Tomë Gashi flet pas vendimit të PZAP-it: Të gjithë të frikësuar kundër Kurtit, do të jetë kryeministri më i votuar – ky është skenari ndaj tij

Politika

Tomë Gashi flet pas vendimit të PZAP-it: Të gjithë të frikësuar kundër Kurtit, do të jetë kryeministri më i votuar – ky është skenari ndaj tij

Nga: G.B Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:38
Tomë Gashi dhe Albin Kurti

Albin Kurtit dhe katër kandidatëve të VV-së për deputetë u ndalohet garimi në këto zgjedhje.

Këtë e ka vërtetuar edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka thënë se KQZ është dashur të certifikojë kandidatët tjerë që nuk kanë probleme me ligjin.

Pas këtij vendimi, VV ka hedhur akuza ndaj PZAP-it, ku sipas tyre, ajo ka vepruar në një vijë me anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së në këtë institucion.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë se skandaloze ishte ndërhyrja e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, që i sugjeroi PZAP-në se si të vendose, duke e rrezikuar pavarësinë e tij, derisa Daka dhe të premten anoi nga LDK dhe PDK.

"Fillimisht ishte skandaloze ndërhyrja e kryetares së KQZ-së, zonja Daka tek PZAP, duke i sugjeruar se si duhet të vendosin ata. Me këtë ajo e ka rrezikuar shumë pavarësinë e PZAP, si institucion i pavarur që do duhej të ishte. Ne kemi parë edhe të premten kur kryetarja e KQZ-së u shndërrua në aktere politike e jo që e ruajti pavarësinë edhe pse ajo formalisht nuk ka angazhim politik, por dihej se ajo anonte haptas nga LDK dhe PDK", është shprehur ai.

Gashi thotë se tani duhet pritur vendimin e Gjykatës Supreme dhe nga ai shihet se çfarë do të ndodhë përfundimisht me listën e deputetëve të VV-së.

"Sido që të jetë, tani pas vendimit të PZAP, duhet të presim vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe varësisht nga vendimi i Gjykatës Supreme, do të shihet se çfarë do të ndodhë përfundimisht me listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje", ka thënë ai.

Avokati shton se të gjithë janë të frikësuar nga humbja në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe janë bërë bashkë dhe bashkë do të humbin nga VV, pasi ka ardhur koha e VV-së, ka ardhur koha e Albin Kurtit dhe Qeverisë Kurti, e për këtë sipas tij, na duhet referendumi me 14 shkurt, ku populli do ta vendosë të ardhmen dhe jo KQZ e as PZAP.

"Një gjë dihet, këta janë aq të frikësuar nga humbja në zgjedhjet e 14 shkurtit sa që janë bërë bashkë dhe bashkë do të humbin nga VV. Thjeshtë ka ardhur koha e VV-së, ka ardhur koha e Albin Kurtit, ka ardhur koha të kemi Qeverinë Kurti 2 dhe ka ardhur koha që Kosova të normalizohet. Për këtë na duhet referendum për VV-në, për këtë qytetarët duhet t votojnë në referendumin e datës 14 shkurt dhe kështu të ndahemi nga e kaluara e zymtë që asgjë të mirë nuk i solli Kosovës pas 12 qershorit 1999, nga këta politikanë të korruptuar. Të ardhmen e ka në dorë populli dhe qytetarët e Kosovës, jo KQZ e as PZAP", ka vlerësuar Tomë Gashi për "Bota sot".

Ai shton se sa më shumë që forcohet VV dhe sa më që popullariteti i Kurtit rritet, ata do të përdorin kleqka kundër tij, që ta ndalin, por nuk do të munden, pasi kurti do të jenë kryeministri më i votuar në Kosovë.

"Sa më shumë forcohet Vetëvendosje dhe sa më shumë rritet popullariteti i Albin Kurtit, aq më shumë këta përdorin kleqka për ta ndalur, por nuk munden. Albini do të jetë kryeministri më i votuar në Kosovë sepse ai që e voton Vetëvendosjen, e ka votuar me mendje dhe me zemër Albin Kurtin", ka deklaruar Gashi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat