“Kurti kryeministër, s’ka forcë që e ndalë”

Politika

“Kurti kryeministër, s’ka forcë që e ndalë”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 janar 2021 Në ora: 21:42
Albin Kurti

Zgjedhjet në Kosovë janë caktuar të mbahen më 14 shkurt. Partitë politike po përgatiten për fushatë edhe pse veç kanë filluar mbajtjen e tubimeve për të paraqitur programet e tyre para qytetarëve.

Partitë gjithashtu kanë dorëzuar listat për deputetë në KQZ ditë më parë, për t’u bërë verifikimin i tyre. Mirëpo një ndër listat që nuk u certifikua nga KQZ ishte ajo e Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të personave brenda listës me aktakuza.

Lëvizja Vetëvendosje u ankua në Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) për vendimin e KQZ-së.

Edhe kjo e fundit certifikoi listën e Vetëvendosjes me përjashtime sepse vendosi që Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, të mos certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Por edhe pas kësaj Vetëvendosje nuk u ndal, ata vendimin e PZAP-it e kanë quajtur antikushtetues dhe kanë thënë se do të ankohen në Gjykatën Supreme.

Por, a do të ndikojë në vota mos garimi i Kurtit, duke pasur parasysh që ai është prijës i listës së VV.

Millaku: Albinin kryeministër

Image
Drita Millaku

Kandidatja për deputete nga LVV, Drita Millaku për “Bota sot” ka thënë se, populli vetëm se ka nisur rrugën e ndëshkimit të keqbërësve dhe matrapazëve.

“Fatbardhësisht populli vetëm se ka nisur rrugën e ndëshkimit të keqbërësve dhe matrapazëve politik kjo do të vërtetohet më 14 shkurt”.

Sipas saj, Kurti kryeministër nuk ka forcë që e ndal.

“Albinin kryeministër nuk ka forcë që e ndal, populli po dëshiron që Albini të qeverisë pa koalicione, kësaj radhe vijat e kuqe po i vendos populli. Fitorja e listës së VV-së do të jetë diçka shumë madhështore”, përfundon Millaku.

Mehazi: Edhe nëse Kurti i pamundësohet kandidimi, partia do të mbijetojë

Image
Sulejman Mehazi

Analisti Sulejman Mehazi mospjesëmarrja e Kurti në zgjedhje do të dobësojë LVV-në për shkak se liderizmi, elokuenca, sharmi e fjalori i tij politik është i pazëvendësueshëm.

“Mospjesëmarrja e Albin Kurti si bartës i listës së deputetëve të LVV-së normale se do dobësojë LVV-në për shkak se liderizmi, elokuenca, sharmi e fjalori i tij politik është i pazëvendësueshëm. Mirëpo edhe pse nuk i mundësohet që të bëhet deputet, prapë se prapë do jetë prijës i kampanjës zgjedhore të partisë së tij”, thotë Mehazi.

Ai shprehet se, edhe nëse nuk është prijës i listës së VV-së, ai do të jetë bartës i fushatës zgjedhore i cili fuqishëm do ndihmonte partinë e tij për të fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ligji nuk ia mundëson Kurtit të bëhet deputet, po jo të mos jetë bartës i fushatës zgjedhore, Albini do jetë prezent me kandidatēt e partisë së tij për deputetë në çdo cep të banuar të Kosovës. Pra, mungesa e Albinit do jetē në grupin e deputetëve e jo gjatë fushatës zgjedhore i cili fuqishëm do ndihmonte partinë e tij për të fituar zgjedhjet e 14 shkurtit”, thekson Mehazi.

Në fund ai thotë se, do ketë zbehje të madhe pa Albinin, po në anën tjetër frymëmarrja e energjia politike e Albin Kurtit nuk do mungojë aspak.

“Lista e deputetëve do ketë zbehje të madhe pa Albinin, po në anën tjetër frymëmarrja e energjia politike e Albin Kurtit nuk do mungojê aspak. Edhe pse ndërkëmbëzat kundër Albin Kurtin vijnë nga çdo anë, si, nga KQZ-ja, ligji kushtetues e kundërshtarët politike, përsëri partia e LVV-së do mbijetojë, do i kalojë të gjitha barrierat e do dalë fitimtare më 14 shkurt”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Kurti do jetë kandidat për kryeministër

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot” ka thënë se, identiteti politik i VV-së nuk mund të mendohet jashtë liderit të saj, Albin Kurti.

“Mendoj se identiteti politik i VV-së nuk mund të mendohet jashtë liderit të saj, Albin Kurti, por në të njëjtën kohë nuk kemi mundësi me tejkalua aktivizimin politik që është pjesë e këtij identiteti politik e që e përbëjnë pjesa tjetër e anëtarësisë. Partitë lideriste identifikohen me liderin, por në rrafshin praktik është koncepti ideologjik që e mbanë frymën e tërësisë së vlerave dhe besimit, bindjeve në elektorat”, shprehet Ahmeti.

Ai shprehet optimist duke thënë se, Kurti do jetë kandidat për kryeministër, rrjedhimisht nuk të pengohet për një gjë të tillë, dhe në këtë mënyrë fushata e tij do të zhvillohet në këtë kontekst.

“Tendenca e mekanizmave institucionale për mos lejimin zotit Kurti të jetë prijës i listës së kandidatëve për deputet në listën e VV-së, mendoj se nuk do të ndikoj në elektorat, pasi ata janë të interesuar që zoti Kurti të jetë kryeministër i vendit e jo të jetë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këtë rast, zoti Kurti do jetë kandidat për kryeministër, rrjedhimisht nuk të pengohet për një gjë të tillë, dhe në këtë mënyrë fushata e tij do të zhvillohet në këtë kontekst. Votuesit potencial të VV-së mund të jenë të frustruar në rast të mos lejimit të tij, por ai frustrim mund të përkthehet në një mundësi ideale për ta aktivizuar elektoratin akoma më shumë në kontekstin e fuqizimit të VV-së me anë të përkrahjes”, përfundon Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat