Analisti parashikon fituesin: Kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet, dhe ky është emri që do ta udhëheq qeverinë e re – “godet” sondazhet e fundit

Politika

Analisti parashikon fituesin: Kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet, dhe ky është emri që do ta udhëheq qeverinë e re – “godet” sondazhet e fundit

Nga: N. H Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 12:55
Avdullah Hoti, Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nisi sot edhe zyrtarisht, dhe për dhjetë ditë me radhë subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte partia e parë që hapi fushatën menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një video-materiali, në të cilin kandidati për kryeministër Avdullah Hoti shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.

Por, kush do t’i fitojë këto zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Për këtë çështje ka folur njohësi i çështjeve politike në vend.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka parashikuar fituesin e këtyre zgjedhjeve.

Bajraj është shprehur i bindur se në krye të qeverisë së ardhshme, do të jetë kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Në garë për vendin e parë, më 14 shkurt, përballë njëra-tjetrës, janë dy shkolla, dy kultura, dy ideologji, dy mendësi dhe dy filozofi politike të sofistikuar në shtratit respektive, LDK-së dhe LVV-së. Lidhja Demokratike e Kosovës, lidere e lëvizjes sonë për liri e pavarësi në mbi tri dekada veprimtarie dhe angazhimi në projektin nacional; Kosova shtet sovran dhe demokratik, parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarësuar në PPE, e orientimit euro-perëndimor, me kulturë, mendësi dhe filozofi politike institucionaliste dhe në frymën e presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, si dhe; LVV-në, si Lëvizje nihiliste e ngritur mbi platformën politike të veprimit anarkist, refuzuese dhe kundërshtuese e lëvizjes sonë nacionale për liri e pavarësi, duke luftuar me të gjitha mjetet dhe metodat jokonvencionale, të gjitha proceset e vendit, që nga çlirimi, pavarësimi dhe shtet-ndërtimi deri në fund të ditës”, ka thënë veprimtari Bajraj.

Bajraj hedh akuza ndaj Vetëvendosjes, duke thënë se partia e Kurtit kishte zgjedhur logjikën dhe rolin e viktimizimit të vetvetes para qytetarëve.

“14 shkurti do të përplasë seriozisht dy koncepte dhe qasje diametralisht të kundërta për nga pretendimi dhe epilogu të cilin e nxjerrë vullneti i sovranit i shprehur lirshëm në kutitë e votimit. LDK-ja dhe VV-ja, si ish-partnerë të koalicionit qeverisës, bashkëpunimi i të cilëve zgjati vetëm 52 ditë, i ndanë rrugët dhe logjikën e funksionimit politik, me rastin e prishjes së marrëveshjes së koalicionit nga ana e VV-së dhe sabotimit të proceseve duke dezertuar nga përgjegjësitë kushtetuese dhe dorëzuar para procesit të dialogut me Serbinë, temë kjo për të cilën ishte dorëzuar edhe Qeveria e PAN-it, në krye me ish kryeministrin Haradinaj. Lëvizja Vetëvendosje, kishte zgjedhur logjikën dhe rolin e viktimizimit të vetvetes para qytetarëve, dhe jo vetëm kaq, por luajti edhe në kartën e fajësimit të administratës Amerikane dhe të Shtëpisë së Bardhë, për gjëja faktin tanimë të kryer të copëtimit të Kosovës dhe skanimin e një projekti tradhtie të ish-presidentit Thaçi, i cili tanimë duhej të ndodhte në Zyrën Ovale dhe në prani të Presidentit Trump, e me simboliken e asocimeve; “thikat mbi harta dhe kërcitja e shampanjës”, duke besuar kështu ndarjen e Kosovës, për çfarë u demantua në kohë”, tha ai.

Madje, ai konsideron se partia e Kurtit kishte mobilizuar dhe organizuar një luftë agresive propagandistike mediale kundër Qeverisë Hoti.

Image
Fatmir Bajraj

“LDK, si parti institucionaliste në mbi tri dekada veprimtari politike shtetërore; para gjatë dhe pasluftës, zgjodhi të qëndroj në front, duke rezonuar dhe vepruar me një koherencë dhe konsistencë shtetërore dhe me një durim të pjekur, krijimin e një shumice të re parlamentare dhe koalicioni qeverisës me kryeministër Dr.Avdullah Hoti. Vetëvendosje gjatë gjithë kësaj periudhe 6-7 mujore të Qeverisë Hoti, kishte mobilizuar dhe organizuar një luftë agresive propagandistike mediale kundër Qeverisë Hoti, duke përfshi mediat vizive dhe rrjetet sociale, për ta minuar punën dhe sukseset e kësaj Qeverie, dhe për të propaganduar për dështimin e kësaj Qeverie dhe të gjithë estabilishmentin politik të Republikës së Kosovës, Republikë, de fakto të cilën e kishte luftuar në mënyrë të sofistikuar gjatë gjithë rrugëtimit, VV-ja dhe lideri i saj, Albin Kurti”, ka potencuar Bajraj.

Kurse, shprehet se Lidhja Demokratike e Kosovës përgjatë kohës sa qeverisi me vendin, kishte zgjedhur rrugën e punës me përkushtim.

“LDK-ja, kishte zgjedhur rrugën tjetër; atë të punës me përkushtim, angazhimit serioz për shtetin dhe përballjen me sfidat nëpër të cilat kalojmë si shoqëri dhe shtet, për çfarë sukseset flasin dhe provojnë faktin se Qeveria Hoti, ishte Qeveri e suksesshme përkundër brishtësisë në numra dhe shantazheve nga partneri i koalicionit (AAK-ja). Rendi i ri botëror, kontekstet globale gjeopolitike dhe gjeostrategjike, përfshi këtu edhe rreshtimet dhe ri-rreshtimet si pasojë e interesave në njërën anë, si dhe pandemia globale me COVID-19, kanë etabluar një frymë globale vibrimi të erërave dhe ndryshimeve politike të cilat kanë lëkundur estabilishmentet politike në rajon dhe në gjithë globin, për çfarë nuk është kursyer edhe Republika e Kosovës”, tha ai.

“Kjo teknologji aplikative mediale, sikur ka marr primatin e “luftës” politike për të shtri influencën me metoda tejet të sofistikuare duke penetruar të shtresa të ndryshme të shoqërisë, dhe mbi të gjitha tek brezi i ri, manipulimi me të cilët duket së është ma produktiv dhe profitabil. LVV-ja, duke u bërë sehir proceseve dhe zhvillimeve politike në dobi të shoqërisë dhe shtetësisë së Kosovës, ka zgjedhë të sfidoj pushtetin, sistemin e vlerave dhe vetë shtetin e Kosovës, duke kapitalizuar në favor të vetin gjithë pakënaqësitë qytetare lidhur me qeverisjet e mëparshme dhe në veçanti, duke keqpërdorë akumulimin e çështjeve të pazgjidhura të vendit, të cilat dorën në zemër, përveç se bartin peshën e dështimeve tona, bartin edhe dështimet e Bashkësisë Ndërkombëtare, si konsekuencë e gjeopolitikës dhe rendit të ri botëror”, ka shtuar ai.

Me tej analisti Bajraj ka thënë se partia e Isa Mustafës në këto zgjedhje do të kërkojë votën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës, me besimin dhe bindjen se votuesi vlerëson drejtë punën dhe angazhimin e saj në qeverisje dhe seriozitetin e saj karshi interesit nacional.

“Një vend i izoluar, pa liri të lëvizjes dhe pa shtetësi të rrumbullakuar, për gabimet dhe dështimet tona si klasë politike, dhe jo vetëm, nuk mund të jetë imun, nga industria e propagandës agresive e një ideologjie të ekstremit të majtë siç është LVV-ja, e cila; alfa dhe omega të synimit dhe pretendimit praktik, ka pushtetin absolut i shfaqur edhe përmes sloganit; “Krejt dhe Drejt”. LDK-ja, në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të kërkojë votën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës, me besimin dhe bindjen se votuesi vlerëson drejtë punën dhe angazhimin e saj në qeverisje dhe seriozitetin e saj karshi interesit nacional të vendit, të cilin LDK-ja, nuk e tradhtoj kurrë dhe me asnjë çmim pavarësisht vendimeve jo-popullore por të dobishme për vendin”, tha Bajraj.

Ndërsa, nuk ka lënë pa i komentuar edhe sondazhet e fundit në vend, për të cilat ka thënë se janë të porositura nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sondazhet e paguara dhe të porositura të LVV-së, të cilat fabrikohen dhe publikohen me bujë gjithandej në mediet e shitura sorosiane, kanë për qellim krijimin sofist të një gjendje ireale për kinse rezultate progresive të një Lëvizje e cila dorën në zëmër, në bagazhin e vet politik, nuk ka asnjë kontribut në dobi të vendit dhe rrugëtimit të Republikës së Kosoves në rreth dy dekada, përkundrazi. Qëllimi i LVV-së, përmes sondazheve dhe industrisë propagandistike Gebelsiane, është edhe demotivimi dhe dekurajomi i kundërshtarëve politik, si dhe efekti antipod, i mobilizimit dhe rritjes së entuziazmit për fitore progresive, e cila do të quhej përmbysje e rezultateve në skenën politike, gjë që nuk është as reale dhe as objektive. LDK-ja, do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit në garë për të parin, duke përmbysë definitivisht pritjet e fabrikuare të industrisë propagandistike të mashtrimit të VV-së, të instaluar në media dhe rrjete sociale të cilat nga agu deri në mbrëmje, trumbetojnë fitoren absolute të VV-së, dhe asfiksojnë të vërtetën për LDK-në, dhe subjektet tjera në garë”, ka nënvizuar veprimtari Bajraj.

Krejt në fund, ai ka theksuar se LDK-ja, dhe kandidati i saj për kryeministër, Avdullah Hoti, do të drejtoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, edhe pas 14 shkurtit, duke i dhënë vendit një perspektivë të sigurt drejtë integrimeve euro-perëndimore dhe veri-atlantike, dhe në veçanti do të kujdeset për krijimin dhe etablimin e një konsensusi nacional përballë Serbisë dhe dialogut të Brukselit, frymë dhe qasje të cilën ka promovuar tradicionalisht LDK-ja në të gjitha etapat kruciale për fatin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat