Drejtësi e kapur, veteranë të rrejshëm!

Politika

Drejtësi e kapur, veteranë të rrejshëm!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 janar 2021 Në ora: 19:33
Gjykata vendosi për rastin "veteranët"

Të gjithë të akuzuarit për rastin e njohur në opinion si “Veteranët” janë shpallur të pafajshëm të martën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ata janë liruar nga akuza pasi që, “Gjykata nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”.

Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2018, kishte ngritur aktakuzë, të cilën e kishte dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast, të akuzuar ishin ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, më pas Faik Fazliu, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ish-prokurori i cili kishte hetuar listat e veteranëve të UÇK-së, Elez Blakaj, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pas lirimit nga akuza të 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve.

Elezaj ka shkruar se “ashtu siç pritej edhe ndodhi”, duke thënë se në këtë proces gjyqësor publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale, sipas tij, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin.

Ndërsa, analistët konsiderojnë se vendimi i gjykatës, i cili i shpalli të pafajshëm të akuzuarit në rastin “Veteranët”, ishte i pritshëm për shkak të ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ata madje thonë se çdo vendim tjetër, pos lirimit, do të ishte befasi, kështu që për deklaratën e ish prokurorit Blakaj, shprehen se qëndron plotësisht.

Haziri: Vendim i pritur për shkak të ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë

Image
Nexhat Haziri

Njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke e komentuar vendimin fundit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e quajti si një vendim të pritur, kurse krejt kjo ndodhi sipas tij për shkak të ndikimit të madh të politikës.

“Mendoj se vendimi i gjykatës i cili i shpalli të pafajshëm të akuzuarit në rastin “Veteranët”, ishte i pritshëm për shkak të ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë në Kosovë, dhe jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet e tjera që kanë të bëjnë me krim të organizuar e korrupsion, vepra në të cilat kanë qenë të involvuar edhe politikan të profileve të ndryshme, që nga majat e pushtetit e më poshtë”, shprehet Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Madje, Haziri është shprehur se kjo tregon se në vendi ka nevojë për një reformë të thellë në sistemin drejtësisë.

“Ky rast si dhe shumë të tjerë tregon për kalbjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë i cili për më shumë se dy dekada është i ndikuar politikisht, pjesë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo gjithashtu paraqet nevojën e një reformë të thellë në sistemin drejtësisë në vendin tonë përmes procesin të Vettingut”, ka theksuar ai

Juristi: Kështu nuk shkon, duhet të ndodhë Vettingu

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim të dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sikurse për shumë çështjeve të tjera, edhe ky rast po mbyllet pa përgjegjësinë e askujt.

“Si deri më tash askush nuk është përgjegjës për kurrgjë, kështu kjo duket edhe për ketë rast si qindra raste të tjera të deritashme. Pra, ka probleme të mëdha me rendin e ligji, tash ekziston një interesim i madhe ndërkombëtar që kush do që vjen në qeverisje duhet të kryej procesin e Vettingut, kjo është shumë mirë që persona të shumtë që nuk janë të pavarur në sistemin gjyqësor dhe prokurorial duhet të hiqen nga institucionet ose të merren me politik ose me avokaturë”, ka deklaruar juristi Burjani.

Sipas Burjanit në Kosovë në dikasterin e drejtësisë duhen reforma të thella, ndërsa nënvizon se po vazhdon të ketë mungesë të përgjegjësive për dëmet e shkarkuara.

“Pra, më kështu nuk shkon si deri më tash, askush nuk jep përgjegjësi për miliona para që kanë shkuar për veteranët e pa qenë dhe tash askush nuk përgjigjet për këtë çështje. Pra, ka mungesë totalisht për paratë e humbura dhe kotë dhe demet që i kanë bërë buxhetit shtetëror”, tha ai.

Mehmeti: Vendim skandaloz, drejtësia është e kapur!

Image
Faton Mehmeti

E, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, këtë vendim e ka quajtur si skandaloz.

Ai shprehet se edhe vet të akuzuarit e kanë pranuar se listat kanë qenë të fryra.

“Çdo vendim tjetër, pos lirimit, do të ishte befasi, kështu që deklarata e ish prokurorit Blakaj qëndron plotësisht. Edhe pse është vendim skandaloz, në sensin që edhe vet të akuzuarit e pranonin se listat janë fryra, e kush mund t’i frynte listat përveç atyre që kanë qenë në krye të këtij procesi”, ka thënë analisti Mehmeti.

Krejt në fund, ai potencon se ky vendim i gjykatës, është një dëshmi se drejtësia në vendin tonë është e kapur.

“Pra, vet të akuzuarit e pranojnë se ka pasur manipulime, dhe gjykata i liron si të pafajshëm. Kjo dëshmon se drejtësia është e kapur, nevojitet reformë e thellë për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës. Vendim i pritshëm, por skandaloz, ky i gjykatës”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat