Profesori alarmon PDK-në dhe Nismën: Nuk fitohen votat me luftën e UÇK-së!

Politika

Profesori alarmon PDK-në dhe Nismën: Nuk fitohen votat me luftën e UÇK-së!

Nga: A.Morina Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 21:58
Foto ilustrim

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në këtë fushatë zgjedhore përplasjet kryesore po i ka me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shkaku i mos pranimit të koalicionit parazgjedhor.

Nisma slogan të këtyre zgjedhjeve e ka “Me çlirimtarët’ dhe përmes luftës së UÇK-së, po tenton të fitojë elektorat dhe vota.

Njësoj po vepron edhe PDK e cila tash e disa palë zgjedhje parlamentare tenton të fitojë vota përmes luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe ‘luftën’ këto dy parti po e fokusojnë në luftën e fundit në Kosovë, duke garuar në njëfarë mënyre se cila nga ato ka kontribuar më shumë.

Mirëpo, profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se përplasjet në mes PDK-së dhe Nismës i kanë rrënjët më të thella se në aktualitet. Ai tha se Hoxhaj frikësohet nga forcat që e rrezikojnë.

“Përplasja midis PDK-së, konkretisht Enver Hoaxhajt me Nismën, përkatësisht me kryetarin, Fatmir Limajn i ka rrënjtë më thellë se në aktualitet. Nisma e Fatmir Limajt ka dal nga PDK-ja, ndërsa Enver Hoxhaj ka frikë nga forcat që mund ta rrezikojnë”, deklaroi Kelmendi.

Profesori shtoi se kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj nuk ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje ky fakt ia rrezikon edhe pozicionin e kryetarit në detyrë në PDK. Ai potencoi se Hoxhaj u frikësua nga Nisma, shkaku që të dy subjektet vijnë nga familjet e lidhura me luftën.

“Në anën tjetër, Enver Hoxhaj është çdo gjë, por fare nuk ka lidhje me UÇK-në. Kjo e bën atë, në pozitën e kryetarit në detyrë të PDK-së, edhe më të pasigurt. Këtu është edhe baza pse nuk ndodhi koalicioni parazgjedhor midis PDK-së dhe Nismës.

Në fakt votat kryesore të këtyre dy partive vijnë kryesisht nga familjet e lidhura me luftën e UÇK-së, këtu kishte frikë Enver Hoxhaj”, theksoi ai.

Sa i përket temës se a mund të fitohen vota me luftën e UÇK-së, profesori tha se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, pasi votat sigurohen me zgjidhjen e problemeve që i ka vendi.

“Tjetër është çështja se a fitohen votat me luftën e UÇK-së? Natyrisht se jo. Në UÇK nuk kanë qenë më shumë se 50% e popullit. Madje edhe kjo përqindje është e lartë. Votat fitohen me zgjidhjen e problemeve që i ka vendi, mbi atë bazë sigurisht se votohet. Këtu po përpiqen të dy partitë me marrë vota, se sa dhe si do të përfundojë votimi mbetet të shihet”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, profesori deklaroi se asnjëra nga subjektet e lartpërmendura nuk do ta fitojnë atë që po pretendojnë, pasi që nuk kanë mundësi të dalin të parët në këto zgjedhje.

“Por, një gjë është e qartë, asnjëra parti nuk do te fitojë atë që mendon. Të dy partitë, me këta kandidatë janë të padëshiruar, për të dalë të parat. Të tretët apo edhe humbja i pret”, përfundoi Kelmendi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat