Njohja nga Izraeli dhe thirrja e Bidenit për njohjen e Kosovës, e nokautojnë Serbinë në rrafshin diplomatik

Politika

Njohja nga Izraeli dhe thirrja e Bidenit për njohjen e Kosovës, e nokautojnë Serbinë në rrafshin diplomatik

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 shkurt 2021 Në ora: 22:50
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe administrata e tij siç duket e kanë vënë në fokus çështjen e Kosovës dhe Serbisë, që tash e 21 vjet nuk është përfunduar, nuk ka një drejtim të qartë.

Edhe dialogu që është zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka është se ka hedhur dritë mbi çështje, tema të cilat janë të ndjeshme, pavarësisht se nga të gjitha anët ka pasur ndryshime sa i përket liderëve si të Kosovës dhe Serbisë ashtu edhe nga BE dhe Amerika.

Kosova vazhdon me të drejtë të mbajë qëndrimin e palëkundur për njohje nga Serbia, edhe pse kjo e fundit kundërshton ashpër këtë.

Së fundi, edhe presidenti amerikan Joe Biden ia bëri të me dije Serbisë se duhet ta njohë Kosovën. Ai të dielën me anë të një letre dërguar Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjera letrën e Biden-it.

Por krahas kësaj, a do të mund të ndryshojë Serbia qasjen ndaj Kosovës?

Blakaj: Porosia e Biden padyshim që do të ketë ndikim në Beograd

Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, për “Bota sot” ka thënë se, në letër e Biden dërguar Vuçiq, ka lënë të nënkuptohet që se integriteti territorial i Kosovës mbetët i pa cenueshëm.

Image
Sami Blakaj

“Është fat i madh për Kosovën që në krye të Shtëpisë së Bardhë tanimë kemi një mik të madh të shqiptarëve, i cili ka njohuri të thella për rajonin në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti. Kjo u dëshmua edhe në letrën e fundit të presidentit Biden drejtuar presidentit serb Vuçiq, ku mes tjerash ai kërkon që zgjidhja përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi të bëhet me një marrëveshje përfundimtare, e cila e përfshin njohjen e ndërsjellë, duke lënë të kuptohet se integriteti territorial i Kosovës mbetët i pa cenueshëm”, ka thënë Blakaj.

Ai më tej ka theksuar se, ky qëndrim i Biden do të ketë ndikim në Beograd dhe presidenti serb pritet që në një të ardhme të afërt të ndryshoj politikën e tij karshi procesit të dialogut dhe epilogut të bisedimeve.

“Ky qëndrim i qartë dhe i vendosur i presidentit Biden padyshim që do të ketë ndikim në Beogradin zyrtar, dhe se presidenti serb pritet që në një të ardhme të afërt të ndryshoj politikën e tij karshi procesit të dialogut dhe epilogut të bisedimeve. Sa më herët që Serbia i kupton mesazhet e Amerikës aq më e shpejt dhe më e lehtë do të jetë vendimmarrja e saj karshi realitetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj”, përfundon Blakaj.

Mehazi: Njohja nga Izraeli dhe thirrja e Biden për njohjen të Kosovës janë grushte nokautuese diplomatike ndaj Serbisë

Edhe analisti politik Sulejman Mehazi për “Bota sot” ka thënë se, me letrën e Biden dërguar Aleksandër Vuçiq qeveria Brnabiq janë në koma politike e diplomatike para gjykatësve më të fuqishëm të ringjeve politike e diplomatike botërore të SHBA-ve e Izraelit, sepse edhe njoha e Kosovës nga Izraeli ishte grusht nokautues diplomatik ndaj Serbisë.

Image
Sulejman Mehazi

“Njohja e Kosovës nga Izraeli dhe thirrja e presidentit të SHBA-ve, Biden, Vuçiqit për njohjen e Kosovës nga Serbia janë grushte nokautuese diplomatike ndaj Serbisë. Tani më presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe qeveria Brnabiq janë në koma politike e diplomatike para gjykatësve më të fuqishëm të ringjeve politike e diplomatike botërore të SHBA-ve e Izraelit”, shprehet Mehazi.

Sipas tij, dy opsione i kanë mbetur Vuçiqit, ose të njoh Pavarësinë e Kosovës, ose miqësi me Rusinë e armiqësi të hapur me SHBA-në, Izraelin e BE-në.

“Opsionet politike serbe janë, ose të njoh Pavarësinë e Kosovës, ose miqësi me Rusinë e armiqësi të hapur me SHBA-në, Izraelin e BE-në. Vuçiqi i Serbisë politikisht kurrë nuk ka qenë më inferior e më i ngushtuar ndaj Kosovës, mu në ditën festive nacionale e shtetërore të Serbisë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden, ia prishë gëzimin e festës Vuçiqit duke e kushtëzuar me njohjen e Kosovës”, thotë Mehazi.

Më tej zbërthen se letra e Biden drejtuar Vuçiq, është se, nëse Serbia është kundër Kosovës do jetë kundër interesave gjeostrategjike të SHBA-së.

“Serbët me ish-presidentin Trump ishin euforik ndaj Kosovës, po ja që thirrja e lyer me kushtëzime politike e presidentit të ri të SHBA-ve, Biden, i ka vetëdijesuar se Republika e Kosovës është e pavarur e është në duart e qytetarëve të Kosovës e nën mbrojtjen e SHBA-së e jo nën ombrellën e kushtetutës serbe. Porosia e letrës kushtezuese e presidentit Biden është, se, nëse Serbia është kundër Kosovës do jetë kundër interesave gjeostrategjike të SHBA-së”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Zogaj: Kosova duhet ta dijë detyrën e saj historike

Analisti Skënder Zogaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Serbia edhe pa thirrjen e Bidenit do të jetë e detyruar që ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, nëse Kosova e ndryshon qëndrimin ndaj vetvetes

Image
Skënder Zogaj

“Serbia edhe pa thirrjen e Bidenit do të jetë e detyruar që ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, nëse Kosova e ndryshon qëndrimin ndaj vetvetes! Por, nëse Kosova nuk e kupton këtë dhe vazhdon me marrëzirat e deritashme me të cilat e ka sjellur buzë degjenerimit fitoren e lirisë dhe po e ç’vlerëson shpalljen e pavarësisë, atëherë thirrja e Bidenit nuk do ta ketë efektin e duhur, që Amerika fuqishëm po e dëshiron vazhdimisht për shqiptarët”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, Kosova dhe qytetarët e saj nëse nuk dinë ose nuk duan që ta kuptojnë detyrën e tyre historike dhe nuk arrijnë të dëshmojnë rezultat konkret për t'u vetëqeverisur, atëherë thirrja e Bidenit dhe e kujdoqoftë tjetër do të mbetet vetë një tentim miqësor.

“Pra, Kosova duhet të distancohet nga krimi dhe korrupsioni që po e ngulfasin; duhet të fillojë të krijojë institucionet e mirëfillta demokratike për të qenë shteti ligjor dhe përfundimisht i pastruar nga e kaluara e ndryrë ideologjike, e cila për fatin e keq të popullit shqiptarë, praktika aktuale po tregon se ka rrënjë të thella dhe ende shumë të forta në ndërdijen e shoqërore të shqiptarëve! Thirrja e Bidenit i dedikohet demokratizimit të Kosovës dhe assesi modifikimit riciklues të kohërave të kaluara dhe ish politikave gjenocidale që Ballkanin e kanë bërë kasaphane! Këtë duhet ta kuptojnë mirë shqiptarët e Kosovës, sepse fitoren që ua ka sjellur bota, nëse nuk e menaxhojnë si duhet, mund ta humbasin! Kosovarët nëse nuk dinë ose nuk duan që ta kuptojnë detyrën e tyre historike dhe nuk arrijnë të dëshmojnë rezultat konkret për t'u vetëqeverisur, atëherë thirrja e Bidenit dhe e kujdoqoftë tjetër do të mbetet vetë një tentim miqësor”, përfundon Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat