Analisti kritikon Kurtin dhe Osmanin për vizitën në veri, tregon kurthin e ngritur për Hotin

Politika

Analisti kritikon Kurtin dhe Osmanin për vizitën në veri, tregon kurthin e ngritur për Hotin

Nga: A.Morina Më: 31 janar 2021 Në ora: 17:20
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Vizita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtit dhe U.d. presidentit, Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, nuk ka shkuar ashtu siç e kishin planifikuar ata. Pasi vizita e këtyre të fundit, u ndërpre nga disa serbë të veriut.

Kjo gjë ngjalli reagime të mëdha, ku shumica prej tyre e kritikuan vizitën e Kurtit dhe Osmanit. Madje pati reagime edhe të tilla që kjo gjë ka mundur të shkaktoj tensione në mes raporteve të Kosovës me Serbinë.

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” ka komentuar vizitën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe U.d. të Presidentit, Vjosa Osmani në Mitrovicën e Veriut.

Shahu tha se Kurti e Osmani, shkuan për vizitë në veri vetëm për shou dhe për ta goditur Qeverinë Hoti sikur ajo nuk ka sovranitet në këtë pjesë të Kosovës.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani shkuan në veri për shou, shkuan për të prodhuar një lajm për Albinin dhe shoqëruesen e tij, Vjosa Osmanin e cila heq petkun e presidentes së Kosovës kur e ul aq shumë veten e sillet si militante e VV, shkuan për ta goditur Qeverinë Hoti sikur ajo nuk ka sovranitet në veri, shkuan për ta zbehur lajmin e madh se Izraeli dhe Kosova lidhin marrëdhënie diplomatike me datën 1 shkurt 2021 si meritë e presidentit amerikan Trump dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit”, deklaroi Shahu.

Analisti kritikoi Vjosa Osmani duke thënë se ajo po sillet si një militante e Vetëvendosjes, në vend se ta ruajë statusin saj si U.D. e Presidentit të vendit. Ndërsa për Kurtin, Shahu tha se vetëm për të prodhuar lajme është në gjendje të bëj gjdo gjë.

“Vjosa Osmani sa është e ngarkuar të bëjë presidenten e Kosovës nuk mund të sillet si një militante e një partie mendoj unë, por duhet ta ruajë staturën e postit që mban. Sepse ajo në fakt mban dy poste edhe kryetare Kuvendi edhe presidente, poste që nuk shkojnë bashkë me postin e militantes së VV.

Albini për të prodhuar lajme e vëmendje në çdo rrethanë për veten është gati të bëjë çdo gjë dhe kjo është meritë e tij që din të thithë dritat e prozhektorëve. Këto drita i don edhe Vjosa”, theksoi Shahu.

Ndërsa, Shahu tha se në veri nuk shkohet shkohet lehtë, sepse edhe partitë serbe kanë militantë partiake që ti nxjerrin sytë, siç të nxjerrin sytë militantet e dyshes Albin dhe Vjosa.

“Qëllimi i parë i tentim vizitës në veri të Kosovës nga Albini e Vjosa ishte që të goditej Qeveria Hoti, që Albini e Vjosa të thonë se Qeveria Hoti nuk ka sovranitet në veri. Por Albini dhe Vjosa duke dashur të godasin Qeverinë Hoti bëjnë autogol se goditja e parë i shkon asaj që bën kreun e shtetit, Vjosës që mban dy postet më të larta të vendit.

Në veri të Kosovës shkohet, shkojnë zyrtarët e shtetit kur shkojnë për punë të shtetit, por kur kandidatët për deputetë të një partie shkojnë të marrin vota dhe të diskreditojnë shtetin njëherësh, të diskreditojnë kundërshtarët politike dhe qeverinë e vendit, atje nuk shkohet lehtë, sepse atje kanë edhe ata partitë e tyre dhe duan t’ua japin votat partive të tyre. Edhe ata kanë militantë partiake që ti nxjerrin sytë siç të nxjerrin sytë militantet e dyshes Albin & Vjosa”, nënvizoi Shahu

Sa i përket pasigurisë në veri, Shahu tha se e gjithë kjo është meritë e padiskutueshme e Kurtit dhe Osmanit. Analisti u shpreh se këta të fundit, atë që kërkuan atë gjetën.

“Nëse pasiguria mbretëron në veri është meritë e padiskutueshme edhe e Vjosës dhe Albinit, e Vjosës kryetare kuvendi dhe presidente në detyrë, kreu i shtetit dhe e Albinit që ishte deputet dhe kryeministër, por më shumë merita ka në refuzimin e shtetit të Kosovës, në mos njohjen e mos pranimin e shtetit të Kosovës dhe reprezaljeve ndaj institucionevee godinave shtetërore, derisa nuk e qeveris vete.

Atë që kërkuan atë gjetën, atë morën, por lajmi për refuzimin e Vjosës dhe Albinit nuk u bë vërtetë lajm i madh sepse e kuptuan se është kurth i ngritur nga vetë ata të godisnin qeverinë por jo që të binin vetë brenda e të ngjallnin revoltë të popullit për këtë që ndodhi. Populli nuk u revoltua se e kuptoi dhe e lexoi lojën e dyshes Albin dhe Vjosa”, potencoi Shahu, përcjell “Bota sot”

Shahu tha se Kurti dhe Vjosa ranë në grackën që ata ua ngritën të tjerëve, në këtë rast të LDK-së dhe PDK-së.

“Historia e ngritjes së kurtheve ndaj të tjerëve e për me ra vetë brenda në kurth do të vazhdojë edhe në ballafaqime të tjera me PDK e eksponentët e luftës që kanë drejtuar Kosovën e janë në Hagë.

Albini nuk ka lënë kënd pa nxi në Kosovë, nuk ka lënë kënd pa bisht, nuk ka thënë një fjalë të mirë për askënd por vetëm keq e me keq”, nënvizoi analisti.

Shahu tha se nëse Kosova është shtet është fal LDK-së dhe PDK-së dhe jo Albin Kurtit. Pasi, Kurti nuk ka asgjë të mirë

“Por Kosova që është, që ka këto arritje të jashtëzakonshme, që ka shtet që e njeh shumica e botës dhe shumica e fuqive të botës, që është shtet i shqiptarëve i lirë e i pavarur është meritë e jashtëzakonshme e LDK dhe PDK. Por këto janë keq sipas Albinit sepse nuk ka asgjë të mirë.

Kur këto aktore që kanë qeverisur dy dekada dhe që disa janë në Hagë se edhe Albini ka krijuar opinion shumë të keq për ta, pse Albini kërkoi tu jepet pagesë atyre që janë në Hagë dhe tu paguhet edhe avokat…”, nënvizoi Shahu.

Në fund, ai tha se karriera e Vjosa Osmanit ka mbaruar, pasi nuk është virtyt, meritë, fisnikëri e vlerë tradhtia e partisë tënde dhe kalimi tek partia kundërshtare për hir të karrierës e jo të moralit politik.

“Albini ka mundësi të japë mesazhe të fuqishme për respektimin e shtetit, ka rastin të japë mesazh se respekton ligjin, se gjyqtarët e Gjykatës Speciale apo Kushtetuese janë më të ditur e më të zotët se militantët e Albinit dhe gjykimin e gjykatave nuk e bëjnë dot analfabetët e shumtë fansa të Albinit, ka mundësi të ndihmojë normalitetin në Kosovë. Ndërsa Vjosa e ka mbaruar karrierën e saj pasi nuk është virtyt, meritë, fisnikëri e vlerë tradhtia e partisë tënde dhe kalimi tek partia kundërshtare për hir të karrierës e jo të moralit politik”, përfundoi Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat