“Kjo është skandaloze”, Glauk Konjufcës i vjen ‘goditja’ e fortë, ja akuza për VV-në

Politika

“Kjo është skandaloze”, Glauk Konjufcës i vjen ‘goditja’ e fortë, ja akuza për VV-në

Nga: P.R Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 20:50
Glauk Konjufca

Ish Ministri i Jashtëm gjatë Qeverisë Kurti, tash kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse Vetëvendosje vije në pushtet, do ta rishqyrtojë zhvendosjen e ambasadës në Izrael. Një gjë e tillë sipas Konjufcës mund të ndodhë, nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Kosovën për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, vendim ky që u quajt historik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vendosja e Ambasadës në Jerusalem tashmë ka ndodhur, mirëpo unë konsideroj se nuk ka qenë politikë e mençur e MPJ dhe ish-kryeministrit Hoti të zhvillojnë politika të jashtme që në njërën anë duket që po përmirësojnë marrëdhëniet me SHBA por është një iluzion meqenëse në pyetja ka qenë relacioni me Serbinë e jo me SHBA-në. Ambasada do të mbetet aty ku është deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtare që të mos jetë aty. Shembull nëse ne kushtëzohemi nga BE gjatë procesit të integrimeve evropiane përmes ndryshimit të lokacionit të Ambasadës sonë në Jerusalem, unë mendoj se kjo do të duhej të rishqyrtohej meqenëse për Kosovën është jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, ka deklaruar ish Ministri, Glauk Konjufca.

E deklaratën e tij, analisti politik, Nexhat Haziri e quan skandaloze dhe të panevojshme.

Image
Nexhat Haziri

“Është një deklaratë e panevojshme, paragjykuese dhe skandaloze, që tregon nivelin diplomatik të ish-Ministrit të jashtëm z. Konjufca, që lë shumë për të dëshiruar, pasi hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem që pritet të bëhet, është bërë në koordinim me SHBA-të të cilat kanë ndihmuar në sigurimin e njohjes nga Izraeli”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo dëshmon edhe njëherë qasjen që Lëvizja Vetëvendosje ka ndaj Bashkësisë ndërkombëtare, duke shtuar deklarata e tij, vije edhe si rezultat i rrymave të brendshme të Vetëvendosjes.

“Përtej kësaj, duhet parë se kjo deklaratë shpërfaqë edhe një herë diskursin e brendshëm politik të LVV-së në raport me SHBA-të por edhe me perëndimin në përgjithësi, ku sipas gjykimit të tyre këta janë imperialist, e jo ata që ndihmuan për çlirimin e Kosovës dhe sponsorizuar pavarësinë e vendit tonë. Kujtoj, gjithashtu se deklarata e ish-kryediplomatit Konjufca, vije edhe si rezultat i presionit të brendshëm nga LVV-ja, sidomos nga rryma e vehabizmit e cila përfaqësohet fuqishëm brenda këtij sekti politik”, shprehet Haziri.

“Dhe tani kur analizohet kjo deklaratë e z. Konjufca, vijmë në përfundim se deklaratat e kryeministrit në detyrë dhe njëherit kandidat i LDK-së për kryeministër, z. Avdullah Hotit, se rrëzimi i qeverisë Kurti dhe prishja e koalicionit me LVV-në për shkak të prishjes së raporteve me aleatin tonë strategjik SHBA-në, tashmë po faktohet si diçka shumë e vërtetë”, shton analisti Haziri.

Për fund, Haziri deklaron se ardhja në pushtet e Vetëvendosjes, do të jetë e dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Dhe sipas mendimit tim, ardhja eventuale e LVV-së në pushtet do të jetë e dëmshme për Kosovën dhe raportet e saja jo vetëm më SHBA-në, por në përgjithësi me perëndimin, pasi koncepti që përfaqëson z. Konjufca, është i partisë shtet, ku në emër gjoja të mos përzierjes në punët e brendshme sipas koncepteve enveriste, do ta bëjnë izolimin e Kosovës, dhe paramendo çfarë do të thotë të izolohesh për një shtet të vogël si Kosova që akoma nuk e ka të përfunduar shtet ndërtimin dhe subjektivitetin e vet ndërkombëtar”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat