Raporti i Transparency International, Blakaj tregon arsyet pse BE heziton ta përkrahë integrimin e Kosovës

Politika

Raporti i Transparency International, Blakaj tregon arsyet pse BE heziton ta përkrahë integrimin e Kosovës

Nga: G.B Më: 29 janar 2021 Në ora: 12:36
Ilustrim

Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor në Kosovë, që pengon përparimin demokratik dhe frenon aspiratat e qytetarëve për një jetë më të mirë, sipas Transparency International.

Në këtë raport thuhet se Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh, por që gjendet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.

Kosova është tri vende më poshtë se vitin e kaluar, por vetë organizata u kushton më shumë rëndësi pikëve.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme prej vitesh nga ndërkombëtarët që të luftohet korrupsioni, një gjë e tillë ende nuk po ndodhë.

E luftimi i tij është edhe një nga kriteret për Kosovën, për liberalizimin e vizave.

Image
Sami Blakaj

Lidhur me këtë, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se korrupsioni vazhdon të mbetet një pengesë e pakapërcyeshme për Kosovën dhe se Kosova ka shënuar regres sipas këtij raporti.

“Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të mbetet një pengesë e pakapërcyeshme për Kosovën. Këtë e dëshmoi edhe raporti i Transparency International, sipas secilit Kosova këtë vit jo vetëm që nuk ka shënuar progres, por përkundrazi ka pasur regres, duke u renditur kështu edhe tri vende më poshtë sesa që ishte vitin e kaluar”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, kjo tregon që kemi institucione të brishta të drejtësisë, të politizuara dhe se ka mungesë të vullnetit politik për ta ndryshuar këtë gjendje, e për këtë dhe nuk ka vullnet nga shtetet e BE-së për përkrahjen e liberalizimit të vizave, derisa shton se derisa ka këtë hezitim nga BE, Kosova nuk do të ketë avancim drejt saj.

“Grupimi i Kosovës në mesin vendeve me korrupsion të lartë, është një tregues i qartë që flet për brishtësinë e institucioneve tona të drejtësisë, për politizimin e tyre si dhe për mungesën e vullnetit politik për ta ndryshuar këtë gjendje. Pikërisht mungesa e rezultateve konkrete ka shtuar edhe mungesën e vullnetit të shteteve anëtare për ta përkrahur procesin e liberalizimit. Dhe përderisa kemi këtë pakënaqësi dhe hezitim të BE-së ndaj Kosovës, nuk pritet të ketë as avancim të Kosovës drejt BE-së”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat