Çfarë do të ndodhë me votat e diasporës?

Politika

Çfarë do të ndodhë me votat e diasporës?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 9 shkurt 2021 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes emailit. Verifikimi i procesit të aplikimit do bëhet përmes kontaktimit me telefon. KQZ-ja ka njoftuar se në rast se aplikuesi nuk përgjigjet në thirrje, aplikimi i tij do refuzohet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka specifikuar ndonjë orë të caktuar se kur do telefonohen këta aplikues nga jashtë Kosovës.

“Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

Mirëpo ajo që ka ngjallur më së shumti debat është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka propozuar votimin e emigrantëve përmes postës dhe shkarkimin e fletës së votimit online nga faqja e KQZ-së.

Megjithatë, Diaspora e Kosovës po ankohet se votimi me postë është një proces i ndërlikuar dhe i kushtueshëm, ndërsa KQZ arsyetohet se janë duke zbatuar ligjet në fuqi.

Mërgimtarët kanë afat që të votojnë deri më 12 shkurt. Shumë prej tyre tashmë e kanë përfunduar këtë proces, por po ankohen për çmimet që po iu duhet të paguajnë për të dërguar zarfet me vota në vendlindje përmes postës.

Mërgimtarët që jetojnë në Gjermani po duhet të paguajnë gati 70 euro për të votuar përmes postës.

Më shtrenjtë se nga ky shtet, kushton votimi nga Suedia. Ata që kanë votuar prej këtij shteti dhe votën e tyre e kanë përcjellë përmes postës kanë paguar rreth 80 euro.

Nga ana tjetër edhe mërgimtarët nga Zvicra po paguajnë shumë të larta, për votat e tyre që kërkohen për shkak të postës – dërgimit në Kosovë.

Lidhur me këtë kanë folur njohës të çështjeve politike dhe juridike, për gazetën “Bota sot”.

Për shkaqe subjektive nuk do të mund të realizojnë të drejtën e votës

Image
Skënder Zogaj

Kështu analisti Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, si arsye se pse disa mërgimtar nga diaspora kanë mbetur pa të drejtë vote, sipas tij është për shkaqe subjektive. Mirëpo, ai thotë se në këto zgjedhje nga diaspora ka pasur kandidat të shumtë të interesuar për votim.

“Mijëra mërgimtar nga diaspora nuk kanë mbetur pa të drejtë vote, por për shkaqe subjektive nuk do të mund ta realizojnë të drejtën e votës, sepse Kosova vazhdon të jetë në krizë të madhe nga e cila do të jenë të ndikuara edhe zgjedhjet e sivjetshme. Mërgimtarët sivjet kanë shënuar kthesën e madhe të përfshirjes së kandidatëve të tyre në listat zgjedhore dhe kjo ka zgjuar interesimin e tyre për votim”, tha ai.

Më tej ka shtuar se nuk duhet të aludohet për të pasur arsye KQZ-ja, sepse po detyrohen të organizojnë tri pale zgjedhje, dhe se në të ardhmen duhet krijuar kushtet e duhura KQZ-së për realizimin më të mirë të zgjedhjeve.

“Nuk ka dyshim se e drejta e tyre për votim është e shenjtë, mirëpo, kjo nuk lejon që të aludohet me pas arsye KQZ-ja, e cila po detyrohet të organizojë tri palë zgjedhje brenda periudhës njëvjeçare, që nuk do ta përballonte as edhe shteti më i fortē evropian. Prandaj, duhet treguar me shumë mirëkuptim dhe të merret mësim që në të ardhmen shteti i Kosovës të angazhohet edhe më mirë për t'ia krijuar KQZ-së kushtet e duhura për funksionimin e mirëfilltë dhe realizimin më të mirë të zgjedhjeve!”

Shumica nga ta nuk janë më shtetas të Kosovës

Image
Blerim Burjani

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve juridike, Blerim Burjanit, shumica nga ta nuk janë më shtetas të Kosovës, dhe se kjo po ndodh edhe për arsye se të gjitha partitë janë duke bërë presion për të votuar.

“Nuk është e vërtet kjo, shumica e tyre apo të gjithë nuk janë më shtetas të Kosovës, sepse kanë marr shtetësi tjetër dhe e kanë humbur shtetësinë. Tash VV-ja dhe disa parti të tjera janë duke bërë depresion me dalë me votu. Edhe pse nuk janë shtetas të Kosovës, të gjithë shtetasit e Kosovës janë në listën votuese nëse kanë letërnjoftim kosovar”, tha ai.

Ai thotë se këto janë manipulime nga partitë që po u bëhet votuesve. Por, sipas tij secili që është shtetas i Kosovës duhet t’i drejtohet Agjencionit të Regjistrimit Civili dhe nëse nuk gjendet atëherë ai person ka shtetësi tjetër.

“Pra, këto janë manipulime të partive ka shumë manipulime që po bëhen me votuesit në diasporë dhe me ata që kanë të drejt vote edhe ata që nuk kanë, por nëse KQZ-ja nuk e verifikon atëherë është çështje e regjistrit civil. Secili shtetas i Kosovës mund t’i drejtohet Agjencionit të Regjistrimit Civil, nëse edhe atje nuk gjendet në evidencë ai e ka humbur shtetësinë se ka marr shtetësi tjetër”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat