Ramush Haradinaj drejt fundit, Kosnett dhe Kurti i japin goditje për idenë për bashkimin kombëtar

Politika

Ramush Haradinaj drejt fundit, Kosnett dhe Kurti i japin goditje për idenë për bashkimin kombëtar

Nga: Gresa Bajraktari Më: 30 janar 2021 Në ora: 12:42
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj, kandidat për president të Kosovës, njëherësh lideri i AAK-së, ka aktualizuar së fundmi temën e bashkimit kombëtar.

Ai ka thënë se në vitet e ardhshme do të bëjë referendum për bashkim me Shqipërinë.

“Nuk kemi me pranu me mbet as konflikt i ngrirë e as nuk kemi me pranu me na nda, por kemi me shku në referendum për bashkim me Shqipërinë, mbane mend këtë, jo se na po duam, por qe 20 vjet i kemi dhënë fjalën perëndimit që po duam me respektuar një vizion të përbashkët për një Kosovë euro-atlantike me hy në BE me shku në NATO, me u bë anëtare e OKB-së, me na njohë Serbia, dhe me dashtë BE-ja me i bindë pesë vendet me na njoh jo me na lënë kështu vjerrë gjatë, deshi Amerika na ndihmoi me marrë njohjen e Izraelit, ndërsa ku janë partnerët tanë evropian, pse na mbajnë kështu të izoluam, pse na lënë me pritë, e kohë pas kohe na thonë se e keni këtë faj e atë faj. A nuk pat asnjë faj Serbia dhe vendet tjera fqinjë, ata të përkryer apo? Nuk mund të rrimë vjerrë derisa dikush ta ketë disponimin me u kry çështja e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Por, për këtë ai nuk ka marrë përkrahje dhe ka marrë vetëm kundërshtime.

Madje, ai ka mbetur krejtësisht i vetmuar lidhur me bashkimin kombëtar.

Kjo, pasi lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili ishte pro bashkimit kombëtar, ka deklaruar sot se nuk do të bëjë luftë në Ballkan për tu bashkuar me Shqipërinë dhe se sipas Kushtetutës së Kosovës, Kosova nuk mund të bashkohet me një shtet tjetër.

“Kushtetuta e Kosovës thotë që Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Serbët, boshnjakët e të tjerë janë qytetarë të Kosovës, por kur Serbia dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, atëherë Kosova është shtet i dobët për t’u konfrontuar me hegjemoninë e Serbisë. Serbia dëshiron që të krijojë Serbinë e Madhe pasi që Beogradi u bën presion serbëve nëpër shtete të Ballkanit të mos integrohen. Ne duam të kemi të drejtën e referendumit, ne nuk duam të shohim ndonjë formë të dhunës të bashkimit. Kosova duhet ta ketë të drejtën për referendum jo domosdo që të bashkohemi me Shqipërinë por të kemi të drejtën e referendumit. Nëse bëhet në formë paqësore dhe demokratike atëherë po bashkim me Shqipërinë dhe do ta respektojmë rezultatin por në asnjë mënyrë ne nuk do të nisim një luftë të tretë ballkanike në mënyrë që bashkohemi me Shqipërinë”, tha Kurti.

As SHBA nuk e mbështet bashkimin me Shqipërinë.

Kundër bashkimit kombëtar u shpreh ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar e disa prej tyre edhe vdekur, për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan.

“Komenti im për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm. Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të tërhiqja vëmendjen te Kushtetuta, që bën thirrje për shoqëri shumetnike me liri fetare për të gjithë. ShBA-ja është vend shumetnik dhe edhe pas pothuaj 250 viteve, ne ende luftojmë të ndërtojmë shoqëri ku ka barazi para ligjit, mundësi të barabarta për të gjithë, ku grupet etnike dhe racat jetojnë në harmoni. Nuk është lehtë dhe siç e pamë, patëm pengesa, por ende po përpiqemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e kanë quajtur “një union më të përsosur”. Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit”, ka thënë Kosnett.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat