Deklarata e Kosnett kundër bashkimit kombëtar, Lepaja tregon qëllimin e idesë së Haradinajt

Politika

Deklarata e Kosnett kundër bashkimit kombëtar, Lepaja tregon qëllimin e idesë së Haradinajt

Nga: G.B Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:58
Philip Kosnett

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur kundër bashkimit me Shqipërinë, pas deklaratës së liderit të AAK-së, njëherësh kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se do të bëjë referendum për bashkim kombëtar.

Ai ka thënë se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për të krijuar Serbinë e Madhe apo Shqipërinë e Madhe, derisa ka shtuar se do t’i vinte inat që njerëzit në Kosovë të hiqnin dorë nga shtetësia e Kosovës kur është pyetur për deklaratat nacionaliste nga politikanët kosovarë për bashkim me Shqipërinë.

“Komenti im për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm. Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të tërhiqja vëmendjen te Kushtetuta, që bën thirrje për shoqëri shumetnike me liri fetare për të gjithë. ShBA-ja është vend shumetnik dhe edhe pas pothuaj 250 viteve, ne ende luftojmë të ndërtojmë shoqëri ku ka barazi para ligjit, mundësi të barabarta për të gjithë, ku grupet etnike dhe racat jetojnë në harmoni. Nuk është lehtë dhe siç e pamë, patëm pengesa, por ende po përpiqemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e kanë quajtur “një union më të përsosur”. Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit”, ka thënë Kosnett.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, publicisti Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e Kosnett është zyrtare dhe e njohur për opinionin tonë, duke shtuar se askush në parim nuk është kundër bashkimit kombëtar, por që për këtë ide ka problematika.

“Deklarata e z. Kosnett është jo vetëm zyrtare por është edhe e njohur për opinionin tonë. Askush në parim nuk është kundër bashkimit kombëtar. Ajo që e bënë problematike këtë ide në Ballkan, është fakti se edhe popuj të tjerë janë të ndarë nga trungu dhe do të dëshironin po ashtu të bashkohen dhe kjo do të prishte kufijtë e disa shteteve të rajonit”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, me këtë motivacion për bashkim kombëtar, Serbia shkaktoi luftëra dhe bëri gjenocid edhe ndaj shqiptarëve dhe tani me të njëjtin motivacion, po i tremb Fuqitë e Mëdha.

“Me këtë motivacion të bashkimit kombëtar, përkatësisht të mbajtjes së gjithë serbëve në një shtet, Serbia i shkaktoi disa luftëra në rajon dhe bëri gjenocid ndaj disa popujve përfshi edhe shqiptarët. Ajo ende po e mban peng Kosovën me këtë motivacion dhe po i tremb fuqitë e mëdha me gogolin e bashkimit të shqiptarëve”, ka vlerësuar ai.

Një ide e tillë e projektit serbo-rus që parashihte lëvizje të kufijve, thotë se nuk u përkrah nga BE, e as nuk do të përkrahet nga administrata Biden.

“Projekti Serbo- rus i cili kohëve të fundit kishte fituar edhe mbështetjen e administratës Trump parashihte lëvizje të kufijve dhe ndarje të shteteve dhe si i tillë nuk u përkrah nga BE e nuk do të përkrahet nga administrata e re në Uashington”, ka theksuar Fadil Lepaja.

Ai shton se Haradinaj më tepër e ka këtë si ofertë për koalicion pas zgjedhor me LVV-në, se sa që e mendon seriozisht.

“Zoti Haradinaj më tepër kam përshtypjen se e bën një ofertë për koalicion pas zgjedhor me LVV-në, se sa që e mendon seriozisht si projekt . Natyrisht ata e duan bashkimin kombëtar si çdo shqiptar por e dinë edhe vet se kjo mund të ndodhë vetëm në procesin e integrimeve kontinentale ose me luftë”, ka deklaruar Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat