Ëndrra 6 miliardëshe e Avdullah Hotit, analisti i shuan shpresat: E parealizueshme!

Politika

Ëndrra 6 miliardëshe e Avdullah Hotit, analisti i shuan shpresat: E parealizueshme!

Nga: N. H Më: 26 janar 2021 Në ora: 23:21
Krerët e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka prezantuar së fundmi programin qeverisës të kësaj partie.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti ka premtuar zhvillim ekonomik të vendit me investime 6 miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme.

Me këto investime të mëdha, Hoti ka thënë se do ta kthejnë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik.

Image
Faton Mehmeti

“Kemi plan të madh të investimeve deri në 6 miliardë euro për 7 vitet e ardhshme dhe pjesë e këtyre investimeve është edhe plani i BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këto investime të mëdha të mbështetura edhe nga partnerët ndërkombëtarë do ta kthejmë Kosovën në nyje gjeopolitike sa i përket aktivitetit ekonomik sepse do të integrohen të gjitha format e infrastrukturës”, u shpreh Hoti ndër të tjera.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i rrethanave politike në vend.

Faton Mehmeti konsideron se ky premtim i kandidatit për kryeministër nga radhët e LDK-së, mbetet vetëm një premtim shabllon i tij.

“Derisa s’ka ndonjë planë konkret, por të thuhet në shabllon se do të investojmë 6 miliardë euro, duket më tepër premtim paraelektoral. Kur themi premtim elektoral kujtoj shumë premtime që kurrë nuk janë realizuar. Personalisht nuk besoj në këtë premtim të Hotit, premtime të tilla ka pasur edhe ne të kaluarën”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti me tej ka kujtuar edhe premtimin e Hotit, vite më parë, kur ky i fundit premtonte 120 mijë vende të reja të punës.

“Është po ky person që premtonte 120 mijë vende të reja të punës, dhe nuk ndodhi. Ka dhe shumë të tjera, e që kanë ngel veç premtime. Realisht, ky është premtim i pakapshëm, edhe duke pasur parasysh situatën me pandemi”, tha me tej ai.

Krejt në fund, analisti Mehmeti shprehet i bindur se ky premtim është i parealizueshëm në vendin tonë.

“Jam i bindur se edhe vet z. Hoti e di se ky premtim nuk realizohet, thjeshtë është fushatë “ku të gjithë rrejnë”. Programet e partive politike ngjajnë me fontanë dëshirash, e të cilat mbesin veç dëshira, asnjëherë të realizueshme”, tha krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat