Rekomandimet e SHBA-ve të merren seriozisht

Politika

Rekomandimet e SHBA-ve të merren seriozisht

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 30 janar 2021 Në ora: 08:40
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett

Kosova vazhdon të jetë një ndër shtetet më të varfra në rajon. Të mos mjaftonte kjo në Kosovë vazhdon të jetë i lartë numri i  korrupsionit, ndërkaq mungon edhe sundimi i ligjit.

Këto ditë, Organizata Ndërkombëtare “Transparency International” ka publikuar raportin e saj në lidhje me Korrupsionit për vitin 2020

Sipas këtij, raporti Kosova është radhitur e 104-ta, ku ka gjithsej 36 pikë.

Sipas kësaj i bie se Kosova ka shënuar përkeqësim në luftën e korrupsionit, pasi ka rënë për tri pozita më poshtë sesa vitin e kaluar.

Për mungesë të sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Kosnett ka treguar se çfarë kërkon SHBA-ja nga Kosova.

“Çka duam? Duam paqe brenda Kosovës ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe paqe ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj. Duam të shohim integrim më të mire ekonomik midis Kosovës dhe fqinjëve të saj. Do të dëshironim të shohim më shumë mundësi ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të dëshironim të shohim zotim të fortë për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit. Këto të gjitha janë gjëra për të cilat pajtohen edhe republikanët dhe demokratët”, tha Kosnett.

Këtë deklaratë të ambasadori Kosnett, ekspertët e shohin më vend, dhe se duhet të bëhet përmbushja e tyre. Sipas tyre, për ata të cilët nuk i përmbushin këto kërkesa do të duhet të ketë edhe pasoja.

Halili: Institucionet tona më tepër po bëjnë luftë për pushtet se për shtet

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e ambasadorit  Kosnett, duke cekur se më shumë po bëjnë luftë për pushtet se për shtet.

Image
Nijazi Halili

“Me shumë  kujdes e kam përcjellë  deklaratën e Ambasadorit  të  SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili të  ketë thëne se shteti që ai përfaqëson ka punuar me vite dhe është investuar shume në  shtetndërtimin  e Kosovës,  andaj në  asnjë mënyrë nuk do të  lejojmë që  të dështoi projekt amerikan për shtetndërtimin Kosovës. Andaj, shtrohet pyetja sa është e gatshme që  Kosova ti përmbush kërkesat e SHBA? I bindur se institucionet tona më tepër po bëjnë luftë për pushtet se për shtet!”, ka thënë ai për “Bota sot”

Më tej, Halili është shprehur se jemi të detyruar ti përmbushim këto kritere.

“Shpresa ngelet e fundit, por realiteti është ky çdo gjashtë muaj vendi ynë po përballet me zgjedhje e jo zgjidhje të krizës së Kosovës.  "Acquis communautaire" çelës i integrimit të vendit në familjen evropiane. Shteti i Kosovës, po përjetojnë krizë permanente 20 vjeçare duke krijuar destabilitet politik e krizë ekonomike, si pasoj e luftës për pushtet e jo për shtet. Jo rastësisht kemi ngecur në integrim të vendit në strukturat euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare. Bashkimin Evropian ka përcaktuar kriteret e Kopenhagës, të cilat janë të natyrës politike, ekonomike dhe ligjore. Andaj, ne jemi të detyruar ti përmbushim këto kritere që dalin nga "acquis communautaire" përafrimi i legjislacionit  vendor me atë të BE-së, që është çelësi i integrimit të vendit në familjen evropiane”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Halili ka deklaruar se  mbetet detyrë e institucioneve të vendit që të luftojnë dhe të bëjnë sundimin e ligjit.

“Në shekullin njëzet asnjë vend tjetër nuk ka ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë aq të vendosur dhe në të njëjtën kohë aq ekuivoke, sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka shoqëri që të ketë këmbëngulur më tepër në mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve tjera dhe të ketë mbrojtur me aq pasion idenë se vlerat e saj janë të zbatueshme në shkallë universale. Andaj, prioritet dhe detyrë ngelet te institucionet e vendit në luftimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik që janë kritere fundamentale për shtetndërtimin e Kosovës dhe integrimin e saj në familjen evropiane”, ka potencuar Halili për “Bota sot”.

Duhanaj: Vendi ka nevojë për këndellje në të gjitha fushat

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se kërkesa e ambasadorit Kosnett është me vend.

Image
Leon Duhanaj

“Kërkesa e Ambasadorit Kosnett, është kërkesë shumë më vend dhe e cila në kushte normale do duhej të nënkuptohej nga politika di ofertë dhe nga qytetarët si kërkesë. Për fat të keq, sidomos përgjatë këtij viti, opinioni është traumatizuar më tema koti, por që edhe ka ra viktimë e manipulimeve propagandistike të segmenteve të politikës kosovare, duke i shfrytëzuar për interesa meskine”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Duhanaj thekson se vendi ka nevojë për këndellje në të gjitha fushat, duke shtuar se për këtë arsye qytetarët duhet të analizojnë programet e partive.

“Ky vend ka nevojë për këndellje në të gjitha fushat, e posaçërisht në atë të ekonomisë. Klima e krijuar përmes terrorit emocional, pastaj pandemia dhe problemet e shumta ekonomike kërkojnë zgjidhje urgjente, prandaj është më të rendësi që qytetarët të analizojnë programet e partive e jo përrallat më mbret të cilat i japin disa që nuk kanë lidhje me realitetin, apo që synim politik kanë destabilizimin e vendit”, ka deklaruar Duhanaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Pasoja për udhëheqësit që nuk zbatojnë rekomandimet amerikane

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, mendon se SHBA më s`duhet të bëj vetëm deklarata në formë të thirrjeve, por t'i shoqëroj ato edhe me pasoja.

Image
Faton Mehmeti

“Realisht thirrjet e SHBA ndaj udhëheqësve të shtetit për sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe luftim të korrupsionit janë të hershme. Ato datojnë qysh në fillim të krijimit të institucioneve, por që çdo herë kanë hasur në vesh të shurdhër. Mendoj se SHBA më s`duhet të bëj vetëm deklarata në formë të thirrjeve, por t'i shoqëroj ato edhe me pasoja për ata udhëheqës që nuk zbatojnë rekomandimet amerikane. Pasojat do të ishin nëse u ndalohet të shkelin SHBA, ata të cilët nuk zbatojnë këto rekomandime”, ka deklaruar ai.

Sipas Mehmetit, këto thirrje të ambasadori Kosnett janë edhe të qytetarëve të Kosovës.

“Ambasadori Kosnett bën thirrje, thirrje të cilat janë edhe të qytetarëve të Kosovës, e të cilat asnjëherë s`janë dëgjuar drejt nga qeveritarët. Besoj se nuk mund të jesh edhe pro amerikan edhe të vjedhësh vendin tënd, gjë të cilën e kanë bërë pothuajse të gjitha qeveritë e pasluftës”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat