Vjosa Osmani është zhveshur nga Rugovizmi me kalimin në LVV

Politika

Vjosa Osmani është zhveshur nga Rugovizmi me kalimin në LVV

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 janar 2021 Në ora: 22:21
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Vjosa Osmani është kandidatja për presidente në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo nuk ka shumë kohë që ka formuar iniciativën e saj me sloganin “Guxo”, të cilës i janë bashkuar disa nga LDK-ja.

Reagimet qenë të mëdha kur ajo u largua nga partia e LDK-së, parti kjo të cilën ajo kishte filluar debutimin në skenën politike.

Largimi i Osmanit nga LDK-ja lidhet me qëndrimet e saj që ka pasur në lidhje me shumë çështje e që ishin në mospërputhje me qëndrimet që mbante LDK-ja. Kështu duke ardhur deri tek largimi i saj dhe ndërmarrja e një iniciative të saj të re.

Mirëpo edhe pse ajo u largua dhe është duke u merr me iniciativën e saj të re, deklaratat saja po vazhdojnë edhe tash para zgjedhjeve.

Osmani ka theksuar shumë herë që ajo ka një frymë rugoviane të cilën e ka të mësuar nga presidenti tashmë i ndjerë Ibrahim Rugova.

Për Osmanin Rugova mbetët njëri ndër liderët nga i cili ka mësuar shumë dhe i ka mbetur kjo frymë rugoviane.

Mirëpo nga LDK-ja, nuk pajtohen me ketë tezë të Osmanit, duke shtuar që vet fakti që tashmë nuk është pjesë e LDK-së, na lë të kuptojmë që ajo nuk ka frymë rugoviane.

Së fundi ishte kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i cili foli në lidhje me frymën rugoviane që Osmani thotë se e ka. Ai u shpreh që është gjenerata e Osmanit që presidentin historik Ibrahim Rugova nuk ka mundur ta kishin bashkëpunëtor.

Madje, Haziri tha se gjenerata e Osmanit ka mundur vetëm të recitojë për Rugovën.

“Gjenerata e Vjosa Osmanit në politikë ka mujt me recitu për Rugovën, nuk ka mujt me pas bashkëpunëtor”, ka thënë ai.

Kjo sipas Hazirit është çështje e moshës, pasi Vjosa Osmani është më e re në politikë.

Por se a do të mund të përçojë frymën rugoviane që Osmani thotë që e ka në VV, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën skeptik pasi që “fryma rugoviane” sipas tyre nuk mund të përçohet në një parti tjetër nëse jo LDK.

Bajraj: Vjosa Osmani është zhveshur nga Rugovizmi

Image
Fatmir Bajraj

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar në lidhje me frymën rugoviane që Osmani thotë se ka e do a përçoj edhe tek qytetarët e pse jo edhe në VV.

Bajraj shprehet skeptik në këtë çështje pasi sipas tij largimi i Osmanit nga LDK-ja, tregon që ajo nuk posedon frymë rugoviane. Sipas tij edhe pse ajo ka filluar nga LDK-ja, karrierën e saj politike ajo nuk hezitoi të kalojë në një frymë totalisht të kundërt me atë që Rugova ka pasur.

“Identiteti i saj Rugovist ka përendur, ajo ka aderuar në ideologjinë e ekstremit të majtë politik, duke "përqafuar" filozofinë absolutiste & totalitare Kurtiane, në vend të asaj Rugoviane, përkatësisht, Vjosa braktisi Rugovën dhe iku të Kurti...! Formalizimi me marrëveshje i shkrirjes dhe inkorporimit të Vjosa Osmanit në LVV, ndërmjet saj dhe Liderit Suprem të LVV-së, z. Albin Kurti, shënon edhe fundin praktik të profilit Rugovian të Vjosa Osmanit, pas të cilit është kamufluar kjo e fundit në platformën e binomit, Kurti & Osmani, për dëmtimin dhe shkatërrimin e LDK-së dhe Rugovizmit si filozofi politike e Dardanisë Antike-Kosoves, që nga 23 dhjetori 1989 ! Iluzioni optik i profilit të znj. Osmani, si Rugoviste, siç duket ishte vetëm një sofizëm prapa të cilit fshihej qëndrimi i saj djallëzor dhe përfiton në ngjitjen e saj n'karierën politike, dhe e cila aksidentalisht erdhi n'LDK nga ish Presidenti Sejdiu, duke kaluar nga kabineti i tij në Fakultetin Juridik në kabinetin e Presidencës, dhe për pasojë edhe në hierarkinë partiake të LDK-së, pa asnjë bagazh dhe kontribut të theksuar n'parti dhe n'politikë. Zonja Osmani nuk e ka prek dhe ndje veprën jetësore të Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova dhe Rugovizmin nuk e ka epitomë të formimit, formësimit dhe brumosjes politike dhe filozofike, për vetë faktin se ajo i'a ktheu shpinën asaj fryme”, u shpreh Bajraj.

Më tej, analisti thekson që binomi Kurti-Osmani në emër të ndryshimit por me lojtar të vjetër po tentojnë të marrin vota që bien ndesh me veprimtarin politike. Këtu cek Bajraj shkeljen e ligjit nga ana e Kurtit dhe kështu duke arritur t’i kap dhe pastaj t’i humbë vlerat unike e demokracisë parlamentare.

“Binomi, Kurti-Osmani, në emër të ndryshimit por me lojtar të vjetër, shumica prej syresh, edhe delikuent, me afera korruptive dhe kriminale, pa përjashtuar as "Liderin Suprem", t' VV-së, z.Kurti, i cili poashtu ndër vite ka rënë ndesh me Ligjet pozitive të vendit dhe ka marrë verdiktin e Gjykatës për shkak të veprimtarisë politike dhe jo politike në rrugë dhe në institucione, me mjete dhe metoda vandaliste kundër institucioneve, sistemit dhe vetë shtetit të Kosove, tani kërkojnë votën dhe besimin e qytetarëve për të kap të gjitha, pra për t'i humbë edhe pluralizmin politik Republikës së Kosovës dhe humbjen e balanseve të pushtetit si vlerë unike e demokracisë parlamentare”, potencon analisti.

Vjosa Osmani dhe pasuesit e saj modest dhe t'parëndësishëm n'VV, janë të zhveshur politikisht nga çdo frymë Rugovizëmi

Tutje, Bajraj thotë që braktisja e LDK-së tregon shumë për Osmanin dhe qëndrimet e saj të luhatshme. Gjithashtu analisti përmend aderimet e Donika Gërvalles dhe Haxhi Avdylit, të cilit I sheh humbës dhe njëkohësisht votat për ta do të jenë të humbura mirëpo edhe votat për ta mund të rrezikojnë miqësinë me SHBA-të.

“Vjosa në krye të listës së saj imagjinare dhe e shkrirë në LVV, tani e tutje nuk mund të manipuloj elektoratin Rugovian në LDK, se ajo vazhdon të ruaj, dhe me se paku të artikuloj e përçoj Rugovizëm në LVV, ngase sikur të ishte e interesuar për këtë filozofi politike, nuk do braktiste shtëpinë e vetë, shtëpinë e cila e rriti dhe e ngjiti n'maja të karrierës politike siç ishte kandidimi i saj për Kryeministre, Kryeparlamentare dhe u.d e Presidentit si pasojë aksidentale e mbetjes vakant të atij funksioni pas procesit të Gjykatës Speciale. Vjosa Osmani dhe pasuesit e saj modest dhe t'parëndësishëm n'VV, tanimë janë të zhveshur politikisht nga çdo Rugovizëm dhe parime të asaj filozofie vizionare perëndimore, duke iu nënshtruar e dorëzuar një ideologjie ekstremiste totalitare dhe një lideri autokrat e anarkist i cili të vetmen "vlerë" ka, ambicien për të mbetë në histori, qoftë edhe si diktator i egër i një vendi të vogël siç është Kosova. Vota dhe besimi në Vjosën dhe saktën e saj të mjerë me Donika e Haxhi "Qamila", është votë e humbur në "hamarin" e ekstremiteteve edhe ekskluziviteteve antagoniste, duke filluar nga ato ideologjike, fetare dhe orientimeve globale, lindje-përendim, pra është votë e humbur dhe mbi të gjitha me premisa të rrezikshme për orientimin europerendimor, gjeostrategjik dhe në vetë rrezikimin e partneritetit me SHBA-të dhe shtetësisë së Kosovë”, thotë Bajraj.

Në fund, analisti shprehët që duhet të braktiset e të mos votohet Osmani e as Kurti pasi ata do të mund të dëmtojnë LDK-në por edhe frymën rugoviane.

Analisti thotë që qëllimi i Kurtit dhe Osmanit është përmbysja e sistemit të demokracisë parlamentare.

“Mbështësit shpirtshitur dhe injorantë të znj. Osmani, duhet ta braktisin atë sot, duke sabotuar kauzën e saj hileqare, e që është ; dëmtimi i LDK-së dhe Rugovizmit, dhe në anën tjetër, duke fuksionuar një Lëvizje heterogjene dhe ekstremiste, e cila e ka luftuar Presidentin historik Rugova, LDK-në, shtetin e Kosoves si projektin nacional të Lëvizjes sonë për Pavarësi, dhe simbolet e shtetit. LVV-ja, brenda së cilës është binomi, Kurti-Osmani, duhet dekonspiruar dhe çmontuar, qëllimin dhe synimin e tyre për përmbysje të sistemit dhe demokracisë parlamentare, si parakusht i rrëshqitjes në izolim, diktaturë dhe bankrotim të shtetit si arritje sublime e brezave dhe me ndihmën e Amerikes n'krye të aleatëve euro-perëndimor”, përfundoi Bajraj për “Bota sot”.

Haziri: Osmani në listën e VV-së është vetëm një politikane që mundohet të tërheqë vota nga LDK-ja

Image
Nexhat Haziri

 

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh që pretendimi i Osmanit për t’u thirrur në filozofinë rugoviane e duke qenë pjesë e VV-së është vetëm mashtrim.

Sipas Hazirit, filozofia rugoviane nuk mund të jetë pjesë e VV-së, pasi kjo e fundit cilësohet me ideologjinë bolshevike dhe vet liderin e tyre “supreme” Albin Kurtin.

“Pretendimi i Vjosa Osmanit për t’u thirr në filozofinë rugoviane duke qenë pjesë e listës së VV-së është vetëm një mashtrim që ajo po tenton t’ia bëjë elektoratit të djathtë në Kosovë. Është nonsens i llojit të vet të mendosh se filozofia rugoviane të shkoj vija vija me ideologjinë bolshevike të cilën e karakterizon LVV-në dhe vet liderin e tyre “supreme” Albin Kurtin”, u shpreh Haziri.

Në fund, analisti potencon që elektorati i djathtë do i qëndroj fuqishëm besnik filozofisë politike rugoviane dhe do të votojë për LDK-në e Ibrahim Rugovës.

“Thjeshtë znj. Omsani në listën e LVV-së është vetëm një "seksere" për të tërhequr votat nga anëtarësia e LDK-së në drejtim të LVV-së, por si duket këtë hile tashmë e kanë parë dhe e kanë kuptuar të gjithë, pra edhe votuesi i djathtë, dhe nuk do të ketë rrjedhje votash në drejtim të kampit të ekstremit të majtë. Elektorati i djathtë do i qëndroj fuqishëm besnik filozofisë politike rugoviane dhe do të votojë për LDK-në e Ibrahim Rugovës”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

Kujtojmë që Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë së bashku me VV-në dhe se në përvjetorin e presidentit Rugova, ishin në homazhe së bashku me Kurtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat