“Sulmi” ndaj Albin Kurtit, vjen alarmi nga profesori: Mund të ndodhin skena më të rrezikshme – zbulon shkaqet pse po ndodhin këto

Politika

“Sulmi” ndaj Albin Kurtit, vjen alarmi nga profesori: Mund të ndodhin skena më të rrezikshme – zbulon shkaqet pse po ndodhin këto

Nga: N. H Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 22:48
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka qëndruar mbrëmë në Skenderaj ku ka zhvilluar fushatën parazgjedhore, raporton “Bota sot”.

Kurti është vërshëllyer nga disa të rinj të cilët edhe kanë brohoritur “Thaçi-Thaçi”.

Lidhur me incidentin, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike në vend.

Profesori, Sulejman Mehazi, ka thënë se parashenjat e fushatës zgjedhore të 14 shkurtit tregojnë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do të jenë në shënjestër të sulmeve verbale e fizike nga simpatizantët e militantët e partive kundërshtare.

Image
Sulejman Mehazi

“Kjo u vërtetua, u pa e u dëgjua me shkuarjen e Albinit në veri të Mitrovicës nga ‘krrokamat’ ofenduese e sharjesh të militantëve serb, e në Skenderaj nga simpatizantët e PDK-së së Enver Hoxhajt që elektrizuan e dramatizuan situatën me hedhjen e vezëve ndaj Kurtit në Skenderaj. Këto sulme ndaj Albinit bëhen ende pa mos filluar fushata zgjedhore, po çfarë do bëhet me Kurtin e Vjosa Osmanin sapo do zyrtarizohet fushata zgjedhore një zot e di”, ka thënë Mehazi.

Me tej, ai konsideron se kështu si ka filluar, mund të ndodhin edhe skena më të rrezikshme e të paparashikueshme ndaj Albin Kurtit dhe subjektit të tij, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në anën tjetër, militantët e partive kundërshtare sa më shume që do i kundërvihen dhunshëm Albin Kurtit, Vetëvendosje aq më bindëse do jetë ndaj qytetarëve të Kosovës. Agresiviteti i partive konkurruese ndaj Albin Kurtit nuk është i rastësishëm, pasi qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar, e për shkak të këtij vetëdijesimi partitë e korruptuara mundohen ta fajësojnë e provokojnë me çfarë do metoda të shëmtuara Albin Kurtin e Vjosa Osmanin. Përvoja agresive dhe e pa matur e PDSH-së së Menduh Thaçit ndaj BDI-së së urtë të Ali Ahmetit në Maqedoninë Veriore tregoi se populli vendosi në kutitë e votimit e jo dhuna e agresiviteti i PDSH-së gjatë cikleve zgjedhore në RMV”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, Mehazi nënvizon se krejt kjo po ndodh për shkak të shenjave të humbjes që partitë politike do të pesojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Frika ndaj humbjes së pushtetit partitë kundërshtare i bën agresiv, të pa matur e të pa logjikshëm jo vetëm ndaj Kurtit, po edhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Mos e dhashtë të vritet dikush gjatë këtyre zgjedhjeve të shkurtit të ftohtë, po me temperatura të larta militantesh”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat