Dialogu Kosovë-Serbi, Qeveria Kurti dhe marrëveshja “inovative” - eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Vuçiq këmbëngul për ndarjen e Kosovës

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi, Qeveria Kurti dhe marrëveshja “inovative” - eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Vuçiq këmbëngul për ndarjen e Kosovës

Nga: N.Sh Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 18:20
Ilustrim

Kosova pas 14 shkurtit do të ketë një Qeveri të re, e cila pritet të udhëhiqet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Qeverinë Kurti, do ta pret një përballje e madhe me Serbinë.

Në mandatin e tij, pritet të përmbyllet edhe kapitulli më i rëndësishëm, ai i një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Profesori dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sadri Ramabaja thotë se, dialogu me Qeverinë Kurti 2 hyn në një fazë të re.

“Në cilësinë e ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studiuesit, mund të them se dialogu Kosovë-Serbi pas 14 shkurtit, do ta kemi Qeverinë Kurti 2, rrjedhimisht dialogu hyn në një fazë të re. Ai do të varet ekskluzivisht nga qëndrimi i Beogradit dhe natyrisht edhe pozicionimi i Brukselit zyrtar. Tashmë pas letrës së Bidenit, u ripotencua qëndrimi i pritshëm i administratës së re amerikane, ndërkaq mbetet të pritet ripozicionimi i Brukselit. Në rast se Brukseli nuk tumirë pozicionimin gjerman që i kushtëzon aderimin e Serbisë në BE me njohjen e Kosovës, atëherë gjasat janë që në mandatin e parë të Qeverisë Kurti 2 nuk pritet të kemi ecje esenciale të këtij dialogu”, thotë Ramabaja për gazetën “Bota sot”.

Image
Sadri Ramabaja

Përkundrazi, sipas tij, është fare lehtë e mundshme që ato shpejt  mund të futen në një status-quo që do të konsiderohej si ÇIMENTIM pozicionesh të palëve, e që e lehtësisht do të mund të cilësohej si një lloj "konflikti i ngrirë", siç pretendon Serbia ta trajtoj këtë proces. 

“Beogradi zyrtar duket se për aq kohë sa në krye ka Gebelsin me mërin Aleksandar Vuçiq, do të jetë këmbëngulës në variantin e ndarjes së Kosovës, qoftë edhe në faza të mëvonshme, kur ata e cilësojnë më të mundshme”, thekson ai.

Profesori shton se, drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq, në një intervistë për TV Happy së fundmi pohoi se “një pjesë e shërbimit informativ-ushtarak francez e kishte shtyrë para idenë e ndarjes së territorit të Kosovës.”

“Kjo deklaratë e tij vije pak ditë pas takimit që pati presidenti serb Aleksandar Vuçiq me presidentin e Francës Emmanuel Macron, kur ky i fundit, zuri në gojë togfjalëshin “zgjidhje inovative”. Macro para mediave bëri të ditur agjendën e takimit, duke shtuar se Franca dhe BE donin të ishin më të pranishme në sferën e kulturës, arsimit dhe investimeve ekonomike dhe dialogut Beograd – Prishtinë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Për Francën duket se “normalizimi i marrëdhënieve” mes Prishtinës dhe Beogradit kërkuaka “gjetje inovative”! Në konferencën për media u pa qartë se Franca vazhdon të ketë mirëkuptim për “ rreziqet që Vuçiqi, kishte ndërmarrë disa herë për të ofruar disa zgjidhje inovative”, por pa zbërthyer më tej togfjalëshin “zgjidhje inovative”!”, deklaron Ramabaja.

Profesori shton se, ai nuk ngurroi të pohojë se vazhdon të jetë “i gatshëm t’i mbështes zgjidhjet që do të çojnë në progres në këtë çështje… dhe zgjidhje për të cilat të dy palët do të bien dakord.”

“Sërish asnjë fjalë për atë se cila do të ishte ajo zgjidhje për të cilën mund të pajtoheshin “të dy palët” dhe që do t’i krijonin predispozitat Francës të kontribuojë për zgjidhej përfundimtare të kësaj “çështje të rëndësishme që është në thelbin e Evropës sonë “, pohoi Macron me gjuhën tipike të diplomacisë. Por ai, nuk la po potencuar se Parisi pritet të ketë rol shtesë në dialogun Kosovë-Serbi pas 14 shkurtit, kur Kosova do të ketë qeverinë e re, meqë Franca do të drejtoj presidencën e re të Bashkimit Europian në vitin 2022”, potencon ai.

Sipas tij, politologu Dushan Janjiq për TV Happy, pohoi se fillimisht Macron kishte pranuar idenë e ndarjes së territoreve, pasi kjo ide ishte shtyrë nga një pjesë e shërbimit informativ-ushtarak francez, por më pas ishte tërhequr, meqë ajo, pra ideja për ndarjen e Kosovës, kishte hasur në rezistencë të rreptë jo vetëm brenda në Kosovë, por edhe të Gjermanisë.

“Se nuk kishim të bënim thjeshtë vetëm me një ide, por, de fakto, me një Draftmarrëveshje akorduar mes Thaçit dhe Vuçiqit, me mbështetjen e “në pjese të shërbimit ushtarak francez” si fakt notar, nuk e fsheh as Janjiqi. Kjo ide pati qarkulluar në qarqet diplomatike dhe meidiale përgjatë gjithë vitit 2018 dhe 2019 dhe tashmë është e qartë se ajo, si e tillë, ishte kurthi më specifik që po i përgatitej Kosovës. Rreth kësaj draftmarrëveshje sërish ishin tok: Franca dhe Rusia në anën e Serbisë, si gjithnjë, ndërkaq Donald Trump-in që ishte instaluar në krye të Shtëpisë së Bardhë neoliberalët po e shfrytëzonin për obstruksione të njëpasnjëshme si në raportet transatlantike edhe në rastin konkret të revizionimit të gjeopolitikës në raport me Kosovën”, thotë ai.

Në hyrje të tekstit të draftmarrëveshjes, sipas tij, fjala bëhet për “palë” që janë akorduar për këtë draftmarrëveshje që formalisht do të duhej të nënshkruhej në Kopshtin e Trëndafilave, Uashington D.C., nën patronatin e Donald Trump-it, pikërisht më 28 qershor 2020, ditën e Vidovdanit serb!

 Ai pyet se kush ishte palë që do të nënshkruante këtë marrëveshje? Tashmë dihet.

“Po ashtu dihen edhe cilat na paskan qenë arsyet reale të mocionit kundër qeverisë Kurti më 25 mars 2020. Qeveria Kurti ishte shënjestruar si pengesa reale që po luftonte me të gjitha mjetet e mundshme për shmangien e kësaj marrëveshje. Kështu e llogarisnin strategët e kësaj marrëveshjeje, prandaj ajo duhej larguar. Ato qaste dramatike ishte e pamundur të mos më kujtonin dhjetorin e vitit 1924, kur 5000 trupat serbe të komanduar nga oficerët bjellorus po marshonin drejt Tiranës për rrëzimin e qeverisë së Fan Stilian Nolit dhe katapultimin e Ahmet Zogut në krye të Shqipërisë politike. Historia do të dëshmoi se edhe për këtë “ndihmë” konkrete që kishte kërkuar Zogu, Serbia kishte përfituar përveç perlës së Shën Naumit dhe maleve të Vermoshit, edhe premtimin për likuidimin e Hasan Prishtinës dhe prerjen e çfarëdo mbështetjeje për Lëvizjen e rezistencës në Kosovë që atëbotë drejtohej nga Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, që drejtohej nga Kadri Prishtina”, potencon profesori.

Sipas tij, intervista e Dushan Janjiqit, sikur shpërfaq këtë lloj makutërie të pashuar të Beogradit për t’i shkëputur hartës së gjeografisë shqiptare, tashmë jo Shën Naumin me bukuritë e tij, por një Shën Naum tjetër, me emrin Trepçë, dhe atë e tumirur si një “gjetje inovative”, që duket se do të mbetet gjakimi i përjetshëm i Serbisë.

“Sidoqoftë, jo vetëm Janjiqi, po edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiqi ky Joseph Goebbels i Ballkanit, që më parë po pranuaka t‘ i vihet koka në cung, sesa të njohë pavarësinë e Kosovës, e pas tyre gjithë ajo lagje ushtarakësh francez industrialistë, tok me neodegolistët e mundshëm, e kanë të qartë se, në Prishtinë partner tashmë nuk e kanë Thaçin me C0, por Albin Kurtin. Trepça nuk do të serviret assesi në tavolinën e diplomacisë si gjetje inovative.

Është koha që njohjen e realitetit politik, rrjedhimisht edhe pavarësinë e Kosovës, Gebelsi i Ballkanit ta përjetojë si aktin e vënies së kokës në cung, si pjesë e përgjegjësisë për të gjitha krimet e ushtruara gjatë luftës në Kosovë”, përfundon profesor Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat