Profesori tregon arsyen e mospjesëmarrjes së Osmanit në ceremoninë e marrëveshjes Kosovë-Izrael

Politika

Profesori tregon arsyen e mospjesëmarrjes së Osmanit në ceremoninë e marrëveshjes Kosovë-Izrael

Nga: A.Morina Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 22:58
Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e zyrtarizimit të njohjes reciproke Kosovë-Izrael, shkruan "Bota sot".

Edhe pse vendit sot iu shtua një njohje shumë e rëndësishme Osmani zgjodhi të mos u bashkohet Hotit e Ambasadorit të SHBA-së në ceremoni. U.d. e Presidentit në këtë ceremoni e dërgoi këshilltarin e saj, Faton Peci.

Njohësi i çështje kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mungesën e U.d. të Presidentit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Izrael.

Kelmendi deklaroi se një nga arsyet se mospjesëmarrjes së Osmanit në këtë ceremoni janë fushatat të cilat po mbahen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Tash është koha e fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe në këtë gjendje ka një tolerancë në raporte dhe në qëndrime.

Natyrisht se ka edhe fërkime dhe goditje më të ashpëra se në kohë pa fushatë elektorale. Me këtë nuk po e arsyetoj z. Osmani, kjo i takon asaj të tregoj shkaqet e mos pjesëmarrjes në ceremoni”, u shpreh profesori.

Në vazhdim, Kelmendi shpjegoi se ceremonitë e tilla organizohen nga Presidenti i vendit dhe se letrat kredenciale të ambasadorit të Izraelit paraqiten te Vjosa Osmani.

“Kuptohet se letrat kredenciale nga ambasadori i Izraelit iu kanë ose i paraqiten z. Osmani, sepse ajo e ushtron detyrën e të parit të shtetit, të Presidentit. Ndoshta këtu është edhe shkaku, pasi ceremonia organizohet në rastet të tilla nga Presidenti. Aty dhe me paraqitjen e letrave kredenciale ka edhe ceremoni”, theksoi ai.

Në fund, Kelmendi meritat kryesore për këtë marrëveshje ia adresoi Amerikës dhe ish-Presidentit Trump. Kurse, sa i përket Qeverisë së Kosovës tha se ajo nuk ka kontribuar fare në këtë çështje.

“Mirëpo, është fushatë dhe këtë rast po e shfrytëzojnë për fushatë, duke menduar se janë faktorë të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Kjo nuk është reale. Pasi, është ish-presidenti Trump i SHBA-ve që ka realizuar marrëdhëniet diplomatike.

Këtu fare Qeveria e Kosovës dhe vetë Kosova nuk ka kontribuar, por fushata i toleron këto marifete dhe në Kosovë është gjë normale puna e tillë. Andaj, kjo merret vetëm si fushatë”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat