“E vuan dështimin përballë Grenellit”, profesori paralajmëron Konjufcën: Kjo është e rrezikshme...

Politika

“E vuan dështimin përballë Grenellit”, profesori paralajmëron Konjufcën: Kjo është e rrezikshme...

Nga: P.R Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 20:56
Richard Grenell në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje

Ish Ministri i Jashtëm gjatë Qeverisë Kurti, tash kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse Vetëvendosje vije në pushtet, do ta rishqyrtojë zhvendosjen e ambasadës në Izrael.

“Vendosja e Ambasadës në Jerusalem tashmë ka ndodhur, mirëpo unë konsideroj se nuk ka qenë politikë e mençur e MPJ dhe ish-kryeministrit Hoti të zhvillojnë politika të jashtme që në njërën anë duket që po përmirësojnë marrëdhëniet me SHBA por është një iluzion meqenëse në pyetja ka qenë relacioni me Serbinë e jo me SHBA-në. Ambasada do të mbetet aty ku është deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtare që të mos jetë aty. Shembull nëse ne kushtëzohemi nga BE gjatë procesit të integrimeve evropiane përmes ndryshimit të lokacionit të Ambasadës sonë në Jerusalem, unë mendoj se kjo do të duhej të rishqyrtohej meqenëse për Kosovën është jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, ka deklaruar Glauk Konjufca, numri dy në Levizjën Vetëvendosje.

Por kritika të ashpra ndaj Glauk Konjufcës ka profesor, doktor Enver Bytyçi. Ai thotë se ish Ministri Konjufca, vuan ende kompleksin e dështimit përballë Richard Grenellit, ish i dërguar special i ish presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Image
Enver Bytyçi

“Politika në Kosovë duket se është e dragmentarizuar. Në politikën kosovare gjenden jo pak politikanë pro serbë. Ata janë promovuar në stilin e mbështetjes sup më sup te njëri-tjetri. Me manovra e makinacione të ndryshme. Shpeshherë në emër "të pajtimit me Serbinë", gjë që u ka interesuar edhe ndërkombëtarëve. Pjesa e politikanëve pro-serbë është dominuese. Këtë e ka favorizuar edhe fakti se Beogradi ka në Prishtinë shumë njerëz të paguar. Më i spikaturi ndër ta është Baton Haxhiu. Batoni është ngarkuar vitet e fundit me detyrë edhe në Tiranë. Të rekrutojë sa më shumë politikanë, njerëz publikë, media dhe të ndërtojë lidhjet e nëntokës e mbitokës midis biznesit dhe krimit të organizuar midis dy vendeve. Rasti i Glauk Konjufcës nuk mendoj se i përket kësaj kategorie. Glauku vuan kompleksin e dështimit përpara Grenell dhe besoj se akoma i duket se për Kosovën vendos Grenell”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, qasja e Konjufcës jo vetëm që është e gabuar, por edhe e rrezikshme.

“Në kohën kur Grenell, së bashku me Thaçin dhe Vuçiç punonin për një marrëveshje që ndante Kosovën, ishte normale të kërkoje partnerët ndërkombëtarë kundër kësaj ideje, për t'u mbështetur te ata. Por të vazhdosh edhe sot me të njëjtën mendësi, mendoj se jo vetëm është e gabuar, por edhe e rrezikshme. Glauk Konjufca dhe çdo politikan e diplomat shqiptar jo vetëm në Kosovë, kanë detyrë të punojnë për ekuilibër e normalitet bazuar në interesat e Kosovës. Ai mesa shoh nuk e ka kuptuar se reagimi evropian për angazhimin e Kosovës për ta vendosur ambasadën e saj në Jerusalem është një reagim rutinë. Mesa shoh Konjufca nuk ka patur kohë ta lexojë midis rreshtave qëndrimin gjerman, në të cilin nuk dënohet vendimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem nga ana e Kosovës”, shprehet profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi deklaron se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem ishte propozim amerikan.

“Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk ishte dëshirë e Prishtinës zyrtare. Ishte propozim amerikan. Glauku duhej ta kuptonte se në shqiptarët nuk mund të vazhdojmë edhe më tej që "për një plesht të djegim jorganin"! Pra, nuk mundej që zoti Hoti të refuzonte vendosjen e ambasadës në Jerusalem në këmbim të mos njohjes së Kosovës nga ana e Izraelit”.

“Zoti Konjufca, ndonëse për një kohë të shkurtër, ka qenë Ministër i Jashtëm. Në këtë post, sado shkurt, ka pasur kohë të mësojë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të shkelen, nuk mund të zhbëhen. Prandaj lufta jonë ishte që të mos e lejonim Thaçin të nënshkruante marrëveshjen për ndryshimin e kufijve, kur ish-presidenti i vendit na thoshte se ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje e pastaj ajo do të kalojë në parlament. Nuk është serioz ai politikan ose ajo qeveri që nuk respekton marrëveshjet. Aq më pak mund ta çosh në mendje që të abdikosh në një marrëveshje me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, në Bruksel janë artikuluar sa e sa kritika kundër Kosovës, sepse këtë e kanë kërkuar disa vende anëtare të BE-së, të cilat nuk e duan Kosovën, pasi janë miq dhe aleatë të Serbisë.

“Në fund të fundit vendosja e ambasadës në Jerusalem nuk i cenon interesat e Kosovës. Madje nuk krijon asnjë ngërç në çështjet ndërkombëtare, sepse Kosova nuk është vendi i parë që e bën këtë. Retorika e Brukselit nuk është e mjaftueshme sa të çojë në angazhime të tilla, si ai i ish-Ministrit të Jashtëm zotit Konjufca. Në Bruksel janë artikuluar sa e sa kritika kundër Kosovës, sepse këtë e kanë kërkuar disa vende anëtare të BE-së, të cilat nuk e duan Kosovën, pasi janë miq dhe aleatë të Serbisë. Glauku duhet ta ketë mësuar këtë lloj mekanizmi. Ai duhet t'u kërkojë auropianëve më shumë angazhim për të drejtën e Kosovës, jo t'u mbajë iso. Sigurisht sakush në Prishtinë nuk ka pse bën retorikë me Brukselin në stilin e Edi Ramës. Por edhe që të bëhet kaq shumë merak për një deklaratë të dikujt që nuk dihet çarë përfaqëson në Bruksel, as kjo nuk duhet të ndodhë”, deklaron profesor Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Për fund, Bytyçi thotë se deklarata e Konjufcës nuk i ndihmon partisë së tij në këtë fushatë elektorale.

“Ndoshta ai ka llogaritur për të shtuar mbështetjen e elementit mysliman në Kosovë, por edhe pa këtë deklaratë Vetëvendosja e ka mbështetjen e elementit të tillë pak a shumë ekstremist. Mund të marrë pak prej tyre PDK, por numri është I papërfillshëm. Prandaj nuk e di se cilat kanë qenë nevojat politike të Konjufcës në rastin e kësaj deklarate. A ka mundësi që politikanët në Prishtinë të bëhen më të vetëdijshëm për atë që thonë dhe që bëjnë?! Sepse nga kjo varet shumë edhe vetë ardhmëria e Kosovës!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat