Sfidat e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit, ta votojnë Albin Kurtin apo jo?

Politika

Sfidat e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit, ta votojnë Albin Kurtin apo jo?

 Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 6 shkurt 2021 Në ora: 08:33
Albin Kurti

Edhe pse Albin Kurtit nuk i lejohet të kandidojë për deputet, ai përsëri figuron ne listën e Lëvizjes Vetëvendosje si numri 1. Këtë edhe e ka konfirmuar vet përmes një postimi në Facebook, ku në listë figuron Albin Kurti - bartës i listës.

Megjithatë votat që i shkojnë Kurtit nuk do të jenë të vlefshme për të, ndërsa vlejnë për Vetëvendosjen dhe 4 kandidatet tjerë që votohen në atë listë.

Kurti si duket dëshiron të jetë simbol për votuesit dhe motivues që ta votojnë Vetëvendosjen, pasi që nuk e largoi emrin e tij nga numri 1.

Këtë çështje e kanë komentuar edhe ekspertët për gazetën “Bota sot”, të cilët kanë shpjeguar arsyet të cilat kanë mundur ta çojnë Kurtin për të marrë një vendim të tillë.

Ata shprehën se kjo parti identifikohet më Kurtin, ndërkaq prania e tij në listë është vetëm simbolike.

Ata theksojnë se mos prania e Kurtit në listën e KQZ-së nuk është pengesë për kandidaturën e tij për kryeministër.

Ahmeti: Prezenca e Kurtit është simbolike

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se prezenca e Kurtit në listën e VV-së e ka anën  simbolike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Albin Kurti është i vetëdijshëm  se nuk është certifikuar nga KQZ-ja për të qenë pjesë e listës në garën për deputet, por faktikisht  prezenca e emrit  tij ka anën simbolike. Në njërën anë për të shpërfaqur frustrimin e elektoratit me mos prezencën e tij, kurse në anën tjetër për të mbajtur frymën e fitores së Vetëvendosjes”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Ahmeti është shprehur se është e padiskutueshme se Vetëvendosja identifikohet me Albin Kurtin.

“Është e padiskutueshme se Vetëvendosja identifikohet me Albin Kurtin, si lider karzmatik, por edhe aktivizmin  politik që ka praktikuar Vetëvendosja që nga themelimi i saj. Dija, guximi, pastërtia morale, stoicizmi ndaj parimeve dhe konceptit ideologjik janë bazament identitetit të Vetëvendosjes, por kjo frymë është ndërtuar në krye me Albin Kurtin”, ka theksuar ai.

Më tej, Ahmeti ka theksuar se mos prezenca e Kurtit në listën e KQZ-së nuk është pengesë për kandidaturën e kryeministrit.

“Rritjes së Vetëvendosjes i kanë kontribuar një mori faktorësh, por prapë se prapë vula e kësaj rritje është lideri i saj, Albin Kurti. De jure, Albin Kurti nuk është pjesë e listës për deputet, por kjo nuk do të jetë pengesë për kandidaturën e Albinit për kryeministër, të cilën e pretendon Albini, por edhe pjesë dërmuese e votuesve potencial të Vetëvendosjes nuk ju ndalohet”, ka potencuar Ahmeti për “Bota sot”.

Paralajmëron Qarri

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka përmendur se me çfarë ballafaqohen listat e kandidatëve për deputet në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Në Kosovë edhe mese 22 vite pas lufte, për dallim nga vendet anëtare të BE-së dhe shtetet tjera të rajonit, habit fakti se sa luftë e pa kompromis bëhet, jo për spastrimin definitiv të listave nga personat e inkriminuar dhe në konflikt me ligjin, që është një nga kërkesat thelbësore të instancave më të larta të BE-së në Bruksel, por për futjen me çdo kusht të kandidatëve të dënuar dhe atyre me pretencë penale në listat për deputet, pa marrë parasysh faktin se pa spastrimin e tërësishëm të politikës vendore nga personat e inkriminuar, nuk mund të ketë lëvizje të lirë për qytetarët dhe as integrim për Kosovën në BE”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri ka përmendur se çfarë bënë partitë politike pas vendimit të KQZ-së.

“Madje ky fenomen i trisht, as kësaj radhe, nuk u vërejt vetëm te ndonjë parti e vogël apo e margjinuar politike në vend, që nuk do të ishte aq tragjike edhe para përfaqësuesve ndërkombëtar, por ra në sy, pothuajse tek të gjitha partitë më të mëdha, e veçanërisht tek ato që e konsiderojnë veten, parti të dala nga “lufta” si dhe LVV, të cilat luftuan deri në instancat e fundit, pikërisht për imponimin me çdo kusht të personave të dënuar në listat e kandidatëve për deputet, gjë që duhet ti shqetësoj të gjithë qytetarët, për të ardhmen e tyre dhe të Republikës së Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Po ashtu, Qarri ka theksuar se çfarë mund të krijojë vendimi i Kurtit për të qenë prijës i listës së VV-së.

“Për aq më tepër, megjithëse KQZ, së fundi ka publikuar edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku Vjosa Osmani, do t’u prijë kandidatëve për deputetë, kreu i VV-së ka prezantuar vet kandidatët për deputet, akt ky që vërteton se përkundër vendimit të KQZ-së, Kurti do ti prijë vet listës së Vetëvendosjes, vendim që mund të krijoj probleme e tensione të padëshiruara dhe shtyjë edhe formimin e Qeverisë dhe të legjislativit edhe pas zgjedhjeve, deri në sqarimin e luftës juridike mbi ligjshmërinë, apo jo të pretendimeve të tij”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ai tregon arsyen se pse Kurti nuk është larguar nga lista e Vetëvendosjes.

“Fakti që Albin Kurti nuk e hoqi emrin e vet, as pas vendimit të KQZ-së, nga lista, pra nga numri 1, ku figuron si bartës i listës së Vetëvendosjes edhe pse sipas vendimit të përsëritur ligjor deri në instancat më të larta të drejtësisë në vend, ai nuk ka të drejtë të kandidojë për deputet, është simbolikë jo vetëm për votuesit, por më tepër dëshmi para qytetarëve dhe përpjekje për imponim para vendeve të huaja, se ai përkundër të gjithave vendimeve, pretendon postin e kryeministrit, duke u nisur nga fakti se emri i tij, ishte më i votuari edhe në zgjedhjet e kaluara, gjë që mund të qojë edhe në eskalimin e gjendjes në vend”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Krasniqi përmend Gjykatën Kushtuese në rastin e Kurtit

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Islam Krasniqi ka theksuar se prezenca e Kurtit në listat zgjedhore rritë votat e VV-së.

Image
Islam Krasniqi

“Edhe pse z. Kurti nuk ka të drejt që të kandidoj, ai nuk është larguar nga listat zgjedhore për të ju treguar të tjerëve fuqinë politike të cilën ja jep sovrani(populli). Duke mos harruar së z.Kurti ka një përkrahje në popull, i cili në bazë të sondazheve është shumë larg të tjerëve, dhe prezenca e Kurtit në listat zgjedhore rritë votat e VV-së sepse nëse e thjeshtëzojnë këtë çështje dikush hatri z.Kurti voton LVV-në”, ka thënë ai.

Në fund, Krasniqi ka përmendur opsionin tjetër të cilin mund ta shfrytëzojnë Vetëvendosje në rastin e Kurtit për mos certifikimin nga KQZ-ja.

“Në bazë të disa interpretimeve Kurti mund të zgjidhet kryeministër edhe pse vendimi i Gjykatës Supreme e eliminoj nga gara në listat zgjedhore, mirëpo nëse lënda dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dihet vendimi i saj”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat