“Korrupsioni ka lulëzuar kudo në Kosovë”, profesori tregon si të veprohet që të luftohet ai

Politika

“Korrupsioni ka lulëzuar kudo në Kosovë”, profesori tregon si të veprohet që të luftohet ai

Nga: G.B Më: 28 janar 2021 Në ora: 14:22
Ilustrim

Në Kosovë, korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor, që pengon përparimin demokratik dhe frenon aspiratat e qytetarëve për një jetë më të mirë.

Kështu thuhet në raportin e Transparency International, ku bëhet e ditur se Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh, por që gjendet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.

Kosova është tri vende më poshtë se vitin e kaluar, por vetë organizata u kushton më shumë rëndësi pikëve.

E korrupsioni është dhe një nga kushtet që Kosova të ketë liberalizim të vizave.

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova po vuan nga korrupsioni por që sipas, kusht për liberalizimin e vizave është dialogu me Serbinë, mirëpo që nuk thuhet.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk mendoj se liberalizimi i vizave varet kryesisht nga lufta kundër korrupsionit. Natyrisht se është kusht me rëndësi. Por, kushti kryesor, i pa thënë, është çështja e dialogut me shtetin kriminal serb. Këtu qëndron kushti i mos liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo, pavarësisht kësaj, Kosova po vuan nga korrupsioni dhe dukuritë tjera jo ligjore”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, korrupsion ka thuajse në të gjitha fushat, në pushtet, politikë e ekonomi, ku kjo dukuri negative ka lulëzuar kudo, ndërsa organet e drejtësisë janë në gjendje të rëndë dhe për këtë duhet bërë Vetingu.

“Korrupsion ka në shumë fusha politike dhe ekonomike e të pushtetit. Ka në drejtësi, e administratë, në firmat publike dhe shtetërore, si në KEK, në PTT, në Ibër Lepenc etj. Kudo ka lulëzuar kjo dukuri negative dhe këndej fare pak është bërë. Po vazhdon korrupsioni me intensitet në të gjitha këto organe. Ndërsa, organet kompetente janë vetë në gjendje të rëndë. Këtu e kam fjalën për prokuroritë e Kosovës, gjykatat, agjencitë e deri te Policia dhe mekanizmat tjerë. Gjendja nuk shërohet pa masa. E masë kryesore është VETTING-u. Pa filluar me organet e drejtësisë spastrimi, nuk kemi sukses në këtë fushë. Drejtësia është baza e shtetit ligjor”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat