Shansi i fundit për LDK-në, veprimtari e zbulon ‘armën’ që partisë së Mustafës mund t’ia fitojë zgjedhjet – ja dobësia e madhe që e shoqëroi që nga viti 1991

Politika

Shansi i fundit për LDK-në, veprimtari e zbulon ‘armën’ që partisë së Mustafës mund t’ia fitojë zgjedhjet – ja dobësia e madhe që e shoqëroi që nga viti 1991

Nga: N. H Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 08:25
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti

Në Kosovë ka një javë që ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen më 14 shkurt. Fushata zgjedhore në Kosovë do të zgjasë deri të premten.

Por, çfarë po ndodhë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe sa ka gjasa që kjo parti ta ruaj rezultatin e 6 tetorit të vitit 2019.

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është në nivelin që duhet ta ketë një parti serioze.

Sipas tij, sistemi i informimit në këtë parti politike lidhur më të bëmat e Qeverisë së Avdullah Hotit, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi, lë shumë për të dëshiruar.

Image
Saim Tahiraj

“Sistemi organizativ i propagandës lë shumë për të dëshiruar. Këtë të metë fatkeqësisht të trashëguar me vite, vazhdon ta përcjellë edhe sot. Pa një sistem të mirëfilltë organizativë të propagandës nuk mund të mbijetojë asnjë parti politike sa do e madhe të jetë ajo. Arma kryesore e një partie politike për sukseset e saj, është pikërisht propaganda. Sado e suksesshme të jetë një parti politike, deri sa nuk ka aftësi që përmes sistemit propagandues t’i plasojë ato në opinionin e gjerë, ai sukses do mbetet gjysmë i vdekur”, ka thënë Tahiraj.

Ai ka shpjeguar se si kjo dobësi e shoqëroi partinë e Isa Mustafës në vazhdimësi.

“Kjo dobësi e ka shoqëruar në vazhdimësi LDK-në, vetëm të marrim shembullin e luftës çlirimtare. Deri sa bartësja kryesore e rezistencës së armatosur që nga 1991-ta e gjerë në përfundimin e luftës, ishte LDK-ja, dikush tjetër e mori pronësinë e saj padrejtësisht. Kjo ka ndodhur mu për këtë arsye, mungesa e sistemit të propagandës pa të cilin nuk mundë ta shpërndash në opinion dhe ta informosh drejtë dhe saktë popullatën”, shprehet Tahiraj.

Tutje, veprimtari i LDK-së është i mendimit se sukseset e mëdha të Qeverisë Hoti, qofshin ato në arenën ndërkombëtare dhe këto të nivelit nacional, kurrë nuk arritën t’i shpërndanin në opinionin e Kosovës.

“Të tjerët që kishin sistemin e propagandës mirë të organizuar, arritën ta plasojnë gënjeshtrën në opinionin e gjerë dhe ta bindin popullatën se kjo është e vërteta. Një gjë e tillë po i ndodhë edhe LDK-së edhe para fushatës elektorale dhe me fillimin e saj. Qeverinë më të suksesshme që kishte Kosova që nga paslufta, ishte pikërisht Qeveria Hoti. Falë kësaj dobësie të LDK-së, sistemi i propagandës së VV-së, i organizuar mirë arriti të shfrytëzojë këto zbrazëtira dhe e shiti shumë mirë demagogjinë, gënjeshtrën si të vërtetën e vetme në Kosovë. Aktiviteti propagandues i LDK-së përmes takimeve me elektoratin e saj, duket se po rritet ngadalë, dhe po i japë edhe rezultatet e para. Mu për këtë arsye ka filluar edhe ngritja e përqindjes së besueshmërisë dhe përkrahjes se elektoratit”, tha ai.

Veprimtari Tahiraj ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës kohen e mbetur duhet ta shfrytëzojë në maksimum, pasi ai konsideron se është e vetmja parti që duhet t’i fitojë zgjedhjet në mënyrë për ta konsoliduar edhe më shumë shtetin e Kosovës.

“Koha është shumë e shkurtër, andaj duhet të rriten në maksimum kapacitetet krijuese dhe shpërndarëse të propagandës për sukseset e Qeverisë Hoti. Si e vetmja alternativë që duhet t’i fitojë zgjedhjet, dhe të vazhdon me këto suksese duke forcuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës. Jam i bindur se e vetmja zgjidhje për suksesin e Kosovës është fitorja e LDK-së dhe Qeveria Hoti të vazhdojë qeverisjen e suksesshme. Elektorati i LDK-së dhe më gjerë duhet ta kuptoj këtë gjë dhe ta mbështetë këtë alternativë si të vetmen për një ardhmëri të ndritur, madje do thoja ta ndjejmë si një obligim historik. Nuk guxojmë ta lejojmë që shteti të bie në duart e konglomeratit Neobolshevik dhe Neootman. Kjo do të ishte një vetëvrasje kolektive për kombin tonë”, ka theksuar veprimtari i LDK-së.

Krejt në fund, ai ka nënvizuar se fitorja eventuale e VV-së, do të ishte shkatërrim i shtetit, që me aq mund dhe sakrifica u formua dhe po vazhdohet të ndërtohet e konsolidohet.

Kujtojmë se ushtruesja e detyrës, Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat