Edhe 22 vite pas luftës, PDK dhe Nisma nuk po mund ta ‘ndajnë’ UÇK-në

Politika

Edhe 22 vite pas luftës, PDK dhe Nisma nuk po mund ta ‘ndajnë’ UÇK-në

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 shkurt 2021 Në ora: 07:57
Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limaj

Kanë kaluar më se 22 vite që nga përfundimi i luftës  së fundit të Kosovë. Mirëpo, ndonëse vendi ka kaluar në shumë faza ndryshimi dhe zhvillimi, disa parti politike ende po i përdorin si ‘karrem’ vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Janë zgjedhjet e parakohshme ato të cilat ia dhanë këtë mundësi disa partive politike. Mundësi kjo e cila po i leverdiset për të ftuar qytetarët të i votojnë, kështu nëpërmjet UÇK-së të nxisin qytetarët të mendojnë se në rend të parë është populli e më pas interesat e tyre personale e në asnjë mënyrë të mendohet e kundërta. 

Këtë mundësi më së miri po e shfrytëzojnë në këtë kohë fushate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Nisma Socialdemokrate (NISMA), të cilat kanë vendosur që edhe në këto zgjedhje parlamentare të e përdorin UÇK-në për interesa partiake dhe përfitim të votave elektorale. 

Mirëpo, në mes këtyre dy subjekteve politike ekziston një përplasje politike, në të cilën në mënyrë të papranueshme po i përfshijnë vlerat e luftës çlirimtare. 

E gjithë përplasja filloi në momentin kur në mes PDK dhe Nismës nuk u arritë marrëveshja për koalicion parazgjedhor. 

Prandaj, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në këtë fushatë zgjedhore cak kryesor të akuzave e ka Partinë Demokratike të Kosovës. 

Nisma slogan të këtyre zgjedhjeve e ka “Me çlirimtarët’ dhe përmes luftës së UÇK-së, po tenton të fitojë elektorat dhe vota. 

Njësoj po vepron edhe PDK e cila tash e disa palë zgjedhje parlamentare tenton të fitojë vota përmes luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Dhe ‘luftën’ këto dy parti po e fokusojnë në luftën e fundit në Kosovë, duke garuar në njëfarë mënyre se cila nga ato ka kontribuar më shumë. 

Mirëpo, analistët politikë këtë mënyrë të bërjes së fushatës zgjedhore të këtyre subjekteve duke e përdoru UÇK-në dhe duke hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës po e shohin si të kot. Ata për “Bota sot” deklaruan se vetëm po e dëmtojnë veten e tyre dhe nuk do të arrijnë më të marrin vota duke përdorur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 

Mehazi: PDK  kurrë nuk e 'Rimëkëmbi Kosovën", "Çlirimtarët" e Nismas kurrë nuk ua dhanë lirinë qytetarëve 

Image
Sulejman Mehazi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” ka komentuar përplasjet mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. 

Mehazi foli edhe për përdorimin e emrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të fituar vota elektorale. Ai tha se përplasjet mes këtyre subjekteve janë rrjedhë e mosmarrëveshjes për koalicionin parazgjedhor. 

“Është e qartë se gjithë përplasjet në mes Nisma-s dhe PDK-së bëhen për shkak të kokrrave te votave, vlen të theksohet se  këto janë inate që rrjedhën e kanë nga mosmarrëveshja koalicionuese e PDK-së me Nisman e Fatmir Limajt”, deklaroi Mehazi. 

Profesori u shpreh se Fatmir Limaj duke qenë në rrezik të humbjes së zgjedhjeve po kritikon PDK-në në emër të UÇK-së. Mirëpo, sipas tij këto përplasje për UÇK-në janë të kota dhe nuk do t’i sjellin asnjërës parti vota. 

“Limaj duke qenë i vetmuar e në rrezik të humbjes së zgjedhjeve mundohet të përvetësojë elektoratin duke kritikuar PDK-në në emër të UÇK-së për të mbijetuar partia e tij e Nisma-s. Për fat të keq përplasjet e PDK-së e Nisma-s për UÇK-në mos të themi se janë të kota, po gjatë këtyre zgjedhjeve të 14 shkurtit, fare nuk ndikojnë te elektorati votues.”, theksoi ai. 

Mehazi sheh një zbehje të qytetarëve të votojnë parti të cilat e përdorin UÇK-në në kampanjë zgjedhore, pas aktakuzave të udhëheqësve kryesor të saj. 

“Pas aktakuzave të udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Kadri Veselit në Hagë është zbehur edhe interesimi i qytetarëve për të votuar partitë që gjatë kampanje zgjedhore prezantojnë UÇK-në”, nënvizoi Mehazi. 

Ai gabimin më të madh të PDK-së dhe Nismës e sheh kërkimin e votave në emër të komandantëve politikë të UÇK-së. Pasi që PDK  kurrë nuk e 'Rimëkëmbi Kosovën", po ashtu edhe "Çlirimtarët" e Nismës, pas luftës, kurrë nuk ua dhanë lirinë qytetarëve të Kosovës. 

“Gabimi më i madh e më i paqëlluar i PDK-së e Nisma-s gjatë kësaj fushate është të kërkojnë votat në emër të komandantëve politikë të UÇK-së së korruptuar, për shkak se njëzet vjetPDK-ja kurrë nuk e 'Rimëkëmbi Kosovën", po ashtu edhe "Çlirimtarët" e Nismës, pas luftës, kurrë nuk ua dhanë lirinë qytetarëve të Kosovës”, potencoi profesori. 

Në fund, Mehazi tha se PDK-ja e Nisma po përplasen më shume për UÇK-në, e jo për qytetarët e ngratë që do votojnë. 

“Prej gjithë partive konkurruese logot, sloganet apo ofertat më të pabesueshme për qytetarët votues  janë PDK-ja e Nisma që përplasen më shume për UÇK-në, e jo për qytetarët e ngratë që do votojnë. Pra, totalisht janë të kota zëniet e Nisma-s dhe PDK-së për UÇK-në, pasi nuk voton  UÇK-ja pakicë, po qytetarët e Kosovës anë e kënd vendit”, përfundoi Mehazi. 

Ahmeti: PDK po e përdor UÇK-në për të ruajtur votën, kurse Nisma për të kaluar pragun zgjedhor 

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik, Hidajet Ahmeti, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” tha se Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma po hedhin akuza ndaj njëra tjetrën për të ruajtur votat elektorale. 

Sipas, Ahmetit këtë po e bëjnë duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare. PDK po tenton të ruaj votat elektorale, ndërsa Nisma po synon ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind. 

“PDK e Nisma janë një brumë politik dhe akuzat e kundër akuzat ngjajnë me tendencën për të marrë e ruajtur vota,  çdoherë duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare. PDK-ja në njërën anë duke bërë përpjekjet e fundit për ta ruajtur votën në mungesë të liderit shpirtëror dhe atij formal. Kurse Nisma  në” luftën” për ta kaluar pragun elektoral  duke pas në thirrur  apo duke pas target   vlerat e luftës çlirimtare”, nënvizoi ai. 

Analisti vlerëson se këto përplasje dhe akuza ndaj njëra-tjetrës, më së shumti po i dëmtojnë këto dy parti, pasi po shpërfaqin të vërteta që nuk i kemi dëgjuar më parë. 

“Dy subjektet politike nuk dallojnë në substancialet, pasi një kohë kanë qenë se bashku në parti, por edhe kanë qeverisur së bashku. Mendoj se, këto akuza e kundër akuza potencialisht do t’i dëmtojnë dyja subjektet politike, pasi shpërfaqin disa të vërteta që nuk i kemi dëgjuar më parë”, theksoi Ahmeti. 

Në fund, ai deklaroi se pavarësisht tendencës të fitojnë vota në emër të UÇK-së, qytetarët janë vetëdijesuardhe përcaktuar për votën e tyre, duke parë qeverisjet e subjekteve të pasluftës. 

Ahmeti tha se ka ndodhur një revolucion demokratike dhe qytetarët do të i ndëshkojnë përmes votës. 

“Por më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë kuptuar dhe janë vetëdijesuar në përcaktimin e tyre për votën, duke pas një pasqyre reale për të gjitha subjektet politike që kanë qeverisur nga mbas lufta. Gjykimi në baza racionale nga ana e votuesve është një revulocion demokratik  që ka ndodhur, dhe ndëshkimi përmes votës do të ndodhë në këtë bazë”, përfundoi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat