Revoltohet analisti, thotë se po plaçkitet diaspora - zbulon personat e Thaçit që tentuan t’ia mohojnë votimin atyre

Politika

Revoltohet analisti, thotë se po plaçkitet diaspora - zbulon personat e Thaçit që tentuan t’ia mohojnë votimin atyre

Nga: A.Morina Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Çështja e votimit të diasporës është një nga temat më të përfolura ditëve të fundit. Reagimet ndaj mënyrës së votimit të mërgimtarëve u shtuan pas publikimi të faturave me çmime marramendëse për ta sjellë votën e tyre në Kosovë, shkruan "Bota sot".

Këto shifra të larta për dërgimin e votave nga mërgimtarët, u komentuan shumë dhe u cilësuan si mënyrë e bllokimit të votimit të diasporës.

Ditë më parë, kandidatja për deputet nga Lista Vjosa dhe Vetëvendosje, Donika Gërvalla ka publikuar një faturë shifra e të cilës është 684,20 euro, të cilën deklaronte se një mërgimtar e ka paguar për ta sjellë votën në Kosovë.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mënyrën e votimit të mërgatës dhe shumat e larta të cilat këta të fundit kanë paguar për të i sjellë votat e tyre në Kosovë.

Qarri akuzoi qeveritë e deri tanishme për mos krijimin e kushteve optimale për votim për mërgimtarët.

“Kosova mjerisht, edhe 22 vite pas çlirimit, vijon të mbetet vendi i vetëm, në rajon dhe më gjerë, ku brenda 10 muajsh ndërrohen 3 qeveri, gjë që dëshmon më së miri se sa shumë rrezikohet shteti ynë i brishtë, në vazhdimësi tash e mbi dy dekada, nga qeverisjet jo-stabile, politika arkaike dhe politikan injorant e të degjeneruar dhe se sa shpesh kanë nevojë qytetarët të votojnë, të cilëve brenda dhe jashtë vendit KQZ e ka për detyrë tu krijojë kushte optimale për votim, dhe jo në mënyrën si po veprohet me diasporën dhe mërgimtarët”, dekaroi Qarri.

Analisti politik tha se Komisioni Qendror e Zgjedhjeve po përdorë çdo formë dhe mënyrë për të bllokuar votat e mërgimtarëve, pasi ajo është në dijeni se shumica e diasporës janë për luftimin e krimit të organizuar, reformave dhe ndryshimit të gjendjes edhe në shtetin e tyre.

“Madje, megjithëse në shumë shtete dhe shoqëri, zgjedhjet janë testi më i mirë si dhe mundësia e artë, ku njerëzit mezi presin ta japin votën e tyre për abrogimin e politikanëve të inkriminuar, në Kosovë, sidomos kur është në pyetje diaspora, duke ditur se mërgimtarët në shumicën dërmuese janë për luftimin e krimit të organizuar, reformave dhe ndryshimit të gjendjes edhe në shtetin e tyre, për arritjen e të cilit, kanë dhënë çdo gjë, në të gjitha kohët, në vend të ofrimit të kushteve dhe mundësive për votim sa më masiv, nga vet KQZ përdoret çdo formë dhe mënyrë, për bllokimin e votës së tyre”, theksoi ai.

Qarri përmendi edhe ambasadat dhe konsullatat të cilat qeveritë dhe partitë e inkriminuara po i përdorin për punësime të bashkëfamiljarëve dhe jo për organizmin e votimit të bashkatdhetarëve.

përderisa të gjitha shtetet tjera hapin ambasadat dhe konsullatat e veta për organizimin e votimit të bashkatdhetarëve jashtë vendit, qeveritë dhe partitë e inkriminuara në Kosovë i përdorin këto objekte shtetërore të cilat paguhen nga xhepi i qytetarëve, për punësimin dhe rehatimin e bashkëfamiljarëve, bashkëpartiakëve dhe pjesëtareve të grupeve klanore të lidhura me politikën e inkriminuar në vend”, tha ai, përcjell “Bota sot”.

Analisti i deklaroi se në KQZ ka njerëz të dënuar apo të arrestuar për shkeljen e ligjit, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, të avancuar nga Hashim Thaçi, të cilët gati ua pamundësuan mërgimtarëve pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Kështu që të detyruar nga ligji që të mos i përjashtojnë (plotësisht) mërgimtarët nga votimi, KQZ ku ka edhe njerëz të dënuar apo të arrestuar për shkeljen e ligjit, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, të avancuar nga Hashim Thaçi në këto pozicione të larta vendimmarrëse zgjedhore, shkuan deri atje sa që gati ua pamundësuan mërgimtarëve pjesëmarrjen në votime, me metodën e padëgjuar të konfirmimit të aplikuesve për votim nga diaspora përmes thirrjeve telefonike në orar të punës”, nënvizoi analisti”, u shpreh Qarri.

Në vazhdim, ai komentoi shifrat e larta të cilat po paguhen nga mërgimtarët për ta sjellë votën e tyre në Kosovë dhe kufizimin e orarit të dërgesave në afat minimal, sikur ata të jetonin në Kosovë.

“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto marifete, mërgimtarët as fletëvotimet nuk guxojnë ti dorëzojnë në ambasada dhe konsullata të vendit, por detyrohen , që me çmime astronomike ti dërgojnë përmes postës nga vendet perëndimore në Evropë e deri te ato tej oqeanikë në SHBA, Kanada ,Australi etj, të cilat u kushtojnë nga disa qindra Euro, Franga dhe Dollar, për familje dhe persona, e deri në miliona euro, për të gjithë aplikuesit, të cilët më me dëshirë do t`ua dërgonin familjeve të veta në Kosovë, duke kufizuar edhe orarin e dërgesave në afat minimal, sikur ata të jetonin në Kosovë dhe jo me mijëra kilometra larg atdheut”, potencoi ai.

Në fund, Qarri tha se përveç pagesave marramendëse dhe humbjes së miliona eurove, votat e mërgimtarëve nuk janë të sigurta se do të arrijnë me kohë, se a do të pranohen vërtetë nga KQZ, apo ndoshta edhe do të manipulohen në mënyrë industriale, për favorizimin e partive të forta, në pushtet dhe opozitë.

“Kjo është plaçkitja më e madhe që u është bërë mërgimtarëve në dy dekadat e fundit, ndaj qindra mijëra mërgimtarë që sot punojnë e jetojnë jashtë vendit, të cilëve nga vet KQZ, tash e mbi një dekadë po u shkelen në mënyrën më brutale të drejtat që u takojnë, konformë Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut para se të votonin, do duhej të ngriteshin e të protestonin për hapjen e ambasadave dhe konsullatave për votim, për dhënien fund diskriminimit të pashembullt që tash e mbi dy dekada po u bëhet nga KQZ dhe partitë politike në Kosovë, si dhe të konsultoheshin urgjentisht me organet e drejtësisë dhe organizatat evropiane për të drejtat e njeriut, për ngritjen në afat sa më të shkurtër të një padie urgjente kundër KQZ-së dhe vet Valdete Dakës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, pasi që edhe ashtu, përveç pagesave marramendëse dhe humbjes së miliona eurove, votat e tyre nuk janë të sigurta se do të arrijnë me kohë, se a do të pranohen vërtetë nga KQZ, apo ndoshta edhe do të manipulohen në mënyrë industriale, për favorizimin e partive të forta, në pushtet dhe opozitë”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat