Njohja nga Izraeli, arritja më e madhe diplomatike e Kosovës – analisti ka një shpjegim edhe për mospjesëmarrjen e Vjosa Osmanit

Politika

Njohja nga Izraeli, arritja më e madhe diplomatike e Kosovës – analisti ka një shpjegim edhe për mospjesëmarrjen e Vjosa Osmanit

Nga: G.B Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 22:40
Nënshkrimi i marrëveshjes

Është zyrtarizuar sot njohja në mes të Kosovës dhe Izraelit. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi është lajmëruar nga Jerusalemi në ceremoninë virtuale të zyrtarizimit të kësaj njohjeje.

Pas deklaratave ku ai dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla e kanë falënderuar e uruar njëri-tjetrin, Ashkenazi e ka zbuluar pllakën me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ka ardhur si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se kjo është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës në një dekadë.

"Pas njohjes nga Amerika dhe shtetet e mëdha të Evropës, shume vite pas pavarësisë Kosova me 1 shkurt 2021 u njoh dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetin e Izraelit. Kjo është arritja më e madhe diplomatike e Kosovës në një dekadë. Izraeli është modeli i shtetit të suksesshëm, modeli i shtetit të vogël të fuqishëm, është shtet i popullit të librit, është shtet i popullit që ka provuar zhdukjen e persekucionin dhe holokaustin, është shteti i popullit që ka ngjashmëri të mëdha me shqiptarët e sidomos me Kosovën. Izraeli është modeli e shembulli i përkryer i popullit të solidaritetit njerëzor mes njëri – tjetrit dhe këtu të kujton shqiptarët e Kosovës para luftës kur solidaritetin e kishin mënyrë jetese, mënyrë të menduari e të vepruari", është shprehur ai.

Sipas Shahut, me këtë njohje u vu kufiri i qartë, se Kosova nuk mund të bëhet bahçe e ekstremizmave fetare që mbjellin urrejtje kundër perëndimit, duke shtuar se me 1 shkurt u kurorëzua një pjesë e marrëveshjes së Trump, e cila u kërcënua me mosnjohje e mos pranim.

"Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin e njohjen e Kosovës shtet të pavarur prej këtij shteti, u vu një kufi i qartë e i prerë, Kosova nuk mund të bëhet më bahçe e ekstremizmave fetare që mbjellin urrejtje kundër perëndimit. 1 shkurti 2021 është ditë në shenjë për Kosovën, se vendosi miqësi me shtetin e Izraelit, që është një histori e jashtëzakonshme suksesi. U kurorëzua një pjesë e marrëveshjes që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit Trump, mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuciq. U përfol e u kërcënua me mos njohje e mos pranim kjo marrëveshje nga politikanë arkaikë e folklorikë në Kosovë, por Amerika është institucionale me Kosovën e miqësinë e saj, nuk e ka miqësinë miqësi kafenesh e OJQ", ka vlerësuar Rexhep Shahu për "Bota sot".

Ngjarjen e sotme ai e quan të rrallë për Kosovën, dhe thotë se nuk e shëmtuan me praninë e tyre as Osmani e pranimi apo refuzimi i Kurtit.

"Shqiptarët kujtuan sot se u kurorëzua ajo që bëri presidenti Trump ku u be si centraklist dhe i lidhi në telefonin e tij kryeministrin e Izraelit dhe të Kosovës. Sot në Kosovë ishte ngjarje e rrallë dhe nuk e shëmtuan dot me mungesë në ceremoni presidentja në detyrë Vjosa Osmani, e cila nuk mori pjesë në ceremoni. Por pak rëndësi ka pranimi, ose refuzimi i saj apo i Albin Kurtit që e refuzonte dhe kërcënonte me refuzim këtë që u arit sot. Kosova nga sot ka një mik e një aleat të jashtëzakonshëm siç është shteti i Izraelit, falë këmbënguljes së ambasadorit Grenell dhe presidentit Trump. Kush u gëzoftë, u gëzoftë. Kush u idhnoftë, u idhnoftë", ka deklaruar Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat