Lirimi i Thaçit dhe të tjerëve do të frikësonte dëshmitarët

Politika

Lirimi i Thaçit dhe të tjerëve do të frikësonte dëshmitarët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 shkurt 2021 Në ora: 19:11
Foto ilustrim “Bota sot”

Gjykata Speciale edhe zyrtarisht nuk e ka pranuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton “Bota sot”.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vendosur që veç e veç, të gjithë të akuzuarve t’ua refuzojë kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht.

Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, janë renditur argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojnë të qëndrojë në paraburgim. Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ata nuk duhet të lirohen as përkohësisht.

E, lidhur më këtë refuzim, për gazetën “Bota sot”, kanë folur njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Analistët janë të mendimit se një lirim i tillë, do t’i frikësonte edhe dëshmitarët, e të cilët edhe mund pastaj të ndryshonin deklaratat, që do e komplikonin edhe më shumë punën e gjykatës.

Për njohësit e rrethanave politike, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, duhet të përballën me drejtësinë, përkatësisht me Gjykatën Speciale me seli në Hagë, duke i’u përgjigjur kështu akuzave të rënda ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Mehmeti: I pritur refuzimi, një lirim i tillë do i frikësonte edhe dëshmitarët

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se ka qenë i pritur refuzimi i kërkesës për ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerët për lirim të përkohshëm.

Image
Faton Mehmeti

“Duke pasur parasysh akuzat për të cilat akuzohet Thaçi, ka qenë i pritshëm një refuzim i tillë. Sa më e rëndë të jetë akuza, aq më e vështirë është që të pranohet kërkesa për lirim, shto këtu pastaj frikën që krijohet tek dëshmitarët”, u shpreh ai.

Tutje, Mehmeti ka potencuar një prej shkaqeve për këtë refuzim, mund të jetë edhe frikësimi i dëshmitarëve.

“Një lirim i tillë do i frikësonte edhe dëshmitarët, e të cilët edhe mund pastaj të ndryshojnë deklaratat, që do i komplikonte shumë punë gjykatës. Shto këtu pastaj edhe vrasjet e dëshmitarëve që kanë ndodhur në proceset e më hershme ndaj Haradinajt apo Limajt. Në këtë sens bëhet e pamundur që gjykata të merrte vendim tjetër, pos refuzimit. Nuk besoj se do të kishin ku të shkonin, ku të strehoheshin, kështu që nuk e besoj se gjykata ka pasur këtë shqetësim, shqetësimi kryesor ka qenë tek dëshmitarët, për arsyet që i ceka më lart”, ka thënë, analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj: Mos-lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, i drejt, i duhur dhe imediat.

Kurse, analisti tjetër politik, Fatmir Bajraj, shprehet se vendimi i Gjykatës Speciale për mos-lirimin të ish-krerëve të UÇK-së, i drejt, i duhur dhe imediat.

Image
Fatmir Bajraj

“Vlerësimi i kryeprokurorit special, Jack Smith për rreziqet e një lirimi eventual me kusht të z. Thaçi dhe tjerëve të akuzuar për krime të rënda; krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar specifikisht mundësitë reale të cilat do të dërgonin jo vetëm në dëmtimin, por edhe në dështimin e gjithë procesit gjyqësor, për çfarë nuk është i interesuar askush, përjashto këtu familjarët e të akuzuarve dhe bashkautorët e krimeve të pretenduara të cilët janë ende të lirë dhe me gjasë target i Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomave të Specializuara dhe ZPS”, ka thënë Bajraj.

Madje, Bajraj shprehet se ky vendim, duhet të shihet si një nga vendimet më kruciale të kësaj gjykate.

“Ky vlerësim i bazuar dhe i drejt i kryeprokurorit Jack Smith, është marr për bazë nga gjykatësi i procedurës paraprake, z.Nicolas Guillou, dhe iu është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarve për lirim me kusht, dhe ky refuzim duhet të shihet si një nga vendimet kruciale të kësaj gjykate e cila në sytë e opinionit shihet si vendim adekuat dhe shpresëdhënës për fatin e viktimave dhe zbardhjen dhe dënimin e autorëve të krimeve të cilat mbajnë peng të ardhmen e vendit dhe të familjeve të dëmtuarve të cilët jetojnë me ankth që mese dy dekada”, ka potencuar me tej ai.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se me lirimin eventual, do të ishin në rrezik dëshmitarët dhe autorët e vrasjeve politike, të cilët mund të jenë vrasës me pagesë.

“Sistemi i ngulfatur i drejtësisë, pikërisht nga këta katër të akuzuarit që gjendën në Hagë, dhe të cilët nuk janë të vetëm por vetëm disa prej tyre, duke përfshi organin e akuzës, të ndjekjes dhe gjyqësorin, jo vetëm se nuk do t’ia dilte mbanë të ruaj këtë kategori të rrezikuar në një rast të tillë, por nuk do të ishte as interes i tyre dhe i titullarëve të këtyre organeve të cilët janë vartës të akuzuarve të Gjykatës Speciale, dhe figurant pa fuqi autentike dhe ekzekutive në shtetin e kapur tani e mbi dy dekada”, tha ai.

Bajraj ka parashikuar se në rast të lirimit, do t’i ndihmonte të akuzuarit në riorganizimin e tyre.

“Lirimi eventual i tyre, do t’i ndihmonte të akuzuarit në riorganizimin e NPK-së, sidomos tani kur mbrojtja ka në dorë disa nga faktet mbi të cilat është konfirmuar aktakuza për ish-krerët e UÇK-së, përkatësisht, NPK sipas Dhomave të Specializuara dhe ZPS me seli në Hagë, duke eliminuar gjurmët dhe faktet e detektuar nga Gjykata Speciale dhe eliminimin fizik të ndonjërit nga akterët e mbetur në jetë nga arsye nga me të ndryshmet”, ka potencuar Bajraj.

Ai ka thënë se vdekja e dyshimtë e Fadil Syleviqit, ish-policit të Kosovës, më 15 janar të këtij viti, flet mjaftë për klimën dhe gjendjen reale të sigurisë në Kosovë, sidomos për ata të cilët dinë dhe ishin të përfshirë në vrasjet politike të ndodhura në prag të luftës sonë çlirimtare, gjatë dhe pas saj.

“Frikësimi i dëshmitarëve nga ana e të akuzuarve, nuk do ishte më opsion real, ngase këtij opsioni nuk mund t’i besojnë më të akuzuarit dhe në vend të këtij opsioni, do vije në shprehje; eliminimi dhe zhdukja fizike, qoftë kjo edhe detyrimi në vetëvrasje dhe mos zbulimi i së vërtetës. Rast i ngjashëm, ose për motive të njëjta, cilësohet edhe rasti i Agim Zogajt, i gjetur i vrarë në një park në DE, i cili mori të “vërtetën” me vete duke i heshtur të tjerët, fatkeqësisht”, tha ai.

Ai shprehet po ashtu se lirimi me kusht i tyre, do të eklipsonte dëshirën dhe shpresën e Kosovës për t’u liruar nga ankthi i familjarëve të vrarëve.

“Një lirim eventual i të akuzuarve; Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, do të ishte akt asfiksi të procesit gjyqësor, e kundërta e së cilës është imediate për zbardhjen, kapjen dhe dënimin e merituar për të gjithë ata të cilët u përfshinë në vrasjet politike të bashkëpunëtorëve të presidentit Rugova të cilët shquhen për veprimtari politike, patriotike dhe atdhetare në projektin nacional të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Lirimi me kusht i tyre, do të e eklipsonte dëshirën dhe shpresën e Kosovës për t’u liruar nga ankthi i familjarëve të vrarëve për motive të ulëta pushteti; pa hak, pa gjyq dhe pas shpine, si dhe do të çlironte vendin nga terri mbi të vërtetën që mbanë peng perspektivën dhe progresin tonë si shoqëri dhe shtet”, u shpreh analisti Bajraj.

Krejt në fund, analisti Bajraj ka nënvizuar se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, duhet të përballën me Drejtësinë, përkatësisht me Gjykatën Speciale me seli në Hagë, duke i’u përgjigjur kështu akuzave shumë të rënda si pasoj e një Rezolute të Këshillit të Evropës.

“Duhet përgjigjur akuzave shumë të rënda si pasoj e një Rezolute të Këshillit të Evropës , të bazuar në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, në këtë mënyrë do hiqnin çdo dilemë se këto akuza nuk kanë të bëjnë me luftën tonë për liri dhe aq më pak, me UÇK-në, prapa së cilës fshihen të akuzuarit dhe bashkautorët e krimeve të pretenduara dhe pse jo edhe ata të cilët verbërisht i besojnë një të vërtetë të sajuar dhe të konstruktuar prej NPK-së. Poqëse dikur vrasjet politike ishin imediate për ardhjen në pushtet nga ana e Shtabit të Rognerit, që derivoj NPK-në, dhe levat tjera anti-shqiptare si SHIK-u dhe bashkëpunimin me SHISH-in, tani ndihma në zbardhjen dhe dënimin e kriminelëve bënë aktin ma sublim atdhetar dhe patriotik të shoqërisë sonë”, ka theksuar Bajraj.

Kujtojmë se më 4 nëntor 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat