“Ky mund të jetë gabimi më i madh i Kurtit” – profesori ka një paralajmërim për kreun e VV-së

Politika

“Ky mund të jetë gabimi më i madh i Kurtit” – profesori ka një paralajmërim për kreun e VV-së

Nga: A.Morina Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 22:21
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti njihet për qëndrimet dhe deklaratat e tij kundër në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan "Bota sot".

Deklaratat e Kurtit kundër SHBA-ve zakonisht bëheshin në kohën sa ishte Donald Trump, president i SHBA-ve dhe kryesisht lidheshin me marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Mirëpo, tani marrëveshja për njohje reciproke me Izraelin ka shkaktuar sërish reagime, pas paralajmërimit të hapjes së ambasadës në Izrael.

Madje, kandidati për deputet nga VV dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca theksoi se mund të rishqyrtohet zhvendosja e ambasadës në Izrael.

Kjo gjë nuk u mirëprit dhe shkaktoi reagime, pasi u cilësua si një kundërshtim ndaj shtetit aleat, Amerikës.

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur për qëndrimet dhe deklaratat e Albin Kurtit dhe Glauk Konjfucës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohjen e Izraelit.

Mehazi beson se deklaratat e Kurtit dhe Konjufcës në raporte me Amerikën dhe Izraelin nuk janë diplomatike, por kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore.

“Qëndrimet e deklaratat e Albin Kurtit dhe të Konjufcës në lidhje me raportet me SHBA-në e me njohjen e Kosovës nga Izraeli më shumë kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore sesa me ato diplomatike. Albin Kurti ka përvojë politike njëzetvjeçare e nuk është aq naiv për të kundërshtuar politikën e jashtme të dy shteteve më me ndikime politike e diplomatike në botë SHBA-në e Izraelin”, deklaroi Mehazi.

Image
Profesor Sulejman Mehazi

 

Profesori deklaratat e Kurtit i cilësoi më shumë si propaganda elektorale dhe lojëra politike të fushatës zgjedhore për të fituar vota. Ai shtoi se Kurti nuk është në rangun e ulët intelektual e politikë që me të vërtetë të i kundërshtonte veprimet diplomatike të ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Deklaratat e Kurtit ndaj SHBA-së e Izraelit më shumë e kanë kuptimin e një mendimi mospajtues, propagandë elektorale, kurrsesi kundërshtuese, bota moderne demokratike gjithsesi këto lojëra politike të Albin Kurtit i pranon si lojëra të fushatës zgjedhore për të fituar vota.

Është e pamundur që Albini Kurti të jetë kundër SHBA-së i cili hapur përkrahu Presidentin e ri të SHBA-së Biden, poashtu, lideri i LVV-se nuk është në rangun e ulët intelektual e politikë të kundërshtonte veprimet diplomatike të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, theksoi Mehazi.

Profesori të gjithë fjalorin e Kurtit lidhur me këtë temë e vlerësoi si prononcime populliste elektorale për të bindur në fitoren e Vetëvendosjes.

“Prandaj, deklaratat e Albin Kurtit e Konjufcës janë para votuesve e qytetarëve të Kosovës, janë prononcime populliste elektorale, për të bindur fitoren e LVV-së e kurrsesi diplomatike. Besojmë se fjalori i Albin Kurtit, është fjalor fushatash politike sesa fjalorësh diplomatike”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, ai tha se Kosova do të jetë shumë më e fuqishme dhe Amerikën dhe Izraelin, sesa me Bashkimin Evropian, andaj ai tha se do të jetë gabimi më i madh i Kurtit do jetë nëse lë mënjanë Izrailin e SHBA-në e lidhet me BE-në.

“Politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht, diplomatikisht Kosova do jetë më e fuqishme me SHBA-në e Izraelin sesa me BE-në që u tregua shumë e brishtë ndaj Republikës së Kosovës, BE-ja dhe një liberalizim të thjeshtë nuk ua dhuroi qytetarëve të Kosovës.

Gabimi më i madh i Kurtit do jetë nëse lë mënjanë Izraelin e SHBA-në e lidhet me BE-në”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat