A do të jetë Behgjet Pacolli kundërkandidat i Haradinajt e Osmanit për postin e presidentit?! Flet këshilltari i tij

Politika

A do të jetë Behgjet Pacolli kundërkandidat i Haradinajt e Osmanit për postin e presidentit?! Flet këshilltari i tij

Nga: A.Morina Më: 30 janar 2021 Në ora: 22:45
Behgjet Pacolli, Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani

Pavarësisht se me 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet për postin e kryeministrit, subjektet politike i kanë dhënë një focus dhe rëndësi të madhe postit të presidentit, shkruan  "Bota sot".

Madje, Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani kanë zyrtarizuar kandidimin e tyre për këtë post.

Por, siç duket garës për postin e presidentit pritet të iu bashkohet edhe kreu i Aleacës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Këshilltari i Pacollit dhe njëherit kandidati për deputet, Jetlir Zyberaj për gazetën “Bota sot” iu ka referuar Pacollit si president, duke thënë se partia në të cilën ai bën pjesë do të hyj fuqishëm në parlament.

“Jam shumë i bindur që AKR do të hyj fuqishëm në Parlament pas zgjedhjeve, ku së bashku me Presidentin Pacolli, unë së bashku me kolegët e AKR do të përfaqësojmë votuesit tanë dhe qytetarët e Kosovës në atë që duket të jetë një periudhë më sfiduese për Kosovën”, deklaroi Zyberaj.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve të Behgjet Pacollit për postin e presidentit, Zyberaj tha se kreu i AKR-së përmes përvojës së tij ka dëshmuar se ai është një person që mund të punojë me të gjitha partitë politike.

“Si ish-President i vendit dhe politikan dhe biznesmen më përvojë, z. Pacolli ka dëshmuar se i vendos interesat e vendit para ato të tij. Z. Pacolli me kulturën e tij politike, me kontaktet e tij të thella dhe të gjera ndërkombëtare, me qasjen e tij mbi partiake, ka treguar të jetë një nga politikanët e rrallë në Kosovë që mund të ndërtojë një konsensus dhe mund të punojë me të gjitha partitë politike”

Në fund, Zyberaj në një mënyrë e konfirmoi se Begjet Pacolli është kandidat për postin e presidentit, teksa deklaroi se Kosova do të jetë me fat që ta ketë Pacollin President në një kohë kur vendi po kalon në kriza të thella.

“Do të jetë një fat për Kosovën që ta ketë Z. Pacolli si President në një kohë kur kemi polarizim të thellë, një izolim ndërkombëtar dhe një krizë shumë të rëndë ekonomike. Ai ka kapacitetin për të adresuar këto tre çështje me pjekuri, unitet dhe bashkëpunim brenda dhe jashtë Kosovës”, përfundoi Zyberaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat