Mungesa e komandantëve të arrestuar nga Gjykata Speciale, do të ndikojë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Politika

Mungesa e komandantëve të arrestuar nga Gjykata Speciale, do të ndikojë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 shkurt 2021 Në ora: 17:01
Fotografi ilustruese

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ish-deputeti nga VV-së Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i NISMA-s, aktualisht janë në Dhomat e Specializuara duke u përballur me drejtësinë.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi, Prokuroria pretendon që ai të jetë i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sikurse edhe për Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin.

Mirëpo, në Kosovë po zhvillohet tjetër situatë. U.d e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar datën e zgjedhjeve më 14 shkurt, dhe partitë politike janë duke u përgatitur.

Edhe pak ditë hapet edhe zyrtarisht fushata zgjedhore, ku partitë do të paraqesin programet e tyre para qytetarëve me të cilat do të garojnë dhe do ta kërkojnë votën.

E, analistët mungesën e tyre e shohin si ndikim në këto zgjedhje po që në aspektin elektoral, mungesa e tyre do të kompensohet.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi: Mungesa e tyre në zgjedhje do të vërehet

Analisti politik Islam Krasniqi për “Bota sot”, shprehet se, mungesa e tyre do të kompensohet.

“Në anën tjetër, mungesa e z. Veseli në PDK, ka ndikuar në një mobilizim të paparë në këto zgjedhje, si shenjë solidarizimi me Kryetarin Veseli, Presidentin Thaçi por edhe të tjerët, gjë që mendoj që bazuar në aspektin elektoral, mungesa e tyre do të kompensohet”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, mungesa e tyre mund të ndikojë në këto zgjedhje, dhe është e natyrshme që vendin e liderit s'mundet të zë askush.

“Mungesa e tyre mund të ndikojë në këto zgjedhje pasi që krerët e PDK-së Thaçit dhe Veselit janë në Hagë dhe e terë barra ka ra mbi z.Lushtku njëherë edhe kryetar i PDK-së dega në Skenderaj, dhe është e natyrshme që vendin e liderit s'mundet të zë askush”, thekson Krasniqi.

Ai shprehet se, edhe mungesa e Rexhep Selimit do të ndikojë pasi që ai ka një rreth të gjerë që ka ndihmuar në procesin zgjedhor dhe fushatat e VV-së.

“Edhe mungesa e z. Selimi do të ndikojë në këto zgjedhje pasi që ai ka bukur rreth të gjerë të cilët i ndihmuan dhe e përkrahen në zgjedhje dhe fushatat e VV-së në zgjedhjet e kaluara, pas që z. Selimi kishte një kontribut të pa zëvendësueshme si në luftën çlirimtare ashtu edhe në proceset e shtetndërtimit, ku shpeshherë ishte edhe zëri kryesor për shumë çështje në kuvendin e republikës së Kosovës që i kundërshtonte shumë marrëveshje që nuk ishin në interesin e vendit tonë. Gjersa NISMA nuk e ndjen mungesën e z. Krasniqi pasi që ai ishte shumë pasivë në politikë kohëve të fundit duke u tërhequr nga politika me heshtjen e tij”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Mungesa e tyre ndikon por edhe dallon nga subjekti në subjekt

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”, ka thënë se, mungesa e tyre ndikon por edhe dallon nga subjekti në subjekt.

“Se sa ndikuese është mungesa e të arrestuarve nga Gjykata Speciale në subjektet respektive, tani në prag të zgjedhjeve, besoj ka dallim nga subjekti në subjekt. Përderisa PDK ishte vërtetë e nënshkruar me marrjen e Kryetarit Veseli, mendoj që subjektet tjera kanë më shumë hapësirë kompenzuese”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, VV dhe Nisma, janë të koncentruar në ndikimin e liderëve të tyre, në aspektin organizativ nuk është që vërehet shumë mungesa e z. Selimi, përkatësisht z. Krasniqi.

“Duke qenë se subjektet VV dhe Nisma, janë të koncentruar në ndikimin e liderëve të tyre, në aspektin organizativ nuk është që vërehet shumë mungesa e z. Selimi, përkatësisht z. Krasniqi. Natyrisht që mungesa e tyre ka ndikim në aspektin njerëzorë, por jo do të thosha në atë tekniko-organizativ”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat