Deklarata e Haradinajt për bashkim, analisti politik: Nuk është koha dhe hapësira e duhur

Politika

Deklarata e Haradinajt për bashkim, analisti politik: Nuk është koha dhe hapësira e duhur

Nga: A.SH Më: 31 janar 2021 Në ora: 18:34
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar me deklaratën e tij për bashkim me Shqipërinë.

Ai ka thënë se, “Ne duhet të themi se ne kërkojmë të hymë në NATO si Kosovë si shtet i pavarur. Nuk na mbetet tjetër pos referendum për bashkim me Shqipërinë nëse na pamundësohet ajo. Është real që mund të ndodhë bashkimi nëse vazhdon bllokada që po i bëhet Kosovës”.

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, ajo çka e ka thënë zoti Haradinaj aktualisht nuk korrespondon në kohë dhe hapësirë edhe pse synimi i shumicës shqiptare është bashkimi i trojeve etnike.

“I gjithë ajo çka e ka thënë zoti Haradinaj aktualisht nuk korrespondon në kohë dhe hapësirë. Sigurisht se synimi i shumicës shqiptare është bashkimi i trojeve etnike të ndara padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Kosova q3 shumë kohë ka mbetur e izoluar nga bota demokratike, ka mbetur pa liberalizim të vizave, ka mbetur vendi më i varfër në qendër të Evropës. Fajtori është jetim, se pranon askush. Kjo fajësi më duket mua dhe përgjegjësia pse Kosova e pasur me resurse natyrore dhe me pasuri tjera nëntokësore, është vendi më i varfër sot në Evropë, janë shumë fakor. Pushtetet tona nuk i luftuan kurrë sa duhet krimin dhe korrupcionin si dy kushtet e kërkuara nga BE-ja për liberalizim të vizave”, ka thënë Mulliqi.

Ai rendit edhe disa nga motivet siç i quan ai, të cilat kanë bërë që Haradinaj ta thotë një deklaratë të tillë.

“Klasa jonë inerte dhe përfituese politike, më shumë u shërbye me manipulime, data të paqena, e shantazhe se sa me punë konkrete zhvillimore të Kosovës. Por, në këtë mes nuk është pa faj edhe bashkësia ndërkombëtare e cila krejt pas luftën kishte po thuaj çdo strukture të saj në Kosovë, si KFOR, UMNIK, EULEX dhe organizata të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare, dhe nuk e panë të arsyeshme që Kosova të bëhet pjesë e shumë organizamave të ndryshëm të Evropës, e as të kemi lëvizje të lirë. Të gjitha këto kanë qenë motiv për një deklaratë të tillë të zotit Haradinaj”, shprehet Mulliqi.

Ai shprehet se, kjo deklaratë edhe ka pasur edhe kundërshtime nga ambasadorë të huaj në Kosovë.

“Kjo deklaratë e tij u kundërshtua ashpër nga ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnet, i cili deklaroi se “ushtarët amerikan nuk janë vrarë për Shqipëri të Madhe, dhe as për Serbi të Madhe”. Nuk është që Amerika ndoshta në një të ardhme nuk do të perkrahë nocionin e Shqipërisë së Madhe, por edhe për një kohë sigurisht se jo, ajo e ka përkrah pavarasinë e Kosovës, si projekt ndërkombëtar. Edhe Kurti e dha një deklaratë lidhur me temën e bashkimit të trojeve etnike, por e cila ishte shumë diplomatike dhe e padëmshme për konstelacionet e politikës aktuale globale. Nuk është ende koha e paraqitjeve të tilla, që mund të shërbejnë si argument Serbisë grabitqare para botës demokratike. Koha është e konsolidimit të shtetit që po funksionon me defekte të mëdha. Kosova deri te bashkimi i trojeve mund të vjen edhe përmes zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe kulturor, që sot shumë po na mungon. Integrimet rajonale janë parësore në avansimin e të gjitha proceseve madje edhe të bashkimit. Vjen edhe koha e referendumit siç thotë edhe Haradinaj me të drejtë, por në një kohë më të volitshme politike dhe rrethaneve gjeostrategjike në Ballkan”, përfundon Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat