Mesazhi i ambasadorit gjerman, bazohet në informatat që ka Berlini për procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Politika

Mesazhi i ambasadorit gjerman, bazohet në informatat që ka Berlini për procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 shkurt 2021 Në ora: 08:01
Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde

Herë pas here, dy çështjet të cilat i kanë sjellë probleme Kosovës janë posti i kryeministrit dhe ai i presidentit.

Kosova vazhdimisht është përballur me probleme ekonomike e sociale, por as çështjet politike nuk kanë munguar.

Vetëm viteve të fundit, Kosova është përballur me probleme të shumta politike, kjo shkak i mos dakordimeve politike.

Vetëm vitin e kaluar, qytetarët e Kosovës patën dy kryeministra, Albin Kurtin i cili u zgjodh me votat e sovranit, ndërkaq kryeministri tjetër, Avdullah Hoti u zgjodh nga “pazaret” politike.

Ky mos stabilitet politik është vënë re edhe nga miqtë ndërkombëtar, të cilët shpesh kanë tërhequr vërejtjen.

Rasti i fundit, është ai i ambasadorit gjerman, Jern Rohde i cili është shprehur se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të tjera, ndërkaq ka kërkuar të ketë̈ dakordim për presidentin

“Së shpejti ne do të kemi zgjedhjet e treta të mbajtura dhe disa qeveri të formuara brenda tre vjetësh. Shumë e nevojshme është një qeveri stabile e cila, idealisht do të çonte në fund mandatin e saj të plotë legjislativ. Gjëja e fundit që iu nevojitet njerëzve në Kosovë do të ishin edhe një palë zgjedhje më vonë këtë vit, nëse palët nuk merren vesh për çështjen e presidentit të vendi”, ka thënë ai.

Bytyçi: Stabiliteti i qeverisjes do të realizohet me votën e qytetarëve

Lidhur më këtë deklaratë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka theksuar se kjo e dëshmon se sa shumë është e interesuar qeveria gjermane për stabilitet politik në Kosovë.

Image
Enver Bytyçi

“Deklarata e ambasadorit të RF të Gjermanisë në Kosovë që të mos mendohet për zgjedhje të tjera të parakohshme dhe që forcat politike në Kosovë të mendojnë për zgjedhjen e presidentit me dakordim e konsensus dëshmon për atë sa shumë është e interesuar qeveria gjermane për stabilitet politik në vend.

Kjo deklaratë besoj se bazohet te sondazhet dhe informatat që ka Berlini për procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Nga këto zgjedhje pritet të krijohet një qeveri stabile e vullnetit të mirë, e cila do të angazhohet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të përballojë tri sfidat më të mëdha atë të pandemisë Covid-19, sfidën e dialogut me Serbinë dhe të forcimit të shtetësisë, si dhe sfidën e zhvillimit ekonomik e të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, profesori është shprehur se ambasadori përçon mesazhin për stabilitet politik, si kushti kryesor për të përballuar sfidat e mësipërme.

“Nga ky këndvështrim si për diplomacinë ndërkombëtare, ashtu edhe për qytetarët e vendit nuk ka asnjë dyshim se zgjedhje të parakohshme nuk duhet e nuk do të ketë. Ambasadori gjerman, Jern Rohde përçon kësisoj mesazhin për stabilitet politik, si kushti kryesor për të përballuar sfidat e mësipërme. Destabiliteti politik nëse vazhdon edhe pas këtyre zgjedhjeve atëherë, do ta dëmtonte shumë Kosovën dhe do ta vinte atë në pozita të vështira për progresin e së ardhmes”, ka thënë ai.

Po ashtu, profesori është i bindur se vendi do të ketë më 15 shkurt një rezultat zgjedhor me të cilin do të garantohet jo vetëm stabiliteti, por edhe ardhmëria e Kosovës

“Nuk ka asnjë dyshim se stabiliteti i qeverisjes do të realizohet me votën e qytetarëve. Zgjedhësit do të përcaktojnë më 14 shkurt fatin e vendit, duke përcaktuar një qeveri, e cila nuk do të varet nga Klani Pronto, nga xhaketat e vjetra të politikës ose nga Lista Srpska dhe politika e Beogradit. Gjatë kësaj fushate kam dëgjuar shumë akuza, shumë supozime dhe trillime. Por unë jam i bindur se vendi do të ketë më 15 shkurt një rezultat zgjedhor me të cilin do të garantohet jo vetëm stabiliteti, por edhe ardhmëria e Kosovës. Mjafton që qytetarët të votojnë për ndryshimin”, ka deklaruar ai.

Sa i përket çështjes së presidentit, Bytyçi ka shpjeguar se si mund të veprohet në këtë rast.

“Megjithatë pikë referuese mbetet zgjedhja e presidentit. Për këtë do të duhen 2/3 e votave të deputetëve në parlament. Lajm i mirë është se nuk duhen 2/3 e votave të Listës Srpska. Edhe nëse asnjë deputet serb nuk e voton presidentin e ri, ai mund të zgjidhet me votat e shqiptarëve dhe pakicave të tjera. Por në raundin e fundit presidenti zgjidhet e 50 % + 1 votë po në parlament. Gjykata kushtetuese ka vënë si detyrim që kjo zgjedhje mund të konsiderohet e vlefshme nëse në parlament janë të pranishëm mbi 2/3 e deputetëve”, ka deklaruar profesori.

Ai nuk mendon se mund të ketë bllokim të zgjedhjes së presidentit, ndërkaq ka numëruar arsyjet pse nuk do të ndodh një gjë e tillë.

“Tani shtrohet pyetja se a do të jenë në votimin e fundit 2/3 e deputetëve në sallë? Unë mendoj se po. Partitë që mbeten në opozitë vijnë në parlamentin e ri me një ngarkesë të fajësisë politike e morale për dëmet që i janë shkaktuar Kosovës gjatë qeverisjes së tyre. Humbja që do të pësojnë nuk do t’i lejojë që të bëjnë të fortin dhe karshillëkun ndaj procedurave dhe procesit demokratik të zgjedhjes së presidentit. Nëse do të bllokonin me bojkot pjesëmarrjeje zgjedhjen e presidentit, atëherë ato do të akuzoheshin se shkaktojnë kriza artificial, thjesht me qëllim që të mbrojnë pushtetin e humbur. Ndërkaq Lista Srpska nuk do të jetë në parlament, të paktën gjatë votiit të fundit. Nëse edhe ndonjë parti parlamentare shqiptare ose ndonjë deputet shqiptar do të bojkotojë bashkë e në stilin e deputetëve serbë, atëherë do të dilte se këto parti ose deputetë shqiptarë bashkohen me Listën Srpska, çka do të thotë me politikën e Beogradit, me qëllim që të bllokojnë zgjedhjen e presidentit të ri dhe të shkaktojnë krizë parlamentare”, ka thënë profesori.

“Në këtë rast pra nëse bashkohet opozita shqiptare me Listën Srpska për të bojkotuar zgjedhjen e presidentit të ri, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Por kush do të ndëshkohet me një humbje edhe më të thellë në ato zgjedhje? Natyrisht që bojkotuesit do të shiheshin si shkaktarë të krizës. Kjo do të ndodhë, sepse kandidatura e presidentes së re e Vjosa Osmanit është e pakontestueshme në pikëpamje politike dhe vlerave morale e etike. Gjithkush do të donte në krye të shtetit një drejtuese të përgatitur e dinjitoze, si Vjosa Osmanin. Duhet të kesh arsye të kundërshtosh kandidaturën e saj. Opozita e re e pas 14 shkurtit nuk do të gjejë asnjë mundësi për një kontestim të kandidaturës së saj. Ndoshta zoti Haradinaj do të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës pas këtyre zgjedhjeve. Nuk shoh asnjë mundësi që ai të ngjitet në detyrën e presidentit, së paku kësaj radhe. Prandaj atij i mbetet të zgjedhë në koalicionin me Vetëvendosjen dhe Listën Osmani pozicionin alternative në vend të detyrës së kreut të shtetit”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Çështja e presidentit “mollë sherri”

Image
Mirsad Voca

Ndërkaq, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë se kërkesa e ambasadorit gjerman është e qartë si për partitë që do bëjnë pushtetin ashtu dhe për opozitën.

“Deklarata e Ambasadorit gjerman J. Rohde është një kërkesë mjaft e qartë dhe konstruktive si për partitë që do bëjnë pushtetin ashtu dhe për opozitën. Loja politike nuk ka më kuptim konstruktiv kur vihet në rrezik funksioni i institucioneve më të larta të Shtetit dhe i vet Shtetit, qëllimi thelbësor i së cilës do të ishte lartësimi i tij”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Voca ka potencuar se pozita dhe opozita do të duhej të ishin konstruktiv përball idesë së funksionimit të Shtetit.

“Tani, si pozita ashtu dhe opozita do të duhej të ishin konstruktiv përball idesë së funksionimit të Shtetit, dhe nga ky prizëm kuptoj se patjetër që fituesit e pushtetit do të duhej të ndërtojnë institucione të fuqishme duke u hapur, pse jo, edhe ndaj atyre që nuk fituan zgjedhjet. Këta të fundit, po ashtu do të duhej natyrisht të ishin konstruktiv përball çështjes së funksionimit të Shtetit, krahas kërkesave të tyre për pjesëmarrje në pushtet, sepse qytetari tani e tutje gjithnjë do të rivlerësojë”, ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Më tej, ai thekson se vendi ka nevojë për një kreativitet politik që të mos ripërsëriten gabime të njëjta.

“Në këtë rast konkret, askush nuk mund të kërkoj doemos pozitën e presidentit, e cila po na u shfaqet çdoherë si një “mollë sherri”, si një pazarllëk banal, vetëm sepse të gjithë po e dëshirojnë atë pozitë. Vërtetë që është i domosdoshëm një kreativitet politik që të mos ripërsëriten gabime të njëjta duke e ditur që intenca do të ishte ideja konstruktive për shtetndërtim dhe jo që të humbmi brenda kalkulimeve për zënie të pozitave që peshojnë më shumë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Voca ka bërë zbërthimin e zgjidhje kuintesenciale në këtë rast, duke përmendur tri pozitat kyçe.

“Le ta zbërthejmë një zgjidhje kuintesenciale, nëse kemi tri pozita kryesore për tri institucionet më të larta shtetërore, duke konsideruar se pozita e kryeministrit është më me së shumti përgjegjësi, natyrisht që do i ofrohej kandidatit që votohet më së shumti, pozita e presidentit, kandidatit të dytë më të votuar dhe ajo e kryeparlamentarit atij të tretit, i cili pse të mos vinte edhe nga një parti që do të kishte kaluar pragun zgjedhor.

Në rast bllokimi politik për shkaqe numrash e pozitash, çdo tentim për refuzim të formulës së lartpërmendur si një zgjidhje optimale, do të shpinte në zgjedhje të reja, të cilat qytetari, tani më i vetëdijshëm se kurrë, do rivlerësonte zgjidhjen që ka bërë krahas atyre që janë më shumë dekonstruktiv/konstruktiv ndaj ndërtimit dhe funksionimit institucional dhe të vet Shtetit. Kurse në një optikë tjetër tashmë e përjetuar, në rast ngërçi politik, që do të tregonte prapë papjekuri dhe papërgjegjësi politike si të pozitës dhe të opozitës përball qëllimit më madhor që çdo qytetar ende po e ëndërron, krijimin e një Shteti funksional dhe ligjor, do të mund të përballeshim me një “zarf” tjetër magjik me një President të propozuar nga faktori ndërkombëtar”, ka shpjeguar Voca për “Bota sot”.

Në fund, ai ka cekur se partia e cila do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të duhet të ketë një plan B për çështjen e presidentit.

“Mbi të gjithë këtë që u theksua më lartë dhe pa u futur në çfarëdo paragjykimi, duhet patjetër të presim rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, partia ose koalicioni fitues i të cilave, besoj se do të duhej të kishte gjithnjë edhe një plan B për të vënë sa më shpejt dhe pa humbur kohë në funksion të plotë që të tri institucionet më të larta shtetërore”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat