“Azil në Beograd nëse fiton UÇK dhe...”, zbardhet zanafilla: Ja pse Fatmir Limaj po e sulmon Enver Hoxhajn

Politika

“Azil në Beograd nëse fiton UÇK dhe...”, zbardhet zanafilla: Ja pse Fatmir Limaj po e sulmon Enver Hoxhajn

Nga: P.R Më: 29 janar 2021 Në ora: 20:16
Fatmir Limaj

Dikur ishin në një parti, por tani Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj janë përplasur ashpër, pak kohë kur po i afrohemi 14 shkurtit, dita kur do të zhvillohen zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Ishte kreu i Nismës Socialdemokrate, Famtmir Limaj, ai cili deklaroi se përderisa ai luftonte, Hoxhaj kishte deklaruar së do të kërkojë azil politik në Beograd.

“A e dini cili është dallimi im me Enverin. Ai kurgjo s’ka ndërtu, krejti i ka marrë të gatshme. Dallimi është se ky senet e mëdha i bënë të vogëla, e unë i nisi të vogla i bëj të mëdha. Enveri është mësu gjithë me i pas të gatshëm. E kemi pa edhe partinë e ka marrë të gatshme, kemi me pa ku e ka qu. Ku është shku i ka zvoglëu. Dallimi është se unë gjithmonë e kam nis duke ndërtu, zhvillu dhe kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një betejë në jetën e vet nuk ka zhvillu, as në jetën politike, ai nuk e dinë çka është se për ketë tjetrën s’po flas ju e dinë më mirë. Mos ia shihni për të madhe se nuk dinë, ai niset prej veti. Enveri veç në filmat e Rambos e ka pa çfarë është shpirti luftarak. Enveri nuk e dinë çka është përballja me jetën a vdekjen, atë e ka pa vetëm në televizion. Dallim i madh është. I dashur Enver dallimi ndërmjet meje e teje është se unë jam kanë në mesin e popullit e ju keni qenë vetëm në mesin e spektatorëve...unë kam një apel për gjithë bashkëluftëtarët anë e kënd Kosovës, familjet patriotike mos e votoni Enver Hoxhajn. Po tregoj pse, sepse në kohën kur unë së bashku me bashkëluftëtarët luftonin për çlirimin e Kosovës, Enver Hoxhaj deklaronte se do të kërkoj azil politik në Beograd nëse UÇK-ja fitonte luftën. Prandaj ju ftojë të gjithë e të mos votojnë këtë njeri”, tha Limaj.

E këto deklarata të Fatmir Limajt, Enver Hoxhaj i quajti shpifje.

“Fjalitë që m’i tha Fatmiri do të duhej të m’i thoshte para 15 vjetëve sa kemi qenë bashkë në parti. Kush e ka guximin t’i thotë. Kemi qenë të afërt dhe kolegë. S’do të duhej t’i përdorte as si gënjeshtra për një grusht vota. E ka gabim. Në këto zgjedhje nuk do të merrem me Fatmirin, por ajo që e tha ai është një gënjeshtër e ulët që s’i bën nder. Jemi takuar me Limajn dhe s’ka pasë vullnet në PDK që të shkojmë në koalicion parazgjedhor me të, sepse duam të shkojmë me identitetin tonë. Kërkesa e tij për koalicion ka të bëjë me përpjekjen e tij për mbijetesë për faktin se s’do ta mund ta kalojë pragun”, ka thënë Hoxhaj në përgjigjen e tij ndaj Limajt.

E për përplasjen mes Limajt dhe Hoxhajt, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Përplasjet në mes Ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj me liderin e NISMA-s, Fatmir Limaj, ka zanafillën e hershme, që nga ndarja e Limajt nga PDK-ja dhe formimin e subjektit të tij politik NISMA, dhe kjo po ashtu ka të bëjë edhe me proceset gjyqësore ndaj Limajt, ku ky i fundit i patë akuzuar lidershipin e PDK-së se qëndron pas akuzave dhe proceseve gjyqësore ndaj tij”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Më tej, Haziri thotë se këto përplasje, nxjerrin në pah të ‘palarat’ e dy ish bashkepartiakëve, Fatmir Limajt dhe Enver Hoxhajt.

“Tani po shohim se këto përplasje janë bërë me të theksuar në para fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, në luftën e tyre për ta përvetësuar votat e ish-ushtarëve të UÇK-së, apo veteranëve, dhe në këtë përplasje të tyre edhe Hoxhaj dhe Limaj nuk do ta kursehen duke ua nxjerr njeri-tjetrit të “palarat” që nuk janë dëgjuar deri më tani në opinion”, shprehet Haziri.

Për fund, Haziri paralajmëron se Nisma Socialdemokrate nuk do ta kalojë pragun në zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe PDK nuk do të ketë ndonjë rezultat të mirë.

“Sa i përket asaj se si do të dalin këto subjekte politike nga zgjedhjet e 14 shkurtit, mendoj se NISMA nuk do të mund të mbijetoj më në skenën politike kosovare dhe nuk do ta kaloj pragun, ndërsa PDK-ja edhe në mungesë të liderëve të saj shpirtëror siç është Thaçi dhe Veseli që tashmë gjenden në Hagë si të akuzuar, do të mundohet që ta ruaj elektoratin e saj nga zgjedhjet e 2019, por që nuk do të arrijë ndonjë rezultat spektakular, e as që është favorite për t’i fituar këto zgjedhje”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat