SHIK-u po vepron në LDK edhe pa shefat e tij

Politika

SHIK-u po vepron në LDK edhe pa shefat e tij

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 shkurt 2021 Në ora: 13:46
LDK

Kanë mbetur edhe më pak se 2 javë deri tek mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Gjykata Kushtetuese ishte ajo që përmes një vendimi të saj rrëzoi qeverinë e fundit të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Avdullah Hoti ishte zgjedhur kryeministër nga një koalicion i LDK-së me disa parti të tjera, derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja kishin mbetur në opozitë.

Në këto zgjedhje, Vjosa Osmani, tani ushtruese detyre e Presidentes së vendit, dikur pjesë e strukturave udhëheqëse të LDK-së, garon në një listë të përbashkët me LVV-në.

Kështu nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihet si një garë e madhe ndërmjet LVV-së me Osmanin në listë dhe LDK-së nga ana tjetër.

Ndonëse LDK-ja është kritikuar për mosreforma, zyrtarë nga kjo parti vlerësojnë se LDK-ja ka shënuar rritje.

Kështu, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se kjo parti ka shënuar rritje në elektorat prej 2.9 për qind. Ai ka theksuar se me këtë trend të rritjes, LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Të dhënat dhe anketimi nga terreni tregojnë për një trend stabil të rritjes të LDK-së. Për më pak se dy javë, LDK ka shënuar ngritje prej 2.9 për qind. Projeksionet për ditët e ardhshme janë edhe më pozitive. LDK do të fitoj dhe do të udhëheq Qeverinë. Vazhdojmë”, ka shkruar Abrashi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Rritja e LDK-së, ‘fontanë dëshirash’

Këtë deklaratë të Abrashit e kanë komentuar edhe njohës të politikës. Kështu, publicisti Idriz Zeqiraj, thotë se Abrashi, duke qenë sekretar organizativ i LDK-së, është i angazhuari i drejtëpërdrejtë në ecurinë fushatore të parties, ndërsa një rritje e tillë do të ishte e këndshme për LDK-në.

Image
Idriz Zeqiraj

“Zotëri Arban Abrashi, duke qenë sekretar organizativ i LDK-së, është i angazhuari i drejtëpërdrejtë në ecurinë fushatore të partisë. Dhe, të dhënat e dorës së parë nuk i mungojnë. Por, shifra e rritjes të votës të LDK-së 3%, në krahasim me zgjedhjet e shkuara, tetor 2019, do të ishte befasi e këndshme, për partinë themeluese dhe shtetndërtuese të Kosovës, LDK-së. Kur themi se Abrashit nuk i mungojnë informacionet në bazë, terren, për disponimin e qytetarëve, për ta votuar LDK-në, megjithatë, ky parashikim ngjason me pasqyrimin e betejave, agjitimin paushall, të palëve në luftim, për ta ngritur moralin e luftëtarëve, kuptohet, fiktivisht! Një garuese rishtare e LDK-së, e ngritë fitoren në kuotën 39%. Por, kjo hynë në atë shprehjen e njohur "fontanë dëshirash!", vlerëson ai.

Zeqiraj tutje ka kujtuar edhe rolin e Abrashëve në histori, përkatësisht në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Ai ka përmendur kohën e atëhershme kur vëllezërit ishin nda në parti të ndryshme, për të shpëtuar kokën e vëllezërëve kundërshtarë politikë.

“Tre Abrashët, në tri parti politike, na kthejnë në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri. Lufta politike qe ashpërsuar. Shenjat tregonin se paslufta do të jetë e përgjakshme. Dhe, ashtu ndodhi. Vëllezërit ndaheshin në parti të ndryshme, në mënyrë që ndonjëri syrësh do të gjendej në partinë fituese, për t`ua shpëtuar kokën vëllezëve të tjerë kundërshtarë politikë! Realisht, në Shqipëri, Lufta Çlirimtare degjëneroi në luftë civile, qytetare. E njëja ideologji mbizotëroi edhe në Luftën e Kosovës, sepse ishin të njëjtët padronë, emisarët e Serbisë. Megjithatë, forca madhore e NATO-paktit vulosi çlirimin, lirinë, por, jo edhe demokracinë, mungesa e së cilës ka ngulfatur partitë politike. Rrjedhimisht, edhe Kosovën, me kapjen e shtetit, bllokimin e sistemit të drejtësisë”, thekson publicisti Zeqiraj.

Në këtë rasti, ai thekson edhe zgjedhjet paraprake që sipas tij elektorati u entuziazmua me bartësen e listës, Vjosa Osmanin.

“E themi këtë, sepse entuziazmi i elektoratit, popullit, në zgjedhjet paraprake, u motivua me bartësen e listës, Vjosë Osmani, me ekipin e shkëlqyeshëm të grave, burrave dhe djemëve kandidatë për deputetë. Shto këtu edhe koalicionin e pritshëm me LVV, fort i mirëpritur nga shqiptarët, sepse, natyrshëm, po bëhej ndarja e parë, grupimi real: Partitë kapëse të shtetit, të koalicionuara në PAN - nga njërra anë, dhe subjekte pa krim e korrupsion, LDK-LVV - nga ana tjetër”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Ai ka përmendur edhe rolin e sondazheve, për të cilat thotë se shpeshherë befasojnë me shifrat e rezultateve.

“Në debatet e sotme televizive, dominon tema e zgjedhjeve në pritje. Politika redaktuese në mediet e Kosovës, zakonisht, dirigjohet nga pronarët e televizioneve. Tashmë, sondazhet janë në modë dhe, jo rrallë, surprizojnë, befasojnë me shifrat e tyre, në përmasën dëshirore. Megjithatë, për ta mjegulluar njëanshmërinë e qëllimshme të tyre, televizionet transmetojnë edhe sondazhe të pavarura, qofshin ato nga shoqata të specalizuara ndërkombëtare apo vendore”, thekson ai.

Abrashi ka fshehur hendikepin e LDK-së: Shantazhin nga PDK-ja

Megjithatë sipas tij, Abrashi po fshehë, artificialisht, diçka të madhe, hendikepin që ka LDK-ja, përkatësisht, Isa Mustafa, me klanin e tij, i cili u shantazhua nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj, të dirigjuar nga Hashimi.

“Së pari, prishi koalicionin LVV-LDK; së dyti, me mocion, rrëzoi qeverinë Kurti. Kjo, tashmë, është një e fshehtë publike, e denoncuar nga zyrtarë parësorë amerikanë, BE-ja dhe, sidomos nga Gjermania, e cila zyrtarisht, përmes "DW" (Zëri Gjerman), thotë se "organizimin e rrëzimit të qeverisë Kurti e bëri njeriu që sot akuzohet nga Haga, Hashim Thaçi dhe i ndihmuar nga Isa Mustafa me disa të tjerë". Pezmin, zemërimin ndaj LDK-së e ka shtuar edhe përjashtimi banditesk i nënkryetares të partisë, Vjosë Osmani, nga klani Mustafa, duke provokuar dhe lënduar, skajshëm, anëtarësinë, elektoratin dhe shqiptarët, të cilët kërkojnë ndryshimin. Tashmë, edhe elektorati tradicional i LDK-ë, është vënë në dilemë dhe ka ngjallur pakënaqësi e kundërshti edhe në mjediset familjare. Në shumë raste prindërit dhe fëmijtë, nuk e bashkojnë votën. Dhe, kjo është e dhimbshme, Megjithatë, klani ka vendosur ta çojë inatin deri në fund”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se Abrashi edhe mund të mos besoj sondazhet që e zbresin LDK-në poshtë, mirëpo edhe rritja e kësaj partie është vështirë e besueshme. E për këtë Zeqiraj ka numëruar edhe disa arsye.

“Zotëri Abrashi ka të drejtë të mos u besojë sondazheve, të cilat e zbresin shumë LDK-në, në renditjen tabelare të subjekteve politike. Por, "si dukën bathët e priftit", edhe ngritja e paralajmëruar nga zotëri Abrashi, vështirë të arrihet, në mos e pamundur. Arsyeja: LDK-ja "harroi" të gjitha premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore 2019, për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin, çkapjen e shtetit! "Harroi" edhe betimin se nuk koalicionon me partitë e PAN-it! Rrjedhimisht, thelloi dyshimin se "harroi" dhe braktisi edhe parimet bazë, frymën rugoviane. Kështu, i dha të drejtë Vjosë Osmanit, të pretendojë se "elektoratin e LDK-së e përfaqësoj unë", ju mbani logon "LDK", rrejshëm”, vlerëson ai.

Zeqiraj tutje thotë se është ngulitur bindja në anëtarësi, elektorat dhe popull, se LDK-ja mbetët peng i klanit vicioz Mustafa.

“Ai refuzon, haptazi, reformimin e partisë, ndryshimin e qeverisjes të Kosovës. Ngulmon në ruajtjen e statusquos, duke ruajtur njëherësh edhe pozitat partiake, për të mbrojtur interesat personale e grupore. Ky klan ka dëshmuar se vazhdimësinë e qeverisjes me PAN-in kriminal, e ka në agjendën e tij të gjithëmonshme. Dhe, kushdo që kërkon shkëputjen nga ingranazhi, kthetrat e PAN-it, shpallet armik i partisë, anti-shtet dhe demonizohet! SHIK-u vepron edhe pa kryeshefat themelues të tij”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Mehmeti: Rritja e LDK-së, vetëm në imagjinatën e tyre

Image
Faton Mehmeti

Poashtu edhe njohësi i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti, duke komentuar deklaratën e Abrashit, thotë se i jep përshtypjen se brenda LDK-së ka humorista dhe jo politikanë serioz, pasi rritja e kësaj partie është e vështirë.

“Ndonjëherë me krijohet përshtypja sikur në LDK sot ka humorista dhe jo politikanë seriozë. Si mund të ketë rritje, derisa njerëzit po largohen nga LDK. Rritja është vetëm në imagjinatën e tyre, në këtë rast të Arbanit, por në terren situata është krejt ndryshe”, vlerëson Mehmeti.

Sipas tij, LDK-ja po ka rënie vazhdimisht dhe kjo do të shihet edhe ditën e zgjedhjeve.

“LDK ҫdo ditë ka rënie, dhe kjo vërehet kudo. 14 shkurti do të jetë dita që do e zgjoj nga ëndrrat lidershpin e LDK, të cilët do e marrin ndëshkimin më të madh që nga krijimi i saj.Është për tu qarë me lotë e gjithë situata aktuale e LDK, nga një parti e vlerave në një parti të kapur nga klane”, vlerëson Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat