Presidenti, ‘toka e premtuar’, ja kujt duhet t’i takojë

Politika

Presidenti, ‘toka e premtuar’, ja kujt duhet t’i takojë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 shkurt 2021 Në ora: 12:04
Presidenca e Kosovës

Pozita e Presidentit të vendit kohët e fundit ka qenë njëra ndër rolet kyqe për të krijuar koalicione e bashkëqeverisje ndërmjet partive politike. Me këtë pozitë të ‘premtuar’ partitë politike kanë shuar ‘etjet’ për pushtet.

Ngjashëm po ndodh edhe aktualisht, pasi Kosova nuk ka një President legjitim, ndërsa këtë pozitë po e ushtron Vjosa Osmani. Kosova mbeti pa Presidenti, kur Hashim Thaҫi në nëntor të vitit 2020 u nis drejtë Hagës me një ftesë të Prokurorit Special për t’iu përgjigjur akuzave.

Tash që vendi do të shkojë në zgjedhje, partitë politike kanë bërë edhe negocitatat për pozitën e presidentit dhe pozitat tjera udhëheqëse.

Në koalicionin parazgjedhor ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe nismës së Vjosa Osmanit, thuhet se kjo e fundit do të marrë pozitën e presidents, ndërsa kryeministër do të jetë Albin Kurti.

Ndërsa, nga LDK-ja dhe AKR-ja që do të kandidojnë bashkë, pretendojnë që Avdullah Hoti të jetë kryeministër dhe me gjasë Behgjet Pacolli president.

Garës për tu bërë president i ka hyrë edhe Ramush Haradinaj, që vazhdimisht po e quan veten si Presidenti i ardhshëm i Kosovës.

Kronologji e zgjedhjes së presidentëve në Kosovë

Këto pazare politike për këtë pozitë i ka komentuar publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, duke sjellë kështu edhe një kronologji të zgjedhjes së presidentëve ndër vite. Ai ka përmendur presidentët që ka pasur Kosova, pas vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Image
Idriz Zeqiraj

“Pas amëshimit të Presidentit Rugova, zgjedhjet e presidentëve kanë qenë çështje pazarësh të vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Profesor Fatmir Sejdiu, përjashto dëmin partiak në LDK, si president ishte meritor dhe në nivelin e detyrës. Ai nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk kishte arsye reale, të shkarkohej nga posti i presidentit. Janë tri arsye që e rrëzuan presidentin Sejdiu: 1) Nuk pranoi 6 pikëshin e Baki Munit dhe për ndërkombëtarët kjo ishte e papranueshme; 2) Deklarimi publik, duke qenë në cilësinë e presidentit, se vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët, që ishte adresim i lexueshëm, se ato i bënë ata që komandonin bandat vrastare të Dukagjinit, Drenicës dhe Llapit; 3) Bashkëpunimi i Hashim Thaçit me Isa Mustafën, që zë fillim në lëvrimet, dhënien e miliona markave komandantëve, gjatë luftës, të cilat kurrë nuk u shfrytëzuan për shërbimet e luftës. Profesor Mustafa, duke qenë këshilltar i presidentit Sejdiu, veproi, pas shpine, fshehurazi, shefit të tij, në konspiracion të pistë, me Hashim dallaverën, me prapavijë të qartë, për përfitime në perspektivë. Dhe, kjo intrigë doli e saktë”, vlerëson Zeqiraj.

Zeqiraj thotë tutje për “Bota sot” se ‘profesor Fatmir Sejdiu shkon edhe më larg, duke thënë se katapultimi i zotit Mustafa në krye të LDK-së, është përgaditur nga SHIK-u’.

“E gjthë kjo më është thënë në katër sy, "tete a tetë". Dhe, qëndrimi tej një dekade të PDK-së në pushtet, është në saje të mbështetjes të LDK-së dhënë PDK-së. Madje, as tani nuk është zbehur kjo miqësi”, thekson ai.

Zeqiraj ka përmendur edhe zgjedhjen e Atifete Jahjagës si e para e vendit.

“Ish-presidentja Atifete Jahjaga është sjellur në krye të shtetit nga ndërkombëtarët. Edhe pse ka qenë korrekte në detyrën e Presidentës, megjithatë, nuk i ka shpëtuar shantazhit, ndërhyrjes flagrante të Hashim kryeministrit. Një nga këto ndërhyrje është edhe konspiracioni, kur bëheshin bisedime politike në Bruksel, Presidentja e mbështeste Edita Tahirin, veglën e Hashmit, në mashtrimin e shqiptarëve, se, gjoja, "po bëjmë vetëm bisedime teknike!", thotë Zeqiraj.

Zeqiraj: Presidenti i vendit duhet të zgjidhet jashtë partive politike

Sipas tij, Presidenti i vendit duhet të zgjidhet jashtë partive politike. Tani, pse Kosova është e vonuar dhe nuk është përgaditur për këtë situatë, nuk përjashtohet mundësia që kandidatura, për president, të dalë edhe nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Por, gjithsesi, duhet të jenë më shumë se një kandidat dhe t`i shtrohen vetëm votës së popullit. Çfarëdo zgjedhje nga Parlamenti, është subjektive, sepse lënë hapësirë për pazare banditeske në mes të partive. Rrjedhimisht, do të prodhonin një president bandit dhe, nga paraqitjet e tij publike, do t`i provokonte e torturonte shqiptarët, për pesë vite radhazi. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet as me pjesëmarrjen në luftë dhe as me përkatësi familjare, çfarëdo qofshin ato. Kosova ka përmbushur obligimet morale dhe materiale, për familjet, dëshmorët me kontribute të veçanta për Atdheun, madje, edhe tej mundësive të saj. Bilëz, me disa favorizime, po i kthen luftëtarët në mercënarë, pa qenë të tillë. Në shumë ligje paushalle, ka nevojë për korrigjime”, vlerëson ai.

Ai thotë tutje se populli i Kosovës, qeveritë e saj, kanë bërë shumë, për nderimin e dëshmorëve, qytetarëve të martirizuar, anekënd vendit, i ka përjetësuar me shtatore dhe emërtime të shesheve, rrugëve, të institucioneve shtetërore, i ka dhënë tituj të lartë nderimi dhe mirënjohje, në respektim të veprës së tyre madhore, deri në flijim.

“Por, zgjedhja banditeske e presidentit, me veprimet abuzive të tij, ka dëmtuar shumë, madje, deri në tallje me dëshmorët. Emrat e heronjëve, në disa raste, janë keqpërdorur për emërtesa hiç adekuate, për të mos thënë idioteske, për qëllime profitabile personale, provinciale, partiake. P.sh. një luftëtar mund të shkëlqej në luftë, deri në sublimim. Por, emërtimi i një institucioni të kulturës me emrin e tij, është paradoksal, nëse dëshmori nuk ka pasur asnjë lidhje me kulturën, edukimin. Ilustrojmë me ndonjë rast tjetër, siç është emërtesa e hapësirës tokësore e fluturakëve, i jipet emri i një luftëtarit, tashmë, hero fort i respektuar. Por, realisht, përgjatë jetës së tij, nuk ka bërë asnjë shërbim për vendin, madje, as privat, duke përdorur fluturakën për udhëtim! Ndërkohë që, aeroportet, madje, kudo në botë, kanë emërtesa shtetarësh, të cilët kanë kaluar një pjesë të jetës në fluturake, në shërbim të vendeve të tyre. Emërtesat flasin shumë. Dhe, një president i përgjegjshëm duhet të mendojë gjatë, para se të veprojë. Ai duhet të konsultohet me komisionet profesionale akademike. Ndryshe ka ndodhur në Kosovë dhe Shqipëri, ku individë, qofshin ata president apo kryeministër, kanë bërë emërtime paushalle, hiç logjike. Emërtimi i një autostrade, me emrin e njeriut, që dihet se u ka shërbyer disa shërbimeve informative, të shteteve fqinj. Për rrjedhojë, të paktën, një akademik është ekzekutuar, është provokim i rëndë për shqiptarët”, thekson ai.

Burjani: Pozita e presidentit dihet kur të formohet koalicioni politik

Image
Blerim Burjani

Nga ana tjetër, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se sa i përket pozitës se presidentit dihet kur të themelohet një koalicion politik, kur ata të bëjnë marrëveshjen.

“Varet nga rrethanat politike, kjo mund të dihet pak a shumë kur të themelohet një kolicion politik, koalicioni duhet të bëj marrëveshje edhe për presidentin edhe për kryeministrin, pra për të gjitha, nëse veҫ do të ketë marrëveshje atëherë më lehtë themelohen institucionet e reja”, vlerëson ai.

Burjani thotë tutje se partitë politike nuk po janë të gatshme për zgjidhjen e problemeve, pushtetin po e marrin për vete, por jo për shërbimin e qytetarëve.

“E keqja është se këto parti nuk janë të gatshëm për të zgjidhë probleme të qytetarëve, pushtetin e marrin për vete por jo edhe shërbimin nuk e kryejnë për qytetarët. Nëse nuk ka zgjidhje për problemet e qytetarëve atëherë janë të kota edhe këto zgjedhje edhe fituesit e saj”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat