Qarri me kritika të ashpra për partitë politike: Keni arsye të forta për tu brengosur me 14 shkurt, për fushatë të sanksionoheni rëndë me ligj

Politika

Qarri me kritika të ashpra për partitë politike: Keni arsye të forta për tu brengosur me 14 shkurt, për fushatë të sanksionoheni rëndë me ligj

Nga: G.B Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 12:16
Foto ilustrim “Bota sot”

Sondazhe të shumta të publikuara në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kanë bërë që të ketë reagime të shumta nga partitë.

Ato po i quajnë sondazhet të pabesueshme dhe sipas tyre, sondazhi i vërtetë do të jenë qytetarët që do të votojnë në këto zgjedhje.

E sipas këtyre Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese, derisa pasohet nga LDK e më pas PDK.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se secila parti ka arsye të forta që të brengoset për humbjen që do ta pësojë me votë me 14 shkurt.

“Duka pasur parasysh faktin e frustrimit të madh dhe plotësisht të arsyeshëm të qytetarëve, për shkak të lojërave të pandershme politike, sidomos nga partitë e inkriminuara, ku pa kaluar as një vit, u ndërruan 2-3 qeveri, secili grupim apo parti, ka arsye të forta të brengoset shumë dhe të ndërmarrë gjithçka është në dorën e tyre, për të minimizuar sadopak humbjen e madhe që pritet të pësojnë, me votë në zgjedhjet e 14 shkurtit”, është shprehur ai.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, sondazhet janë të porositura dhe gati çdoherë të financuara nga partitë, andaj ato janë të pabesueshme.

“Madje edhe sondazhet që po organizohen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, në Kosovë, janë sondazhe të porositura, në kuadër të kampanjës elektorale, gati çdo herë të financuara nga parti të caktuara politike për të zbukuruar artificialisht rezultatin dhe rritur- rrejshëm kuotat e parashikimit për vete, duke mashtruar veten dhe tentuar tu hedhin hi syve edhe qytetarëve, kinse gjendja e tyre nuk është aq e keqe, sa përflitet publikisht dhe nëpër kuluare. Për këtë arsye sondazhet në Kosovë, jo vetëm që në shumicën e rasteve, janë plotësisht të pabesueshme, por edhe në të kaluarën, ato pothuajse asnjëherë nuk janë përputhë as për së afërmi me rezultatet reale, të votimit, që kanë dalë pas numërimit të votave dhe mbajtjes së zgjedhjeve”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Qarri shton se tani duhet kritikuar ashpër e sanksionuar sipas ligjit tubimet partiake, ku po rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe rritja e rrezikut të përhapjes së virusit Covid.

“Për aq më tepër, ajo që në këto momente duhet jo vetëm kritikuar ashpër, por edhe sanksionuar sa më rëndë sipas ligjit, janë tubimet partiake gjysmë-ilegale, ku po rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe rritja e rrezikut të përhapjes së virusit Covid-19, nga numri i madh dhe i palejuar i pjesëmarrësve në objekte të mbyllura, pa mbajtje distance dhe pa mbrojtje adekuate. Në tubime të tilla shihet qartë se mungon respektimi i masave të parapara dhe shpesh herë me pjesëmarrës edhe pa maska si dhe në përmasa të dënueshme për gjendjen që mbretëron në kohë të pandemisë”, ka theksuar analisti.

Ai vlerëson se jo vetëm që duhet sanksionuar partitë me gjoba por me ndalim të fushatës parazgjedhore me një apo dy ditë dhe jo të dënohen vetëm qytetarët.

“Kështu që për të gjitha rastet si këto, duhet të sanksionohen edhe partitë politike, jo vetëm me gjoba, por edhe me ndalimin e fushatës parazgjedhore për një ditë të tërë, apo edhe dy, dhe jo të dënohen vetëm qytetarët, të cilët lëvizin në grupe të vogla dhe gati çdo herë me maska, për dallim nga pjesëmarrësit e simpatizantëve në tubimet partiake, siç kemi rastin t’i shohim çdo ditë gjatë fushatës elektorale”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat