Çfarë simbolizojnë sloganet e partive politike?

Politika

Çfarë simbolizojnë sloganet e partive politike?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 3 shkurt 2021 Në ora: 08:09
Foto ilustrim “Bota sot”

Edhe pse fushata elektorale zyrtarisht do të nisë më 3 shkurt dhe do të përfundojë më 12 shkurt, partitë politike ka kohë që e kanë nisur atë.

Ndërsa po mbajnë tubime në vende të ndryshme, partitë politike kanë zbuluar edhe sloganet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e reja.

Kështu “Krejt dhe Drejt”, do të jetë slogani i LVV-së do të jetë. Sipas Kurtit, kjo do të thotë se: “Referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet! #krejtdhedrejt”.

Por edhe kandidatja për presidente nga Vetëvendosje, Vjosa Osmani, e cila do të garojë për deputete nën petkun e VV-së ka dhënë sqarime pse një slogan i tillë. Ajo ka thënë se “Fjalën “Krejt” e lidhi me “shumicën”, kurse “drejt” me fitoren”.

Kështu edhe Vjosa Osmani ka zbuluar ka zbuluar moton e listës së saj, për zgjedhjet që pritet të mbahen.

Slogani që Osmani ka publikuar është “Guxo” këtë e bëri publike përmes një postimi në Facebook, duke lënë të kuptohet se kjo do të jetë motoja e saj për zgjedhjet.

Partia Demokratike e Kosovës që në këto zgjedhje ka kandidat për kryeministër Enver Hoxhajn, në mungesë të Kadri Veselit që gjendet në Hagë, ka vendosur të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit me sloganin “Rimëkëmbje”. Si arsye pse kanë vendosur të garojnë me këtë slogan kanë deklaruar se duan ta rimëkëmbin Kosovën në të gjitha fushat.

Lidhja Demokratike e Kosovës që edhe në këto zgjedhje kandidon me Avdullah Hotin për kryeministër, ka përzgjedhur në sloganin “Shteti. Shtet.” i cili është slogani i prezantuar nga Hoti.

Ai ndër tjerash është zotuar se do të angazhohet për një qeverisje që siguron kohezion, jo përjashtim dhe konfrontim shoqëruar e institucional.

Fatmir Limaj ka prezantuar sloganin e Nismës Socialdemokrate për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Me çlirimtarët!”, do të jetë slogani përmes së cilës NISMA do të ftojë qytetarët ta mbështesin atë.

“Angazhimi ynë nuk është të mbrojmë individë të caktuar, por të mbrojmë vlerat e luftës dhe vlerat kombëtare të këtij vendi dhe mbrojtjen e së vërtetës”, ka zbërthyer Limaj sloganin e Nismës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zgjedhur sloganin “Forca e Kosovës” për fushatën zgjedhore. Promovimin e këtij slogani e ka bërë në llogarinë e vet në “Facebook”, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është edhe kandidat për president të Kosovës.

Këto slogane kanë ngjallur reagime të shumta, madje janë komentuar edhe nga disa njohës të çështjeve politike.

Kosova në gjendje të thellë të dështimit

Kështu analisti Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se politika dhe pandemia, Kosovën e kanë sjellë në dështim të përgjithshëm, kjo e gjitha nga politika e keqe shumëvjeçare. Rrëzimi vargor i kabineteve qeveritare është realitet imitues sepse partive i mungojnë programet.

Image
Skënder Zogaj

“Viti plot me ngrica politike dhe me stuhinë e egër pandemike të coronavirusit -19, Kosovën e kanë sjellur në gjendje të thellë të dështimit tē përgjithshëm. Kjo gjendje është rezultati i politikës së keqe shumëvjeçare, e cila ka dështuar duke e lënduar boshtin historik të Kosovës, që as 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe shpalljes shtet i lirë dhe i pavarur, nuk po mund të realizoj as detyrat më elementare të funksionimit shtetëror. Rrëzimi vargor i kabineteve qeveritare është realitet irritues që reflekton dëshpërim, sepse, partive politike u mungojnë programet dhe tejkalimi i kësaj situate duket mjaft i vështirë”, tha ai.

Më tej ka shtuar se sloganet janë komplikime idesh të banalizuara dhe të ngjashme me parullat etiketuese ish-komuniste.

Ai thotë se për çfarë “shteti. Shtet”, bëhet fjalë, apo se çfarë synon thirrja “Guxo”. Prandaj këto slogane lënë shumë për të dëshiruar, sepse ngjasojnë me tiketat e hekurta.

“Këtë përshtypje krijojnë edhe sloganet e të gjitha partive politike për fushatën parazgjedhore, që janë kompilime idesh të banalizuara, të ngjashme me parullat etiketuese ish komuniste, si: "shteti. shtet."; "guxo", "krejt dhe drejt", "rimëkëmbje" etj. që nuk zgjojnë asnjëlloj kërshërie, për më tepër në gjendjen aktuale që ndodhet Kosova duken imituese. Për çfarë "shteti. shtet" bëhet fjalë? Çka synon thirrja "guxo"?. Çka synon slogani "krejt dhe drejt" etj. Prandaj sloganet e partive politikë për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, lënë shumë për t'u dëshiruar, sepse u ngjajnë tiketave të hekurta”, tha ai.

Sloganet pa peshë

Ndërsa, analisti Sulejman Mehazi, ka thënë se në vendet evropiane, sloganet partiake e kanë kuptimin e qershisë mbi torte, por jo në Kosovën e korruptuar e të zhvatur nga vetë partitë që luftojnë pushtet.

Ai thotë se në Kosovë, nuk kanë aq peshë sloganet e partive, sepse gjatë fushatave zgjedhore lavdërohen me slogane premtuese, ndërsa pas zgjedhjeve turpërohen me gënjeshtrat e tyre premtuese.

Image
Sulejman Mehazi

“Sloganet partiake gjatë fushatës zgjedhore e kanë kuptimin e qershisë mbi tortë, po në shtetet serioze evropiane e jo në Kosovën e korruptuar e të zhvatur nga vetë partitë që luftojnë për pushtet. Sloganet e partive politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni mund t'i krahasojmë një, me birat e shoshave që nuk mbyllen kurrë, dy, me gojët e politikanëve që me premtime e gënjeshtra nuk mbyllen kurrë. Prandaj, sloganet e partive politike në Kosovë nuk kanë shumë peshë, janë dyfytyrëshe, sepse gjatë fushatave zgjedhore lavdërohen me sloganet premtueses e pas zgjedhjeve turpërohen me gënjeshtrat e tyre premtuese”, tha ai.

Sipas tij, partitë politike për të zgjedhur sloganet për fushatë japinë para vetëm për një fjalë, siç është me: “Shteti, shtet”, “Rimëkëmbje”, apo “Forca e Kosovës”, madje mund edhe të ndodh që slogani i gabuar i partive politike të bëhet shkak i humbjeve paszgjedhore.

“Vlen të përmendim se partitë politike për të zgjedhur sloganet për fushatë japin para të majme vetëm për një fjalë apo sintagmë, p.sh. "Krejt e drejt"-LVV, "Shteti, shtet."-LDK, "Rimëkëmbje"-PDK, "Forca e Kosovës"-AAK, "Me çlirimtarët"-Nisma. Të gjitha sloganet partiake janë emëruar sipas karakterit premtues elektoral, ndodh që slogani i gabuara i partive politike të bëhet shkak i humbjeve paszgjedhore”, tha ai.

Më tej Mehazi, ka theksuar edhe kuptimin e sloganeve politike, kështu sipas tij “Krejt e drejt” i LVV-së, ka kuptimin e fitores absolute, ndërsa slogani “Shteti, Shtet” i LDK-së, e ka kuptimin e një partie e cila është lëvizje për të udhëhequr shtetin.

“Karakteri porositës "Krejt e drejt" i LVV-së e ka kuptimin e fitores absolute, plebishitare me një "drejtësi krejt" të barabartë për qytetarët e Kosovës. Krejt të votoni LVV-në për të qenë te barabartë para drejtësisë. Sloganin "Shteti, Shtet" i LDK-së e ka kuptimin e një partie e cila di të bëjë shtet e se është lëvizje për të udhëhequr shtetin, mirëpo fjala e dytë "Shtet, e ka kuptimin e një farë diktature, dicipline të qytetarëve ndaj ligjeve të "Shtetit për shtet", tha ai.

Ndërsa si slogan më i gabuar, thotë se është slogani i PDK-së “Për rimëkëmbje ekonomike”. Mirëpo përderisa nuk e rimëkëmbi Kosovën kurrë, do të duhej të ishte “Rimëkëmbje për PDK-në”, e kurrsesi për Kosovën. Kurse për sloganin “Forca e Kosovës” të AAK-së dhe “Me çlirimtarët” e Nismës, thotë se janë emra të njëjtë por me fjalë të ndryshme.

Më tej shton se sloganet nuk luajnë rol tek qytetarët, por liderët politikë të partive politike.

“Slogani më i gabuar na duket ai i PDK-së "Për rimëkëmbjen e Kosovës", ky slogan do ishte shumë i logjikshëm sikur të ishte "Rimëkëmbje për PDK-në" e kurrsesi për Kosovën për shkak se PDK-ja me dekada në qeveri e kurrë nuk e rimëkëmbi Kosovën. Me burgosjen e Thaçit e Veselit, duhet të rimëkëmbet PDK-ja. Sa për sloganin "Forca e Kosovës" e AAK-së dhe "Me çlirimtarët" e Nismës, janë emra të njejtë, por vetëm me fjalë të ndryshme: "Forca e Kosovës" bëhet "Me çlirimtarët". Shkurt e qartë, për qytetarët e Kosovës nuk luajnë rol sloganet, por liderët politikë të partive politike”, përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat