Reagime të ashpra kundër Fatmir Limajt - krahasoi Albin Kurtin me kriminelin Vuçiq

Politika

Reagime të ashpra kundër Fatmir Limajt - krahasoi Albin Kurtin me kriminelin Vuçiq

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 shkurt 2021 Në ora: 18:45
Fatmir Limaj dhe Albin Kurti

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i fushatës zgjedhore, tashmë duket se ka degraduar gjuha e politikanëve ndaj njeri-tjetrit.

E tillë del të jetë edhe akuza e rëndë e liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, drejtuar liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan “Bota sot”.

Kandidati për kryeministër nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Albin Kurti, po dëshiron pushtet absolut sikurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas kreut të NISMA-s, pushteti absolut, do të sillte degjenerim total në shtetin e Kosovës, njësoj sikurse pushteti në Serbi.

”Nuk besoj kurrë në Kosovë që do ta lejonte t’i hipte atij rreziku për të lejuar një parti politike të jetë e vetëmjaftueshme për të qeverisur”, u shpreh Limaj.

”Dhe ky vend nuk e ka luksin dhe pjekurinë e mjaftueshme institucionale politike, që të qeveriset nga një parti politike, pa një degjenerim masiv. Me koalicione kemi pasur problem me qeverisje, e merre me mend një pushtet absolut çka mund t’i ndodhë një vendi. Shiqoni çka po ndodhë në Serbi”, ka deklaruar ditë më parë, Fatmir Limaj.

Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se deklarata e Fatmir Limajt drejt Albin Kurtit është e pavend, dhe jo e menduar mirë politikisht.

Ata konsiderojnë se krahasimet në nivele të tillë nuk janë produktive edhe në aspektin politik, dhe se me këtë krahasim nuk fiton fare vota Fatmir Limaj.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamed Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se as në fushatën zgjedhore nuk lejohet çdo propagandë.

Kelmendi deklaratën e Limajt e quan të ulët, shumë të keqe, dhe të pamenduar politikisht.

Kelmendi: As në fushatë nuk tolerohet çdo propagandë!

Image
Muhamed Kelmendi

“Fushata zgjedhore toleron një eskalim, por jo ne përmasa armiqësore midis kryetareve, kandidateve dhe partive politike ne zgjedhje. Unë nuk e kam dëgjuar dhe ende nuk e kam lexuar një deklaratën e Limajt, ku ai e krahason Kurtin me kriminelin Vuçiq. Po thuhet se e ka thënë. Por, nëse është deklaratë e dalë nga Limaj është shumë e keqe dhe fare e menduar politikisht. Krahasimet në nivele të tillë nuk janë produktive edhe në aspektin politik. Me atë krahasim nuk fiton fare vota Fatmir Limaj. Po kështu duhet thënë se edhe vete krahasimi është absurd midis këtyre dy vetave”, ka thënë Kelmendi.

Profesori tregon se Aleksandar Vuçiq i takon plejadës së krimineleve më të zëshëm, në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi.

“Krimineli Aleksandar Vuçiq është i mbushur me urrejtja nacional-fashiste ndaj popujve jo serb. Tehu i urrejtjes është ndaj shqiptarëve, kroatëve dhe bosanëve. Njëherit ky njeri i takon plejadës së krimineleve më të zëshëm në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi. Ishte njëherit edhe ministër i informacionit në qeverinë kriminale të Millosheviçit”, tha ai.

Me tej ai thekson se Limaj me deklaratën e fundit kundër Kurtit, i ka rënë vetës, kurse, ka nënvizuar se ky është një veprim i njeriut të zhgënjyer dhe që mendon në humbje.

“Po Albini ku ishte? Student dhe pjesëmarrës në demonstratat për Republikë. Punoi në zyrën e Demaçit si zëdhënës i UÇK-së. Qëndroi në burg. Pastaj erdhi në Kosovë dhe organizoi Lëvizjen Vetëvendosje. Pati lëshime të mëdha. Iu vranë disa demonstrues dhe shpesh herë sulmoi policinë e Kosovës. Kryesisht pa vende. Tash është në politikë. Po synon fitoren. Këtej krahasimi i bërë, nëse është bërë, është i pavend dhe jo produktiv. Me atë i ka rënë vetes Limaj dhe i ka ndihmuar Kurtit në votime të 14 shkurtit. Por, kështu është kur nuk dinë ku je dhe çfarë është fushata elektorale dhe vota. Ky është një veprim i njeriut të zhgënjyer dhe që mendon në humbje”, ka deklaruar për “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Muhamed Kelmendi.

Kurse, nga ana tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se kur kritikon lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, gjithçka është në rregull.

Mehmeti: Nuk është fajtor Albin Kurti pse këta kanë vjedhur

Sipas Mehmetit, aq më shumë që kritikohet Kurti, edhe më shumë i bën qytetarët që ta votojnë atë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image
Faton Mehmeti

“Kur të akuzon Fatmir Limaj dije se je në rregull, kështu që sa më shumë e akuzon Albin Kurtin, aq më shumë i bën qytetarët që ta votojnë. Fatmir Limaj nuk ka fije integriteti dhe njerëzie për të folur për qeverisje të mirë, kur dihet se kohen kur ishte ministër rrugët tona janë prishur çdo 2 muaj. Fatmir Limaj është i konsumuar tashmë, i takon të shkuarës, mirëpo këtë fakt s’po mund ta kapërdij”, është shprehur analisti Mehmeti, për “Bota sot”.

Krejt në fund, analisti ka potencuar se “krahu i luftës” po e sheh fundin, dhe se këta janë shqelmat e fundit, që tashmë nuk e trembin askënd.

“Nuk është fajtor Albin Kurti pse këta kanë vjedhur, me që rast edhe kanë humbur mbështetjen. Fajtor janë vet, sepse nuk kanë menduar për popull, mirëpo për gjepat e tyre. Duket se krahu i luftës po e sheh fundin, me shqelmat e fundit, që tashmë nuk e trembin askënd. Fatmir Limaj tashmë i takon të kaluarës, dhe me këtë rast fundi i ij ka ardh”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se ushtruesja e detyrës, presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat