Paralajmërohet edhe një njohje e madhe / Profesori tregon çka përfiton Kosova nga Izraeli

Politika

Paralajmërohet edhe një njohje e madhe / Profesori tregon çka përfiton Kosova nga Izraeli

Nga: P.R Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 19:37
Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si historik. E Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “fatkeq” vendimin e Kosovës që ta vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, pasi blloku evropian thotë se e konsideron si “të pazgjidhur” statusin e këtij qyteti.

Kurse Ministri i Jashtëm serb, Nikola Sellakoviq tha se ky hap do të "ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael".

"Izraeli vetë zgjodhi se interesin më të rëndësishëm e ka lidhjen me Amerikën dhe ajo që është e rëndësishme për Amerikën sesa Serbia. Është e drejta e tyre legjitime. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk morëm pjesë në atë proces sepse presidenti i (Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk pranoi (në Uashington) të nënshkruajë ftesën për Izraelin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, deklaroi Nikola Sellakoviq.

E lidhur me këtë njohje, për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe profesor, doktor Enver Bytyçi. Ai e quan moment historik për Kosovën njohjen nga Izraeli.

Image
Enver Bytyçi

“Njohja nga ana e Izraelit dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit është një akt historik, sepse kjo njohje erdhi në momentin kur ishin ndërprerë shpresat se ky proces do të rifillonte përsëri. Kjo njohje në një farë mënyre është kundërpërgjigje e përpjekjeve të Beogradit për ta zhbërë shtetin e Kosovës. Por është edhe shuplakë për diplomacinë shqiptare në Tiranë e Prishtinë, e cila me mosveprimin e saj e dëmtoi procesin e njohjeve. Dëmi që po shkaktohej nga veprimi diversiv i diplomacisë serbe dhe nga mosveprimi i diplomacisë shqiptare mund të thuhet se fillon kompensimin e vet me njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Izraelit”, thotë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Kosova përfiton politikisht, sepse do të ketë mbështetjen e Izraelit në organizmat dhe organizatat ndërkombëtare.

“Sepse do të ndikojë që vendet demokratike të Perëndimit, që nuk e kanë njohur atë, ta bëjnë këtë gjë. Madje parashikoj se do të nxisë edhe Vatikanin që të njohë shtetin e Kosovës. Ekonomikisht, sepse eksperienca e zhvillimit ekonomik e teknologjik e Izraelit do të vijë në Kosovë. Kulturalisht, sepse dihet që hebrenjtë janë një komb i civilizuar dhe me intuitë kulturore të hollë dhe të spikatur. Pra, njohja e Kosovës nga ana e Izraelit bën që Kosova të vihet në qendër të vëmendjes”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kjo njohje tani i ndërpret lidhjet e Serbisë me shtetin e Izraelit.

“Por njohja e shtetit të Kosovës nga TelAvivi do të shoqërohet me vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem.

“Por Serbia nuk mund të qëndronte në dy karrige, siç është mësuar të bëjë gjithmonë. Në rastin konkret edhe mik i Izraelit, edhe mik i palestinezëve. Ne e dimë se ambasadori palestinez në Beograd vazhdimisht betohet se shteti e qeveria e tij nuk do ta njohin Kosovën. Të njëjtën gjë nuk mund ta bënte pafundësisht edhe Izraeli. Ndërkaq në fund të vitit 1999, vetëm disa muaj pas bombardimit të Serbisë nga ana e NATO-s, Autoriteti Palestinez e ftoi Milosheviçin për të kaluar festat e fund vitit në Palestinë, edhe pse ai ishte shpallur në kërkim nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Ky solidaritet palestinez pritej të ishte në anën e Kosovës si viktimë e Serbisë. Por ndodhi e kundërta”.

Lidhur me kritikat e BE-së ndaj Kosovës, profesor Bytyçi deklaron se kritika nga ana e Brukselit për Kosovën, është nxitur nga ndonjë shtet antisemitist në Evropë.

“Kësisoj Kosova nuk ka pse të ndjehet "fajtore" që ajo e çon ambasadën e saj në Jurasalem. Kosova nuk mori asnjëherë mbështetje nga Palestina. Së paku institucionalisht. Por për fat të keq Kosovën e kritikon Bashkimi Evropian. Jam i bindur se kjo kritikë nga ana e Brukselit për Kosovën është nxitur nga ndonjë shtet antisemitist në Evropë. Brukseli e ka praktikë që kur shtetet e veçanta anëtare shprehin shqetësime të kësaj natyre të reagojë. Por kjo do të mbetet me kaq. Thjesht te reagimet. Nuk do të ketë ndonjë diskutim apo vendimmarrje për sanksione a diçka tjetër, sepse shumica e vendeve evropiane nuk do të binin dakord. Vendet që kanë bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën, pikërisht këto vende bëjnë zhurmë në Parlamentin dhe në Komisionin Evropian përmes përfaqësuesve të tyre”, shpjegon profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se të bëjë zgjedhje të lira, të qeta e të ndershme, në mënyrë që ta forcojë edhe më shumë lidhjen me SHBA-në dhe shtetet mike.

“Përgjigja që Kosova duhet të japë ka të bëjë me forcimin e lidhjeve me SHBA-të, me Izraelin, me vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe me ndonjë vend të madh mysliman. Të bëjë zgjedhje të lira dhe të qeta e të ndershme. Të mënjanojë çdo lloj konflikti para e post zgjedhor. Të bëjë transferimin e pushtetit paqësisht e në mënyrë të civilizuar te fituesit. të forcojë institucionet dhe kësisoj të dëshmojë pjekuri politike e civilizim të lartë, si vend që e meriton lirinë dhe pavarësinë e saj”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat