukuri ndër ne është mjaft e përhapur.

“Jemi dëshmitarë të këtyre bredhacakëve që si kurtizanat, nata i zë në një parti, e mëngjesi i çel në partinë tjetër! Dhe për çudi mundi u shpaguhet mirë, sepse shumë nga të këtillët kanë realizuar përfitime të majme! Kur të këtillët janë të moshuar ua lëmë fajin lakmisë senile, por, e dhimbshme është kur kështu veprojnë edhe shumë të rinj, të cilët ia dëmtojnë perspektivën vetes”, thekson analisti Zogaj.

“Aderimet në partitë politike, në prag të zgjedhjeve, janë artificiale”

Ndërsa analisti politik që jeton dhe vepron në Gjermani, Idriz Zeqiraj aderimet në prag zgjedhjesh i quan artificial dhe profitabile.

Image
Idriz Zeqiraj

“Aderimet në partitë politike, në prag të zgjedhjeve, janë artificiale e profitabile. Pavarësisht përpjekjes për të përzgjedhur njerëz nga jeta publike dhe akademike, në të shumtën e rasteve, kanë qenë humbës, dështakë të radhës. Për më tepër, nuk janë të mirëseardhur, kur joshën për të qenë pjesë e listës për deputetë, madje, në dhjetëshet e para, sepse zënë vendin e veprimtarëve partiakë ndër vite e dekada”, thotë Zeqiraj.

Ai thekson më tutje se nga njerëzit publikë, që pretendojnë të jenë personalitete, të cilët aderojnë në partitë, të damkosura nga krimi dhe hajnia zyrtare, bëhen vetvetiu pjesë e krimit.

“Kështu zvetënohet, deri në hiçësi, edhe personaliteti i tyre, duke shtuar edhe dozën e neverisë ndaj tyre nga populli. Partitë e PAN-it prijnë në preferencën për aderime, në prag të fushatave zgjedhore, nxitojnë për të joshur aderues, me shpresën jo të reformimit, por, të sjelljes të elektoratit. Realisht, aderuesit nuk janë shquar për prurje votash. Kjo është dëshmuar në dy palë zgjedhjet e fundit. Rrjedhimisht, edhe listat e deputetëve me aderues, me pretendim për dinjitarë, nuk kanë arritur për të reformuar listat”, vlerëson analisti Zeqiraj.

Ai përmend edhe rastet kur partitë mund të huazojnë parti nga kandidatët tjerë për të ju dhënë mandat deputetëve të rinj.

“Ka raste kur shefat e partisë duan t`i japin mandat deputeti një rishtari të "parashutuar", aderuar. Dhe, huazojnë vota nga kandidatë të tjerë, qofshin edhe shokë të tyre! Citojmë kandidatë të djegur: Xhavit Haliti nga PDK-ja dhe Ali Berisha nga AAK-ja, të cilët kanë akuzuar partitë e tyre, për "marifete", pisllëqe të tilla”, vlerëson ai.

Publicisti Zeqiraj thotë se ndryshe ndodhë tek LDK-ja.

“Ajo nuk njihet shumë për aderime. Bile, edhe intelektualët specialistë i anashkalon, duke mos praktikuar konkurrencën zgjedhore, brenda-partiake. Dhe, kur i liston kandidatë për deputetë, janë të njohur për botën akademike, por, jo edhe për opinionin, elektoratin, të cilët zotërojnë shumësinë e votave. Rasti konkret nga LDK-ja: Profesor Xhavit Rexhaj, një intelektual i kompletuar, një specialist i shkëlqyer në sferën arsimore, nuk arriti të bëhet deputet, sepse militantët e partisë, hiç profesionalë, kishin pushtuar dikasteret drejtuese kudo. Dhe, kjo ndodhë për dy dekada radhazi. Listarët e vjetër nuk lënë hapësirë reformuese, duke u ricikluar në vijimësi, nga njëra legjislaturë në tjetrën, thjeshtë, nga frika e konkurrencës. Kjo metodologji është praktikuar, madje, pa përjashtim, nga i gjithë spektri politik. Prandaj, kjo ngulfatje ka sjellur edhe kolapsin, në reformimin e partive politike në Kosovë”, vlerëson Zeqiraj.

Tutje, ai thotë për “Bota sot” se përqëndrimin e pushtetit tek një grup njerëzish në parti, e kanë favorizuar edhe ndryshimet statutare.

“Prinë e para, për negativitet, LDK-ja, e cila, edhe zyrtarisht, shton kompetencat , madje, tej mbretërore, për kryetarin, në qendër dhe bazë, duke stazhionuar një klan neveritës, vendimmarrës absolut, i cili "vranë dhe kthjellë" në parti. Ndërkohë, me partitë kundërshtare "rrinë si pulat e lagura!", thotë publicisti Idriz Zeqiraj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat